Absurdi i një shoqërie
Romani “Në kohën e britmës” është një tronditje për shoqërinë, tronditje madhore e lartësuar në art. Kjo tronditje, për peshën që ka në vetëdijen shoqërore, ka nevojë për art të madh, sepse të tilla ishin edhe përmasat e saj. Këtë mision ky roman e përmbush me një nivel artistik të denjë, përkrah veprave më të mira të këtij lloji. Nëpërmjet asociacionit - të zhdukur/të gjallë - ndjen që futesh brenda kësaj bote të madhe shpirtërore që zien. Makthi që të përfshin përgjatë leximit është mjaft i gjallë, mjaft real, aq sa të duket sikur je duke ndjekur para syve një film me personazhe shpirtra në një ekran kinemaje. Përgjatë leximit të intrigon mënyra sesi vendoset si bosht qenia njeri. Kjo qenie humbi shumë nga vetja me të zhdukurit, të harruarit, të përndjekurit e diktaturës. Shoqëria po nuk i bëri të vetët këta të zhdukur (sepse vazhdon t’i zhbëjë me trajtimin e saj) nuk arrin të marrë drejtpeshimin e duhur. Si na jepet kjo tentativë e shkrimtarit? Krijohet te lexuesi që në faqet e para një situatë shpirtërore e tillë që duket sikur të zhvendosë në një botë ku të vdekurit e zhdukur padrejtësisht fillojnë të bëjnë gjyqin suprem të të mbeturve mbi tokë. Këtu dallon që je në botën meditative, stilin e monologëve të personazheve të Zhitit, gjë e veçantë e stilit të tij, ku subkoshienca me sinjalet e saj trondit vetëdijen njerëzore.
Kur e lexon “Në kohën e britmës”, në shumë momente të duket sikur je brenda hotelit – ferr, së bashku me protagonistin, vëllanë e Petritit, sikur ai po thotë ato pohime që unë si lexues i kam në mendje dhe ai po bëhet zëdhënësi im. Në këtë aspekt ka një vlerë të veçantë stili i autorit, i cili nuk bën thjeshtë histori, renditje akuzash, por fillon me analizën e fenomenit, kërkon të gjejë shkaqet e deformimit të personalitetit të njeriut dhe në fund na i dorëzon për gjykim. (Këtu ndryshon shumë nga romane të tjerë, ku tentohet dënimi i diktaturës). Kemi parë shumë botime artistike me këtë temë, por shumë pak janë lexuar deri në fund dhe nuk kanë mundur të mbeten si vlera të mirëfillta artistike. Zhiti, me mjeshtëri artistike larg hermetizmit, e penetron lexuesin në anën tjetër të perdes shoqërore, atje ku flasin shpirtrat e atyre që u shfarosën për shkak se kërkonin ruajtjen e vlerave të njeriut. Flasin shpirtrat e të zhdukurve të ndërgjegjes dhe lexuesi mëson se ata paskan mbartur vlerat qytetare që i kërkojmë dhe i kemi me pikatore në kohën e sotme. Nuk paskan qenë ashtu si na janë dukur nga sa është thënë zyrtarisht për ata. Në faqet e librit na sillen të tillë si qenie të gjalla që na kujtojnë se jo vetëm ishin të denjë si qytetarë, por edhe se shoqëria sot duhet të mbushë mungesën e tyre, përndryshe detyrohet të qëndrojë shtrembër në thelbin e saj njerëzor.
Gjykim dhe maturi kërkon autori në mënyrë që pësimi makabër të mos ripërsëritet dhe kjo vjen nëpërmjet një tensioni artistik, ku maksimat e vendosura bukur japin një gjendje shpirtërore meditative të një bote mendimi sipëror. Kjo e mban të zhytur lexuesin, nuk e lodh, përkundrazi e tërheq për më tej në mënyrë të natyrshme, për një lexim që e shijon artistikisht, por e shijon edhe si koncept filozofik me mesazhet njerëzore që përcjell. Si të thuash, tensioni artistik nuk dobësohet dhe ka momente kulmore si ai kur thuhet që: një komb e bën boja e shkrimit, jo vetëm gjaku. Apo kur ndihesh i futur nëpërmjet një gjuhe artistike të zhdërvjellët në analizën psiko-sociale të raporteve të prishura të shoqërisë me fenë, me fenë për të cilën të zhdukurit e kishin si një nga vlerat e tyre të mëdha të shpirtit. Jo vetëm të zhdukurit, por edhe të harruarit e arratisur si në rastin ku dialogu me piktorin Kodra merr vlerën e një thirrjeje klithmë për intelektin shqiptar, për vlerat që edhe kur arritëm t’i njohim, me vetëdije i neglizhuam, i injoruam. Po aq e bukur artistikisht, por edhe njerëzisht është momenti kur thirrja e intelektualit i drejtohet njeriut – qëndroji besnik vetes me virtyte te liria dhe lirinë në virtyte.
