E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjyrat e Holokaustit

Në kalendarin e ditëve përkujtimore 27 janari është dita përkujtimore e viktimave të Holokaustit dhe çdo gjenocidi tjetër. Në këtë ditë përkujtohen viktimat, nderohen të mbijetuarit, trajtohen paragjykimi, diskriminimi dhe racizmi në ditët e sotme me qëllim që të nxiten popujt ta mposhtin gjenocidin dhe barbarizmin dhe që çdo individ ta luftojë urrejtjen. 27 janari është përvjetori i çlirimit nga vrasjet naziste në kampin e Auschwitz-Birkenau.

Për të shënuar këtë ditë, Qeveria e Kosovës, respektivisht Zyra për Çështje Jorezidente në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka organizuar shfaqjen e filmit “Ngjyrat e Holokaustit” në regji të Rax Rinnekangas nga Finlanda.

Filmi do të shfaqet të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në ora 19:00 dhe paraqet premierën botërore pasi që në të njëjtën ditë do të shfaqet edhe në vende tjera të botës. Me shfaqjen e këtij filmi Zyra për Çështje Jorezidente merr pjesë në ngjarjen botërore "Zinxhiri i Paqes", pasi që filmi do të shfaqet në të njëjtën datë në gjithë botën.
Filmi do të shfaqet në gjuhën finlandeze me nëntituj në gjuhën angleze.

Qëllimi i shfaqjes së këtij filmi, sipas organizatorëve, është të përkujtohen krimet e tmerrshme të periudhës së Holokaustit dhe gjenocidi i kohës së fundit të mos harrohet dhe të mos përsëritet askund ne Evropë apo botë.

“Ngjyrat e Holokaustit”, i cili zgjat rreth gjashtëdhjetë minuta, është film i ritmit të
ngadalshëm i cili shqyrton arsyet shumë pak të njohura të armiqësisë më të gjatë të quajtur antisemitizëm, lindjen e arianizmit në Evropë në shekullin XIX, kalimin e tij në nazizëm në pjesën e parë të shekullit XX si dhe ndikimin e këtij sundimi dhe pasojat e tij në sferën shpirtërore pas Luftës së Dytë Botërore. Fotografi finlandez Rax Rinnekangas hap faqen e internetit në studion e tij në një lagje të klasës punëtore të qytetit të Helsinkit dhe fillon të mendojë se ku ishte shkaku i gjenocidit të kryer mbi hebrenjtë. Filmi paraqet një udhëtim në histori, i parë nga sytë dhe mendja e fotografit finlandez.

Filmi nuk shfaq realitetin në ngjyrat bardh dhe zi, sikurse kemi parë në filmat e arkivuar, por paraqet pikërisht botën me ngjyra në të cilën jetojmë sot.

“Për ta ruajtur paqen dhe sigurinë për gjeneratat e ardhshme njeriu duhet ta kujtojë të kaluarën dhe se vetëm kujtimi i së kaluarës do të mund ta mbronte”, është shprehur në një rast autori Rax Rinnekangas.

Filmi është financuar nga Fondacioni Melva Venezky Bucksbaum, Raymond J. Learsy; Robert I. Goldman nga New York, ndërsa produksioni është bërë nga Halla Filmi Oy Finland, 2009.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›