Abstraktiviteti i domates dhe utopisë
Venera Mustafa, këtë herë vjen me një koleksion të ri, Vjeshtë-Dimër, e inspiruar për punë nga një temë krejt e veçantë.
Domatja është inspirimi i parë i cili pastaj lidhjet me një temë tjetër Utopia. Tomatopia është një kombinim i “Tomato (Domateve)” dhe “Utopisë” një vend ku absurditeti është
pjesë përbërëse e jetës së përditshme.
Stilistja Mustafa thotë që domatja ka qenë inspirimi i rastit, për të vazhduar punën e saj në krijimin e veshjeve për të dy gjinitë, ndonëse thotë që nuk ka ndonjë lidhje tjetër koleksioni i saj me domaten. “Mund të them që domatja është një lidhje abstrakte, d.m.th nuk ka domate në veshje, por unë kam shkuar nga abstraktiviteti i domates dhe utopisë dhe i kam bërë disa veshje që unë mendoj që do të dukeshin mirë në një vend që quhet ‘Tomatopia’”, theksoi Mustafa.
“Tomatopia” është vazhdimësi e punës së Mustafës, pas suksesit me laboratorin “Sorra” dhe hapjes së dyqanit me koleksionet e saj.
Jo siç ndodh zakonisht, me paraqitja apo ekspozimi i koleksioneve të ndryshme, Mustafa ekspozon koleksionin e saj në hapësirën e Parkut Arkeologjik, pa modele në pistë, thjeshtë nëpër hapësirë. Në natën e mbrëmshme u ekspozuan rreth 65 veshje për femra dhe meshkuj, me volume, forma dhe ngjyra te ndryshme, të varura, te shtrira, të projektuara, duke përshkuar kështu Tomatopinë.
Mustafa thotë që ka punuar shumë në këtë koleksion, rreth tetë muaj, për të finalizuar punën, dhe për këtë ajo ndihet e kënaqur dhe shpreson që puna e saj do të pritet mirë.
Venera Mustafa ka përfunduar Akademinë e Arteve Figurative drejtimi Skulpturë në vitin 2003 në Prishtinë, si dhe dizajnin e modës në Paris, Specializim në Men's Wear në l'Ecole Supérieure des Arts et techniques de la Mode "ESMOD"
Ndërkohë koleksioni i saj i fundit është mbështetur nga SCP / Swiss Cultural Programme in the Western Balkans, ku në vargun e projekteve të mbështetura nga SCP, këtë të shtunë më 5 nëntor në sallën e teatrit Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë në orën 20:00, do të jetë solo koncerti i parë i këngëtarit Shpat Deda në qytetin e Mitrovicës.
Koncerti mbahet në kuadër të evenimenteve të cilat e shënojnë përmbylljen e fondacionit kulturor “Programi kulturor Zviceran në Kosovë”, fondacion ky i cili e ka përkrahur realizimin e albumit të këngëtarit në fjalë të titulluar "Molla e Parë" krahas përkrahjes së dhënë skenës kulturore kosovare në përgjithësi.
Bendi i cili do të performojë në këtë koncert bashkë me Shpat Dedën përbëhet prej artistëve të shquar në fushat e tyre, gjegjësisht Armend Xhaferi (kitarë elektrike), Nesim Maxhuni (tupana), Visar Kuçi (bas kitarë) dhe Jeton Dolaku (klaviaturë).