Abraham, gati huazimi te Tirana

Nigeriani më i njohur në Shqipëri, Abraham Aleçenu – katër herë kampion, 2 herë me Tiranën, 1 me Dinamon dhe 1 me Elbasanin – pritet të huazohet (për 5 muaj) te Tirana.
Mbrojtësi i majtë 25-vjeçar, Abraham Aleçenu, i cili në fillim të këtij sezoni ishte pjesë e Iraklsit në Greqi, nënshkroi para pak ditësh një kontratë me AEL Limasol të Qipros, por ka rënë dakord me klubin qipriot për formulën e huazimit me rekordmenët e Shqipërisë.
Tirana zyrtarizoi pak ditë më parë edhe blerjen e mesfushorit Gilman Lika, një përforcim i çmuar për skuadrën e trajnerit Dede, lojtar për të cilin presidenti Refik Halili do të investojë 140 mijë euro në dy sezone.
Tratativat e radhës te 24 herë kampionët e Shqipërisë kanë të bëjnë me një shkëmbimin midis mbrojtësit Andi Lila dhe mesfushorit Ervin Bulku, ky i fundit është aktualisht në radhët e Hajdukut të Splitit.
Në ndeshjen e parë miqësore gjatë fazës përgatitore ne Turqi, Tirana barazoi 1-1 me Diarbakirsporit (kategoria e dytë), pikërisht një ish-skuadër e mesfushorit të Kombëtares shqiptare.
Golin e vetëm e shënoi Pero Pejiç, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar (12 gola në 16 ndeshje).
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 10 Janar 2011