Ish-ylli i Nigerisë vret veten

Uçe Okafor, një ish-mbrojtës i Nigerisë në Kupën e Botës së vitit 1994 dhe 1998, dhe ish-lojtar i Kansas Siti Uizard në Shtetet e Bashkuara, kreu vetëvrasje ën shtëpinë e tij në Dallas, në moshën 43-vjeçare. Trupi i tij u gjet të enjten nga gruaja e tij në shtëpinë e tyre në Litle Elm. Okafor luajti në formacionin e “Super Shqiponjave”, që fitoi Kupën e Afrikës në vitin 1994. Nigeria në këtë vit mori pjesë në Kupën e Botës, ashtu siç mori pjesë edhe në vitin 1998. Okafor nuk luajti në vitin 1994, ndërkohë që luajti vetëm një ndeshje në vitin 1998.
“Ne jemi totalisht të shokuar nga lajmi. Uçe Okafor ishte një lojtar i madh, i cili përfaqësoi vendin e tij në nivel të lartë”, - tha Musa Amdau, sekretari në detyrë i Federatës Nigeriane të Futbollit. Okafor ishte pjesë e Uizards nga viti 1996 deri në vitin 2000, duke luajtur 119 ndeshje në sezonin e rregullt dhe në shtatë pjejofe të Major League Soccer. “Unë jam tmerrësisht i hidhëruar të dëgjoj se ai është ndarë nga jeta”, - tha Ron Njuman, një trajner i Uizards nga viti 1996 deri në vitin 1999. “Ai ishte një djalë i madh, i fuqishëm, por ishte shumë i këndshëm dhe shumë profesionist. Ai ishte një xhentëlmen i vërtetë”. Okafor punoi për rrjetin ESPN dy vitet e fundit, duke ofruar analiza për futbollin amerikan. Kontrata e tij ishte rinovuar sërish muajin e fundit. “Ne jemi me të vërtetë të hidhëruar nga lajmi i vdekjes së Okaforit”, - tha një përfaqësues i rrjetit kabllor.
Në fakt, ngjarjet të tilla që kanë të bëjnë me ish-sportistë apo lojtarë në aktivitet nuk janë të pakta. Statistikat tregojnë një numër të madh, ku një nga rastet më të bujshme ishte vetëvrasja e ish-portierit 32-vjeçar gjerman të Hanoverit dhe Kombëtares gjermane, Robert Enke, për shkak të depresionit. Enke ishte shok i ekipit ku bën pjesë aktualisht edhe shqiptari Altin Lala. Djali i një ish-vrapuesi të 400 metrave me pengesa e më pas psikoterapist dhe një sportisteje të famshme hendbolli, u hodh mbi shina dhe u shtyp nga një tren, më 10 nëntor 2009, disa qindra metra larg varrit të vajzës së tij 2-vjeçare, duke zhytur sportin gjerman në lot e zi, por duke “detyruar” mediat të rikujtojë e të rishkruajë për një kolonë të gjerë emrash të sportit të vetëvrarë, të vrarë apo të vdekur në fushën e futbollit apo në klinikat gjatë përpjekjeve të mjekëve për t’i risjellë në jetë.
Sergi Lopez Segu është një nga futbollistët e njohur spanjollë, i aktivizuar me Barcelonën, Majorkën dhe Real Saragozën. Pas karrierës sportive ai u zhvendos në Argjentinë, ku u martua e pati një fëmijë. Martesa dështoi plotësisht dhe e kombinuar edhe me përfundimin e karrierës së tij profesionale e çuan Seunë në depresion, e cila rezultoi më pas në një vetëvrasje, më 4 nëntor 2006, në moshën 39-vjeçare. Në funeralin e tij ishin të pranishëm njerëz të njohur të botës së futbollit, përfshirë presidentin e Barcelonës Hohan Laporta, futbollistin Samuel Eto, ish-presidentin e Valencias, Pedro Kortes dhe të gjithë skuadrën e Monakos. Lester Morgan Suazo ishte një portieri nga Kosta Rika pjesëmarrës në Kupën e Botës 2002. Suazo në nëntor të vitit 2002 vrau veten.
