E Diel, 1 Nëntor 2026

Obeziteti, mënyrat për ta ndihmuar fëmijën të bjerë nga pesha

Shpeshtësia e obezitetit në fëmijë sa vjen dhe rritet. Studimet e fundit tregojnë një rritje dhe të shpeshtësisë së mbipeshës. Nuk ekziston një rrugë e shkurtër dhe e thjeshtë për të ndihmuar fëmijën tuaj të bjerë nga pesha. Prandaj nevojitet një modifikim afatgjatë i mënyrës së jetesës dhe asaj të ushqyerjes së fëmijës, çka kërkon përfshirjen e tyre në strukturën e familjes. Por si mund të të realizohet kjo? Më poshtë mjekët pediatër japin disa këshilla.
Obeziteti
Obeziteti është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e depozitimit të indit adipoz në organizëm. Ai konsiderohet si shkaktari madhor i shumë patologjive serioze që bëhen shkak për vdekje të papritur. Në gjuhën mjekësore shpesh herë përdoret termi obezitet malinj (morbid obesity) për të karakterizuar obezitetin që paraqet rrisk të lartë për shfaqjen e një sërë sëmundjesh. Normalisht indi adipoz (kaloritë) përbën burim energjie për organizmin dhe luan rol barriere mbrojtëse për organet e brendshme dhe lëkurën. Ai ndodhet normalisht në sasi më të lartë nënlëkure, në artikulacione dhe rreth organeve të brendshme. Shfaqja e obezitetit shkaktohet si pasojë e prishjes së disbalancës së marrjes së kalorive dhe humbjes së tyre në favor të rritjes së kalorive duke shkaktuar gradualisht akumulimin e tepruar në organizëm. Faktorët që prishin këtë disbalancë janë të shumtë, por më kryesorët janë si më poshtë.
Faktorët
Faktori biologjik: në disa pacientë metabolizmi i ulët bazal bëhet shpesh herë shkak për shfaqjen e obezitetit. Faktori gjenetik: në disa raste luan rol kryesor në shfaqjen e obezitetit. Leptin proteina është një proteinë e cila kufizon dhjamosjen. Në shumë persona obezë janë vënë re defekte të receptorëve të leptinës, duke u bërë shkak për mosfunksionimin normal të mekanizmave që evitojnë dhjamosjen. Po ashtu, mënyra e jetesës në ditët e sotme konsiderohet si faktor madhor në shfaqjen e obezitetit. Konsumimi i tepërt i kalorive dhe ulja e aktiviteteve fizike janë dy element që rrisin sasinë e dhjamit në organizëm. Gjithashtu dëmtimet e bërthamave që ndodhen në hipotalamus dhe kontrollojnë urinë mund të shkaktojnë obezitet me anë të mekanizmit të hiperfagisë (ndjenjë e shtuar e urisë si pasojë e dëmtimit të mekanizmave frenues të saj). Faktori hormonal: në bazë të studimeve të ndryshme është vënë re se aktiviteti i rritur endokrin i pankreasit, dhe hiperkortilozemia paraqesin rrezik dhe përbëjnë shkak për obezitet.
Rreziqet e obezitetit
Obeziteti shkakton një gamë të gjerë disfunksionesh dhe patologjish në organizëm, duke u bërë shpesh herë shkak për vdekje të papritur. Aparati kardiovaskular është ai që preket dhe dëmtohet më shpesh. Rritja e masës dhjamore në zemër bëhet shkak për shfaqjen e aritmive dhe arterosklerozës së enëve të gjakut. Kur arteroskleroza shkakton obstruksion te aa.coronare rezultati mund të jetë infarkti akut i miokardit që mund të jetë me pasoja fatale.
Diabeti i sheqerit si pasojë e rezistencës së indeve në periferi ndaj insulinës është tepër i shpeshtë. Shifrat e pacientëve dibetikë, si pasojë e obezitetit janë bërë tepër alarmante. Dhe moshat e reja janë ato që kanë filluar të preken më shpesh. Insuficienca respiratore është komplikacion tjetër. Ajo karakterizohet nga vështirësi në frymëmarrje dhe përgjumje që mund të çojë deri në koma. Në aparatin gjenital te femrat shkaktohet më shpesh amenorrea, kurse te meshkujt fenomenet e impotencës janë të shpeshta. Tek të dyja sekset obeziteti mund të bëhet shkak për sterilitet. Në lëkurën e obezëve shpesh herë mund të shfaqen eritema ose dermatite të ndryshme. Ndërsa në traktin gastrointestinal fenomenet si konstipacioni dhe kolelitiaza dominojnë.

