E Shtunë, 31 Tetor 2026

Absolutizmi moral dhe relativizmi moral

Para se të trajtojmë se; a duhet që qeveria të ketë të njëjtat kufizime morale si individët, nën driten e këtyre dy moraleve, do të doja të shpjegoja se çka përfaqesojnë këto degëzime të moralit dhe më pas t'ja lë në dorë lexuesit për të gjykuar se kujt do t`i japë të drejtë; absolutizmit moral apo relativizmit moral? Absolutizmi moral është teoria sipas së cilës ligjet morale janë të krijuara nga Zoti ose natyra dhe janë gjithmonë të pavarura nga interesat si të individëve ashtu edhe të shoqërisë.*
Relativizmi moral është teoria sipas së cilës ligjet morale përcaktohen nga rrethana të ndryshme të individeve dhe kërkesave të shoqërisë. Pra, a duhet që qeveria të ketë të njëjtat kufizime morale si individët? Makiaveli do të thonte jo, sepse s'ka se si të ketë të njëjtat kufizime morale. Pa bërë keq nuk realizon asnjë qëllim, do të shprehej Makiaveli. Relativizmi moral i del në mbrojtje kësaj teorie dhe pranon argumentin se udhëheqësit politikë dhe shtetasit jetojnë në dy botë të ndryshme morale, si dhe argumentin tjetër që udhëheqësit politikë nuk hyjnë në asnjë botë morale. Pra, politika është amorale. Relativizmi moral mund të kuptohet edhe si një argument që e përjashton pushtetin nga të gjitha rregullat morale. Në këtë rast udhëheqësit politikë nuk do të kishin detyrime morale as ndaj shtetasve të tyre, pra, ata nuk do të jetonin sipas rregullave morale, por në një botë të vçantë pa moral. Por çfarë do të mendonte shoqeria në qoftë se në krye të vendit do të kishte zgjedhur disa individë që "s'duan që t'ja dinë për moralin”? A s'mbart një liri kaq e pakufizuar rreziqe të mëdha? Në qoftë se "pushteti sjell korrupsion”në situate të vçanta, kur ka kaos dhe çrregullime, atëherë, kjo dukuri, pra korrupsioni, do të jetë shumeë më i madh dhe më i fuqishëm në rastet kur pushteti do të çlirohej nga të gjitha kufizimet morale. Po qe se qeveria përjashtohet nga çdo lloj gjykimi moral, atëherë, a s'mund të themi se qeverinë nuk e kontrollon askush dhe se ajo s'ka kurrfarë përgjegjësie përpara qytetarëve të saj? Natyrisht se këto rreziqe nuk përjashtohen as nga absolutizmi moral, por të paktën ky i fundit i vë në dukje si mundësi dhe i minimizon ndjeshëm këto rreziqe. S'ka asnjë dyshim se absolutizmi moral nuk pranon asnjë ndryshim mes moralit të politikës dhe moralit të jetes private. Absolutizmi moral pranon vetëm një rend unik dhe të përgjithshëm moral, duke vendosur të njëjtat kufizime morale si për qeverinë ashtu edhe për shoqërinë. Si përfundim; cili moral do të ishte më i drejtë, morali i cili të lejon të përdorësh mjete nga më të ultat për të arritur një qëllim, qoftë edhe i dobishëm dhe në interes të shumicës ky qëllim, apo të përdorim mjetet me të pranueshme, më të arsyeshme dhe më pak të dëmshme për të arritur një qëllim të mirë dhe të dobishëm? Gjithashtu do të doja të vë në dukje se, regjimet komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Kinës organizuan vrasje masive për hir të bashkësisë, por asnjëherë nuk e arritën qëllimin "e miëe"që kishin. Atëherë, si do të ishte më mirë; që të cënojmë pakicën për hir të shumicës ose shumicën për hir të pakicës, apo t'i vendosim këto dy grupe në balance me njëri-tjetrin dhe t'i respektojmë në bazë të rregullave dhe ligjeve morale përkatës?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›