Një arbitër rus i kampionatit të kategorisë së parë, Almir Kayumov, u rikuperua në një spital psikiatrik, pasi kishte tentuar vetëvrasjen. Gjyqtari, 44 vjeç, kishte tentuar të hidhej nga dritarja e apartamentit të tij, por ishte ndalur në momentin e fundit nga disa punëtorë, pikërisht dy ditë pas vdekjes së Enkes, më 12 nëntor 2009. Ish-sulmuesi i Interit, Adriano, pranoi se kishte menduar të vriste veten në vitin 2004, në kohën kur ai luante në Itali. “Pas vdekjes së babait e mendova këtë gjë, prandaj pata dhe probleme me alkoolin”, - tha braziliani për “Globesporte”. “Fillova të pija në mënyrën time për të shmangur problemet pasi dhe vuaja nga pagjumësia. Nuk duhet nënvlerësuar aspak depresioni që ekziston edhe në sport. Është e nevojshme të kurohet”. Edhe portieri i Italisë dhe Juventusit, Xhixhi Bufon, pranoi se në të kaluarën e tij ka qenë në gjendje depresive. Fusha e futbollit, përveç golave, ka parë edhe vdekjet e futbollistëve, që në jo pak raste e kanë kthyer ndeshjen në një skenë të trishtuar.
Duke iu referuar Shoqatës Spanjolle të Kardiologjisë, 74-94% e rasteve të vdekjeve të sportistëve kanë ndodhur për shkak të parregullsive kardiovaskulare, ndërkohë që mosha e atletëve të cilëve u kanë ndodhur vdekje të tilla kanë qenë sportistë nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë pasur defekte të lindura në arteriet e tyre koronare. Rasti i parë në botë i vdekjes së një lojtari daton plot 120 vjet më parë, kur më 13 janar 1889, futbollisti anglez, Ulliam Kroper, i skuadrës Stavelu, vdiq një ditë më pas problemeve që pati në zorrë gjatë ndeshjes kundër Krimbsi Toun. Që nga ajo ditë “kronika” e vdekjeve në fushë është e gjatë, duke bërë një “lexim të afisheve të vdekjeve deri në ditët tona. Më 19 shkurt 1916, futbollisti i Arsenalit, Bob Benson, vdiq gjatë një ndeshjeje kundër Ridingut.
Duke ardhur më në kohë, më 30 tetor 1977, futbollisti i famshëm italian, Renato Kuri, i Peruxhias, pësoi një goditje kardiake në ndeshjen kundër Juventusit në Serinë A. Stadiumi ku luan Peruxhia mban pikërisht emrin e tij. Rasti i fundit të vdekjes së një futbollisti në fushë i takon sulmuesit kroat 25-vjeçar, Hrvoje Kustiç, më 3 prill 2008, i cili vdiq në spital pasi kishte marrë në fushë disa goditje në kokë në ndeshjen Zadar-Sibalia. Është rasti t’i hedhim një sy se çfarë ka ngjarë në botën e futbollit.
Futbollistët që vdesin në fushë nuk janë të paktë, madje pamjet janë të tmerrshme për këdo që ka parë vdekjen në fushë të kamerunasit 28-vjeçar, Mark-Vivien Foe, i cili vdiq pas një ataku në zemër gjatë gjysmëfinales së Kupës së Konfederatave gjatë ndeshjes Kamerun-Kolumbi, të zhvilluar më 26 janar të vitit 2003, në Lion të Francës. Imazhi i fundit i mesfushorit në stadiumin “Gerland” të Olimpikut të Lionit, në minutën e 72-të të takimit, pas infarktit, ka mbetur gjatë në kujtesën e të gjithëve. Foe vdiq vetëm 45 minuta më vonë në qendrën mjekësore të stadiumit, me gjithë përpjekjet e gjithanshme të stafit mjekësor. Vdekja e Foes shkaktoi një shok të madh në botën e futbollist dhe në median sportive. Tieri Henri, golin e tij të fitores së Francës në finalen e Kupës së Konfederatave ia kushtoi kamerunasit, ndërsa Kevin Kigan, trajneri i Mançester Sitit, lajmëroi se klubi do të hiqte për një kohë të gjatë nga përdorimin fanellën me numër 23, që Foe e kishte mbajtur me klubin anglez. Në stadiumin e Mançester Sitit është ndërtuat një memorial i vogël kushtuar futbollistit, ndërkohë klubi i tij i parë Rasing Klub de Lens i dha emrin Mark Vivien Foe një prej rrugëve që të çon te stadiumi “Feliks Bolaert”.
