Banorët: Erioni dhe Pamela po miqësohen shumë
Vetëm dy ditë nga hyrja në shtëpi, banorët diskutojnë mbi afritë e para që kanë nisur mes tyre. Ditët e tyre janë mbushur me diskutime rreth temave të ndryshme, një mënyrë kjo për të njohur më shumë njëri-tjetrin
Gjatë mbrëmjes së të dielës dhe gjatë ditës së djeshme banorët e “Big Brother 3” kanë diskutuar për një sërë temash. Ende nuk ndihen të shkëputur tërësisht nga jeta e tyre para se të bëheshin pjesë e spektaklit të madh dhe duke marrë shkas flasin për eksperiencat e mëparshme. Ndonëse kanë vetëm dy ditë brenda shtëpisë, duket se kanë lindur edhe miqësitë e para. Banorët shprehen se Pamela dhe Erioni kanë filluar të miqësohen shumë me njëri-tjetrin. Meqenëse Erioni sot ka ditëlindjen, banorët kanë menduar t’i bëjnë ndonjë surprizë në formën e shakasë.
Aleancë për shaka
Gjatë gjithë pasdites, Erioni dhe Jetmiri përpiqen që me bisedat e tyre të sjellin pak humor në shtëpi. Në qendër të këtyre bisedave dhe ngacmimeve është Pamela. Ajo nuk ndihet fare e bezdisur nga këto ngacmime, por në darkë (pak para mesnatës), kur banorët janë mbledhur të gjithë në dhomën e gjumit, ajo e diskuton sërish këtë çështje me Erionin pas një batute të këtij të fundit. Pamela i thotë se ndonjëherë i pëlqen të rrijë e heshtur. I sugjeron Erionit se nëse edhe ai nuk ka çfarë të thotë, duhet të bëjë të njëjtën gjë. Biseda zhvillohet në sensin e shakasë. Jetmiri, si për t’i dhënë një spunto të mëtejshme bisedës, i thotë Erionit se fjalët e Pamelës ishin tepër të rënda, por ndihet mirë që të paktën emri i tij nuk u përmend nga ajo. Ai siguron Pamelën se batutat e tyre janë veçse për shaka e aspak nuk ka krijuar një aleancë me Erionin për t’iu kundërvënë asaj. Jetmiri e përkufizon situatën e krijuar mes Erionit dhe Pamelës si “të zemëruar” dhe kërkon që ata të pajtohen. Erioni, për të vazhduar ende shakanë e nisur, shprehet se nuk do të pajtohet nëse ajo nuk i kërkon të falur duke e puthur në faqe. Ai i afrohet, por Pamela ia kthen se ai duhet ta bindë fillimisht se ka bërë faj e kështu ta meritojë të puthurën. Të gjithë banorët qeshin me situatën e krijuar e vazhdojnë të ngacmojnë njëri-tjetrin.
Bisedat e mbrëmjes
Edhe pse banorët janë shtrirë në krevatet e tyre për të fjetur, bisedat me njëri-tjetrin vazhdojnë duke mos e kuptuar që koha kalon. Shpesh ata interesohen për të ditur orën dhe hamendësojnë se sa mund të shënojë ajo. Disa nga banorët kujtojnë se në mbrëmje është zhvilluar ndeshja e futbollit mes Interit dhe Milanit dhe kështu fillojnë të diskutojnë rreth kësaj teme. Ata flasin për skuadrat e preferuara dhe rezultatet e ndeshjeve kryesore. Bisedat zhvendosen në kuzhinë, pasi të gjithë shkojnë aty që të gatuajnë diçka për të ngrënë. Ata vazhdojnë të interesohen për jetën që gjithsecili ka bërë jashtë shtëpisë së “Big Brother” dhe punët që kanë lënë pezull. Gjimi tregon se edhe ai ka punuar për pak kohë si fotomodel, ndërsa Erioni i thotë Pamelës se ai diku tjetër e ka njohur atë. Banorët diskutojnë lidhur me këtë profesion. Pas ngrënies, banorët shkojnë për të fjetur.
Në këmbë për himnin
Ndërsa Valentina dhe Eduardi sapo janë zgjuar prej gjumit dje, Vëllai i Madh ka zgjedhur “Himnin e Flamurit” si mënyrë për të ngritur në këmbë të gjithë banorët e tjerë. Eduardi është i pari që ngrihet direkt në këmbë për të respektuar himnin tonë kombëtar, duke e shoqëruar edhe me tekstin. Muzika popullore është ajo që i shoqëron më pas banorët, të cilët duken të kënaqur nga ky fakt. Ata fillojnë të këndojnë e kërcejnë e duken tepër energjikë këtë mëngjes. Domenika ecën mbi krevate dhe u thërret të zgjohen edhe atyre më gjumashëve. Bëjnë tualetin e mëngjesit. Jetmiri bën shaka dhe thotë se në banjë ka radhë të gjatë dhe se për këtë ka vënë një shishe, ndërsa Eduardi fillon të protestojë për këtë gjë. Disa banorë ankohen se kanë pasur ftohtë natën.
Më shumë gjumë!
Erioni tregon se u zgjua i pari mëngjesin e së hënës, por, pasi pa se të tjerët ishin ende në gjumë, vendosi që të mos ngrihej për të mos i zgjuar edhe ata. Disa nga banorët shprehen se nuk kanë fjetur mjaftueshëm dhe se janë zgjuar herët. Jetmiri përpiqet të gjejë shkakun dhe Valentina u tregon se sapo u ngrit u ndezën dritat, u vu muzika dhe si pasojë u zgjuan edhe të tjerët. Banorët bien në konsensus që të qëndrojnë shtrirë e të mos ngrihen menjëherë mëngjeset e tjera që kështu të mos detyrohen të ngrihen të gjithë përnjëherë. Valentina premton se do të jetë më e kujdesshme në ditët në vijim.