Zhiti luan bukur me kohën. E djeshmja e ka mbërthyer të sotmen dhe e sotmja e vuan të djeshmen në moralin e saj. Koncepti kohë ka ndërtuar raporte interesante, të cilat bëhen konkrete në listat e të humburve, (por edhe me të humburit pa lista e pa varre), lista që i rrinë shoqërisë si peng i padrejtësisë morale. Autori me një stil rrëfimtar që rrjedh lirshëm, e sjell lexuesin në momentin estetik, kur e bën të mendojë se jemi debitorë me të ardhme, ngaqë duhet të paguajmë borxhet morale të së shkuarës. Pa u vendosur kjo balancë, shpirtrat e të zhdukurve ziejnë si një magmë në thellësinë e harresës, ku i shpunë.
Nuk ka monolog dramatik të personazhit, por monolog të brendshëm të kompozuar e zbrazur mjaft bukur artistikisht, nëpërmjet të cilit jepet një analizë penetruese në stanjacionin moral. Shoqëria e burgosur, shoqëria peng ndihet në çdo faqe të romanit, edhe pse personazhi flet nga qielli, apo përcjell mesazhe nga thellësia e të zhdukurve nëntokë. Absurdi si tipar i një shoqërie që vetëshkatërrohet është mjaft i pranishëm. Jo vetëm për atë që ndodhi dhe mënyrën sesi ndodhi, por më shumë akoma për atë konfuzion që ka përfshirë shoqërinë, tek e cila absurdi vazhdon e thellohet. Prej qëndrimit që mbahet nga autori ndaj këtij absurdi shoqëror nëpërmjet një forme të veçantë artistike vjen edhe rrugëdalja ripërtëritëse nga ky lëngim i gjatë historik moral e shpirtëror. Nuk mungojnë notat e një realizmi magjik, që tingëllon më shumë si një autopsi e konstruktit të mentalitetit të kohës që jetojmë.
Të ngulitet në mendje shprehja në rreshtat e parë të librit- po merakun me se ta mbuloj – dhe kjo është si një kordon ndërlidhës midis gjithë kapitujve të librit. Shoqëria e ka një merak, merak që nuk e mbulon dot, merakun e të zhdukurve, të të harruarve, merak që nëpërmjet këtij romani vjen në një formë e stil artistik të llojit të letërsisë që nderon autorin dhe vendin që e ka. Të gjallëve sot, u flasin në roman shpirtrat e pavdekur të të vdekurve. Britma e rilindjes që ata kërkonin e që u mbyt shpejt si mbytja e fëmijës së sapolindur pas qarjes së pare, na vjen te ky roman me jehonën e saj më të bukur në stil dhe formë shprehjeje. Autori në fillim zgjedh një introduktë për të bërë të ditur se çfarë merr përsipër të sjellë para lexuesit me artin e tij dhe në fund merr frymë i lehtësuar. Me këtë sikur konfirmon edhe një herë thënien e njohur se: Arti shërben për të shqetësuar shoqërinë, kurse shkenca për ta siguruar atë. Shkrimtari nuk e fsheh, e deklaron shqetësimin që i trazon shpirtin nëpërmjet situatave spontane të trajtuara mjeshtërisht. Nuk është e lehtë të shkruash për këtë temë, sepse shumica që provuan kanë rënë në përsëritje të rëndomta të një arti deklamativ denoncues dhe janë harruar.
Për këto cilësi që dallojnë në roman mund të gjenden nyje krahasuese, përkitje të brendshme të holla me emra të njohur shkrimtarësh të mëdhenj. Le t'i japim kohës të drejtën, që të na e pohojë se bota e trazuar, e paqetë e shpirtit shqiptar me këtë vepër artistike është pasuruar cilësisht. Mjaft të them se ky roman ka autor Visar Zhitin, një autor me një stil dhe gjuhë shprehëse artistike të veçantë, i vetëmjaftueshëm si referencë e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Minella Aleksi
Janar 2010,
Illinois, SHBA