Më 25 janar të vitit 2004 ndodhi vdekja e futbollistit të Kombëtares hungareze dhe të ekipit të Benfikës, Miklosh Feher, i cili vdiq pas një kolapsi nga një goditje kardiake në zemër, në fund të ndeshjes me Viktoria Guimaraes, të fituar nga ekipi i hungarezit 1-0. Sulmuesi i Benfikës, Feher, ishte vetëm 23 vjeç. Feher e pësoi atakun kardiak gjatë minutave shtesë dhe vetëm pak sekonda pasi ishte ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari i takimit. Edhe pse i trajtua në fushë nga personeli mjekësor dhe u transportua në spitalin më të afërt, nuk mundi të jetonte. Për fatin e keq të “Mikit” lojtarit edhe ambulanca mbërriti me vonesë, për shkak të vështirësisë për të hyrë në stadium. Në kujtim të Mikloshit, Benfika tërhoqi përgjithmonë numrin 29, të cilën Feher e mbajti gjatë karrierës së tij futbollistike me Benfikën, për t’u mos u veshur kurrë nga një lojtar i Benfikës.
Futbollisti egjiptian, Mohamed Abdelvahab, ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të Kombëtares egjiptiane kur fitoi Kupën e Afrikës në vitin 2006. Abdelvahab vdiq gjatë stërvitjes me ekipin e tij El Ahly, më 31 gusht 2006, në moshën 23-vjeçare. Doktorët egjiptianë dolën në konkluzionin se futbollisti kishte vdekur nga ataku kardiak. Doktori i klubit shtoi se vdekja e tij ishte e menjëhershme pas infarktit. Katalin Hildsan- futbollisti i Dinamos së Bukureshtit, i cili vdiq në moshën 24-vjeçare, gjatë një ndeshjeje miqësoreje midis Dinamos dhe Oltenitë, më 5 tetor të vitit 2000. Katalin pësoi një infarkt kardiak në minutën e 74-t të ndeshjes dhe ra në fushë, duke vdekur më pas. Një sektor i stadiumit të Dinamos mban emrin e tij.
Mbrojtësi i Seviljes, Antonio Puerta, në kampionatin spanjoll vdiq në spital më 25 gusht 2007, vetëm disa ditë pas infarktit të zemrës të pësuar gjatë fitores 4-1 të ekipit të tij me Getafen në ditën e parë të sezonit të Temporadës. Infarkti që Puerta pësoi është shoqëruar me dëmtim të trurit. Puerta pësoi dy goditje të zemrës një në fushë dhe një të dytë në dhomat e zhveshjes. Ndërkombëtari spanjoll 22-vjeçar jetoi vetëm disa ditë falë një frymëmarrje artificiale të furnizuar nga një aparat special në spitalin “Virgen del Roko” të Seviljes. Vdekjeve natyrore në fushë u shtohen edhe ato të sportistëve të vrarë, që kanë të bëjnë ose jo direkt me futbollin.
Futbollisti kolumbian, Elson Evelio Besera Vaca, u vra në moshën 27-vjeçare. Vaka ishte lojtar i përfaqësueses kolumbiane mori pjesë në Kupën e Amerikës 2001 dhe në Kupën e Konfederatave 2003, aktivitet që mbeti i famshëm për vdekjen e kamerunasit Mark Vivien Foe. Kolumbiani ishte lojtar i klubit të pasur të Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Xhazira. Besera u vra më 8 janar 2006, në një klub nate, me katër plumba pistolete në qytetin e tij të lindjes, Kartagjena, në departamentin e Bolivarit, së bashku me shokun e tij, Aleksandër Rios, i cili në fakt ishte edhe objektivi reali i grupit të gangsterëve. Besera vdiq disa ditë më vonë, më 10 janar, pas plagëve të shumta. Autoritetet kolumbiane ofruan në këmbim të informacioneve 5 milionë dollarë për të gjetur vrasësit të 27-vjeçarit. David Lang ishte një lojtar i njohur i futbollit amerikan, duke u bërë edhe kapiten i ekipit të Dallas Kaubojs, që fitoi Super Boul. Lang u vra afër shtëpisë së tij në Ston Mountain të Xhorxhias. Brajan Sidnej Pata, një mbrojtës amerikan i Miami Hurricanes, u vra më 7 nëntor 2006 jashtë apartamentit të tij, pasi kishte përfunduar më herët stërvitjen atë ditë. Vrasja e 22-vjeçarit u servir si një vetëvrasje nga policia.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 10 Janar 2011