Këshillat për fëmijët
Përcaktoni qëllime realiste për fëmijën tuaj
Fëmija juaj është ende duke u rritur dhe ndoshta është më mirë ta ndihmoni atë ta mbajë peshën se sa ta humbasë. Në qoftë se gjatë zgjatjes, bebi nuk shton në peshë, natyrisht ai do të dobësohet. Prandaj, një rënie në peshë prej rreth 450 gram në javë, për fëmijët obezë, do të ishte e kënaqshme, për të mos dëmtuar rritjen e fëmijës. Ajo që ka rëndësi është që fëmija juaj të përshtatet me mënyrën e re të jetesës.
Inkurajoni aktivitetet fizike
Çdo lloj aktiviteti aerobik mund të ndihmojë fëmijën tuaj të harxhojë kaloritë e tepërta. Ecja sportive, marshimet, ecja me biçikletë, patina etj., janë mënyra shumë të mira për të djegur kaloritë e tepërta. Ju gjithashtu duhet ta inkurajoni fëmijën tuaj të bëjë një jetë aktive, si për shembull: të ngjitet nga shkallët dhe të mos përdorë ashensorin, të ecë në këmbë dhe jo me makinë për te shtëpitë e miqve të tij, etj.
Zgjidhni ushqime të shëndetshme dhe të ushqyeshme
Inkurajo fëmijën të hajë tre vakte jo të bollshme dhe 2 vakte të ndërmjetme të vogla, në mënyrë që ai të mos qëndrojë gjatë pa ngrënë që të ndihet i uritur, çka do ta zemëronte atë. Siguroji sasi të bollshme frutash dhe perimesh dhe inkurajoje të pijë ujë në sasi të bollshme. Një portokall jo vetëm që ka më pak kalori se sa një gotë me lëng portokalli, por duke pasur fibra, e ndihmon fëmijën tuaj të ndihet i ngopur dhe për rrjedhojë i kënaqur. Jepi ushqime me pak yndyrë, si: qumësht i skremuar, jogurt apo djathëra me pak yndyrë. Kokoshkat ose gjevrekët janë një zgjedhje shumë më e mirë se patatinat, biskotat apo petullat.
Ndryshoni mënyrën e të ushqyerit të familjes
Inkurajo fëmijën që të ushqehet vetëm kur është i uritur dhe mos ta shohë ngrënien si aktivitet. Shërbeji vaktet e familjes vetëm në kuzhinë ose në dhomën e ndenjes, pa kryer asnjë veprimtari tjetër, siç është të parit e televizorit. Në qoftë se fëmija juaj ha duke parë televizor, ai mund të haje aq shumë sa të mbingopet.
Provoni të ndryshoni mënyrën e sjelljes
Një “sistem shpërblimi” mund ta ndihmojë fëmijën tuaj për të qenë më i motivuar për të zbatuar dietën e tij. Për shembull: në qoftë se ai pi ujë në vend të koka-kolës për një javë, shpërbleje atë duke e lejuar të bëjë diçka që i pëlqen apo duke i blerë një lodër. Asnjëherë mos e shpërble me ushqime!
Kontrollojeni rregullisht te pediatri
Dërgoje fëmijën çdo 2 javë tek mjeku për kontroll të peshës dhe, në qoftë se nevojitet, edhe për ekzaminim të gjakut. Nuk këshillohet peshimi i përditshëm, pasi ndryshimet ose jo të peshës i shtojnë stresin fëmijës.
Përkraheni dhe mbështeteni
Është mjaft e rëndësishme që gjithë familja të ndryshojë mënyrën e ushqyerjes për ta ndihmuar atë. Sigurohu që të mos mbani ushqime të mbetura në shtëpi. Mbaj në frigorifer karota, selino, fruta. Gatuaj ushqime të shëndetshme dhe me pak yndyrë për të gjithë familjen. Dhe mbi të gjitha: mbështete dhe jepi kurajë.

Studimi i ISHP-së
Rreth 15% e fëmijëve janë mbipeshë dhe 3.8% obezë

Rreth 15% e fëmijëve shqiptarë janë mbipeshë dhe 3.8% obezë. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, rezulton se mbipesha dhe obeziteti, sidomos tek moshat e vogla, mbetet sfidë për shëndetin publik, si për efektet potenciale, ashtu dhe ato psikike. Të dhënat e studimit tregojnë se rreth 15.2% e fëmijëve janë mbipeshë dhe 3.8 % e tyre, obezë. Specialistët e shëndetit publik pohojnë se obeziteti është më i dukshëm tek fëmijët e zonave urbane nga ato rurale. Kështu, për çdo fëmijë obezë në fshat gjendjen 4 fëmijë obezë në qytet. Interesante janë krahasimet e obezitetit tek fëmijët në shkollat publike dhe ato jopublike. Sipas studimit, numri i fëmijëve mbipeshë në shkollat jopublike është 2 herë më i lartë se në shkollat publike. Bazuar në të dhënat e studimit, ky raport është më i lartë për fëmijët obezë në shkollat respektive. Në studimin e ISHP-së u përfshinë rreth 4 000 nxënës të klasave të ciklit 9-vjeçar të shkollave publike dhe jopublike në 12 qarqe të vendit. Objektivi i tij ishte krijimi i një banke të dhënash mbi situatën epidemiologjike të gjendjes së ushqyerjes së shëndetshme të grup-popullatës, me qëllimin specifik, modifikimin e sjelljeve ushqimore jo korrekte. Nisur nga të dhënat e studimit, specialistët pohojnë se vëmendja duhet drejtuar tek parandalimi dhe frenimi i rritjes së obezitetit të moshës fëminore, pasi trajtimi i obezitetit të instaluar është shumë i vështirë, ndërsa mundësia e të qenurit i rritur obez është shumë i lartë. Po kaq i vështirë është dhe korrigjimi i zakoneve të gabuara ushqyese në moshë të rritur, të cilat janë fituar që në fëmijëri. Obeziteti përbën rrezik potencial për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, por dhe për ato psikike, etj.

28 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›