Herët për debate
Valentina i fton banorët në kuzhinë që të përgatisin dhe të hanë mëngjesin, në mënyrë që vajzat të kenë më pas mundësinë të pastrojnë. Valentina gjen rastin dhe u kërkon banorëve të tjerë që produktet ushqimore të konsumohen nga të gjithë njësoj dhe si shembull merr verën. Ajo u kujton atyre se një natë më parë ishte duke fjetur, ndërkohë që të tjerët shijonin gotat me verë, ndërsa kur ajo gatuan, gatuan për të gjithë. Jetmiri, të cilit ajo iu drejtua, justifikohet se ata i pyetën të gjithë nëse dëshironin verë, përveç Valentinës që po flinte. Këtë ngjarje Jetmiri ia tregon edhe Erionit kur të dy ndodhen vetëm në tualet. Ai e komenton këtë si një mënyrë e Valentinës për të bërë debat me të, por që sipas tij ende nuk ka ardhur ai moment. Edhe Erioni mbështet idenë se është akoma herët për të bërë debate të forta me njëri-tjetrin.
Të flasësh e të dëgjosh
Hakiu diskuton me Seldin dhe Jetmirin për punën e tij në radio si prezantues emisionesh. Seldi habitet që një prezantues, i cili duhet të jetë orator, nuk ka folur shumë në shtëpi. Hakiu tregon se i pëlqen të flasë e të dëgjojë, por preferon të dëgjojë kur të gjithë janë duke folur. Seldi e pranon këtë mendim dhe shton se dhe atij nuk i pëlqejnë njerëzit që flasin shumë për tema që nuk i dinë duke bërë kot rolin e filozofit. Kjo bisedë bëhet shkak që djemtë të diskutojnë mbi programet dhe emisionet në të cilat flasin opinionistë të ndryshëm dhe problemeve që shkaktojnë këto programe si për shembull të përdorurit e fjalëve më shumë në gjuhë të huaj sesa shqip.
Banorët thurin plane për ditëlindjen e Erionit
Meqenëse Erioni ka ditëlindjen sot, banorët janë preokupuar për t’i organizuar diçka. Djemtë janë të mendimit që në fillim të mos ia përmendin fare dhe të bëjnë sikur e kanë harruar. Jetmiri hedh idenë që ta nevrikosin, ta bëjnë të ndihet në siklet e më pas kur ai të jetë vërtet i inatosur t’i zbulojnë surprizën e ta urojnë për ditëlindjen. Por banorët nuk kënaqen me kaq. Ata u kërkojnë ndihmë vajzave. Ideja e djemve është që ndonjëra prej tyre t’i afrohet Erionit dhe kur të vijnë banorët e tjerë ajo të bëjë sikur Erioni e ka ngacmuar. Djemtë i kërkojnë Bertinës ta luajë këtë rol, por ajo heziton. Djemtë tregohen këmbëngulës dhe Bertina lëkundet nga përgjigjja e saj e parë.
Eksperiencat e jashtë Shqipërisë
Banorët janë mbledhur në oborr dhe ndërsa shijojnë rrezet e diellit tregojnë për eksperiencat e tyre jashtë Shqipërisë. Gjimi tregon si është njohur me bashkëshorten e tij. Në fillim nuk i kishte treguar që ishte shqiptar, pasi sipas tij ndiheshin të diskriminuar. Ndërsa Domenika thotë që nuk e ka mohuar asnjëherë që është shqiptare. Seldi tregon se është njohur me një ruse në kohën kur ka qenë diku jashtë dhe nuk kanë komunikuar me asnjë fjalë, pasi ajo nuk dinte anglisht dhe janë marrë vesh vetëm me anë të shenjave. Ndërsa Jetmiri tregon për komunitetin shqiptar në Egjipt. Në këtë formë banorët po shkëmbejnë informacion me njëri-tjetrin.
Flasin për Pamelën dhe Erionin
Një pjesë e banorëve janë mbledhur në oborr dhe gjatë bisedës Olta thotë që Pamela dhe Erioni po miqësohen. Këta dy të fundit më parë po bisedonin me njëri-tjetrin dhe të dy ishin dakord se kishin shumë të përbashkëta. Biseda zhvillohej ndërkohë që Pamela lante enët dhe Erioni kërkon t’i lajë ai. Erioni i thotë Pamelës që do ta bëjë që ajo ta heqë fiksimin për t’u parë çdo moment në pasqyrë. Këto gjëra i ka vënë re Olta dhe disa banorë të tjerë dhe komentojnë mbi këto fakte. Olta thotë që Pamela do të bëhet xheloze me lojën që ata do t’i bëjnë Erionit.
Banorët në “studio”
Seldi ka improvizuar një emision brenda shtëpisë dhe Eduardi është moderatori. Tema është “Dhuna dhe problemet me abuzimin e alkoolit”. Djemtë akuzojnë Pamelën për ushtrim dhune ndaj Seldit dhe ajo nuk e pranon. Pamela mbrohet duke thënë se është tip paqësor, ndërkohë që Eduardi thotë që Pamela ka rënë viktimë e pijes. Nga ana e tij, Erioni thotë se e ka të vështirë të tregojë e të flasë për tema të tilla. Sigurisht që të gjitha këto kanë qenë trillime nga ana e tyre dhe kanë shprehur aftësinë për të aktruar.
#