E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, policisë: E papranueshme situata me aksidentet

Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje Policisë së Shtetit masa të menjëhershme kundër aksidenteve rrugore. Numri i lartë i aksidenteve është i papranueshëm, sipas Kryeministrit, dhe policia duhet të marrë masa të ulë menjëherë numrin e tyre.
Ndërkohë, ai ka vërejtur edhe probleme të tjera, si qëndrimi i inspektorit të policisë ndaj shkelësit të ligjit, hezitimi në mbështetjen e përmbaruesit në bazë të vendimit të gjykatës, për të cilat ka kërkuar më shumë përkushtim. Deklarata e kreut të qeverisë u bë gjatë analizës vjetore të Policisë së Shtetit.
Aksidentet
“Nuk mund të pranohet kjo situatë në trafikun rrugor. Për të gjitha aksidentet me shpejtësi të madhe, një përqindje e lartë e përgjegjësisë është e Policisë së Shtetit, e skuadrave të saj të monitorimit të rrugëve. Shkaku numër një është qëndrimi i papërshtatshëm i policisë ndaj ligjit. Ato janë jetë njerëzish”, - tha Berisha. Për Kryeministrin 65 aksidente më shumë se vitin e kaluar janë të papranueshme. “Unë kërkoj nga ju një shqyrtim shumë serioz, një plan masash, sepse historia provon se numri i aksidenteve mund të ulet dhe se ka një seri ndërhyrjesh me një impakt direkt pozitiv në uljen e aksidente rrugore. Ky është një qëndrim indiferent ndaj ligjit i Policisë Rrugore”, - vazhdoi ai. “Siç është arritur të ulet progresivisht numri i vrasjeve, ne kërkojmë një kthesë rrënjësore në uljen e numrit të aksidenteve në këtë vend. Nuk mund të pranoj unë situatën e krijuar në verë, kur aksidentet kalonin si top futbolli nga një komisariat në tjetrin, me pretekstin se e ka ky apo ai komisariat. Situata të tilla nuk mund të përsëriten më. Drejtoria e Policisë së Durrësit mban të gjitha përgjegjësitë për një numër katastrofal aksidentesh që ndodhën në verë, në një autostradë 30 km gjithsej”, -shtoi Berisha. Numri një i ekzekutivit shqiptar i kërkoi Policisë së Shtetit një qëndrim tërësisht tjetër, për të shmangur në të ardhmen këto bilance lufte dhe këtë problem shqetësues.
Luftë indiferencës
Kryeministri i vendit përmendi edhe disa probleme të tjera shqetësuese, ku Policia e Shtetit duhet të përqendrohet për t’i eliminuar në të ardhmen. “Qëndrimi i inspektorit të policisë ndaj shkelësit të ligjit, cilido qoftë ai, zyrtar apo jo i tillë, duhet të marrë faturën imediate nga ju për shkeljen e ligjit”, - tha ai duke shtuar: “Qeveria përpiqet dhe do të përpiqet që të bëjë ligje shumë të mira që t’ju ndihmojë ju, por asgjë nuk mund të zëvendësojë qëndrimin tuaj ndaj shkelësit të ligjit kudo që ndodhet”.
Numri një i qeverisë shqiptare ka kritikuar indiferencën e Policisë së Shtetit për disa veprimtari të nxjerra jashtë ligjit, por që zhvillohen rregullisht në rrugët e qyteteve tona. “Qeveria ka ndaluar me ligj kambizmin në rrugë, por arkivat tuaja kanë disa vrasje kambistësh dhe në këtë rast kur një kambist vritet, përgjegjësia është e policisë. Nuk mund të ketë indiferencë. Askush më shumë se qytetarët nuk e paguajnë indiferencën e policisë ndaj zbatimit të ligjit, ndaj shkelësit të ligjit”, - tha Berisha, duke vënë theksin se policia duhej të ndërhynte në këto raste. “Nuk ju mungon përkushtimi dhe as guximi, por, zoti drejtor i Përgjithshëm, është e domosdoshme që në radhët e policisë të luftohet ky qëndrim”, - vazhdoi ai. Një shembull tjetër ishte edhe mosmarrja e masave për zhurmën akustike në zonat turistike. “Verën që shkoi, unë ju garantoj ju se shumë turistë janë larguar nga marrëzia e zhurmës së tmerrshme akustike, që nuk ndodh askund në botë përveçse në Shqipëri, në një vend ku ka ligje për këtë. Qytetarë të ardhur nga vende të ndryshme për të pushuar në Shqipëri largoheshin, sepse nuk mund të qëndrohej”, - u shpreh Berisha. Ndërkohë që Kryeministri theksoi se nuk ishin të pakta rastet kur ai informohej se policia hezitonte të mbështeste përmbaruesin në ekzekutimin e vendimit të gjykatës. “Kjo është e papranueshme për ne. Gjykatësi i ka dhënë vendimin përmbaruesit. Duhet të dini një gjë, që si agjenci e zbatimit të ligjit, çdo mosfunksionim në përputhje me ligjin i veprimtarisë suaj dëmton në thelb shtetin ligjor në Shqipëri”, - përfundoi numri një i qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›