Beqiri priti aktorët e “Gjenerali…”

Ministri i Kulturës, z. Valton Beqiri, priti ekipin artistik të shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Teatrit Shqiptar të Shkupit në përbërje të drejtorit dhe aktorit Adem Karaga, aktores Mysherefe Llozana, aktorit Bajrush Mjaku, aktorit Xhevdet Jashari, aktores Armenis Nokshiqi-Jovanovska dhe drejtoreshës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha.
Ai i falënderoi aktorët për paraqitjen e tyre në Prishtinë dhe për karakterin humanitar të kësaj paraqitjeje, përmes të cilës Teatri Kombëtar i Kosovës do të ndihmojë banorët e zonave të përmbytura në veri të Shqipërisë.
Ai, gjithashtu, vlerësoi se bashkëpunimi artistik ndërmjet Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit duhet të thellohet dhe të zgjerohet jo vetëm përmes paraqitjes së shfaqjeve mysafire, por edhe përmes bashkëpunimit me produksione artistike teatrore të përbashkëta.
Ndërkaq, aktorët e falënderuan Ministrin Beqiri për pritjen, duke theksuar se paraqitja e tyre para publikut të Prishtinës është një nder i veçantë. Kontaktet e kësaj natyre, thanë ata, duhet të vazhdojnë me paraqitje dhe turne artistike të ndërsjella në të gjitha teatrot e botës shqiptare.