E Diel, 1 Nëntor 2026

Absurdi shqiptar, fiton gjyqin por jo drejtësinë

Tiranë- Të marrësh një vendimi të formës së prerë në Gjykatën e Tiranës, paradoksalisht nuk do të thotë që i ke shkuar në fund drejtësisë. Madje ekzekutimi i vendit është një odise po kaq torturuese sa edhe vetë procesi gjyqësor. Shumë qytetarë që kërkojnë dëmshpërblim për dëmet që u bëhen, edhe në rastet kur Gjykata pranon kërkesë padinë e tyre, ato sërish nuk dëmshpërblehen.

Kjo do të thotë që vendimi i formës së prerë, nuk është aq i prerë sa duhet për entet që dalin palë humbëse në proçes dhe detyrohen të paguajnë dëmshpërblimin.

Vëzhgimi i gazetës sonë na çoi tek një numër i madh i vendimeve Lëshim urdhri Ekzekutimi. Për lexuesit që nuk janë familjar me termat juridik urdhri i ekzekutimit ja çfarë është: Urdhëri i Ekzekutimit është një urdhër që gjykata i jep Zyrës Përmbarimore për zbatimin e vendimit të formës së prerë, në rastet kur palët nuk e zbatojnë vendimin vullnetarisht”.

Numri i madh i këtyre vendimeve na çoi tek një e vërtetë e hidhur, me të cilën përballen qytetarët shqiptar, ineficenca e Zyrës së Përmbarimit për të ndjekur zbatimin e vendimit të Gjykatave. Në këto kushte qytetarët detyrohen t’i drejtohen sërish gjykatës, për një vendim që do të mundësojë zbatimin e vendimit të parë dhe do të mundësojë dëmshpërblimin e tyre. E thënë më thjesht, të fitosh gjyqin nuk do të thotë të kesh fituar dëmshpërblimin.

Rasti që IDEA bën sot publik flet për një qytetar, i  cili ka mundur të marrë dëshpërblimin që i takonte me ligj vetëm 2 vjet pasi Gjykata e Apelit pranoi me një vendim të formës së prerë, kërkesë padinë e tij për dëmshpërblim. Ja cila është saga gjyqësore e qytetarit Artjol Saliasi:

Me 26.03.2009, pas disa vitesh procesi të stërgjatur gjyqësor, Artjol Saliasi fiton gjyqin ku ai kishte paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për heqje të menjëhershme dhe të padrejtë nga puna. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, pasi shqyrtoi provat vendosi të pranonte pjesërisht kërkesën e tij duke detyruar Drejtorinë e Përgjthshme të Doganave ta dëmshpërblejë paditësin Artjol Saliasi me pagën e një viti pune, me rrogë mujore 36.170 lekë, për zgjidhje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës.

Gjithashtu Gjykata vendosi që paditësi duhet të dëmshpërblehej për vjetërsinë në punë në masën e tre pagave mujore. Kunder këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit civil Nr. 2382, dt. 26.03.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sipas juridiksionit shqiptar, në momentin që vendimi i Gjykatës së Apelit nuk ankimohet brenda 15 ditëve ai merr formë të prepë. Që nga ky moment Drejtoria e Përgjithshme e Doganave duhet të kishte dëmshpërblyer Artjol Saliasin. Por kjo nuk ka ndodhur. Pas plot 2 vjet pritjeje dhe kërkesash të shqyrtuara, Artjoli depoziton në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për lëshim urdhri ekzekutimi. Dhe ky urdhër është lëshuar në 23 janar 2012, pra 2 vjet pas vendimit të gjykatës.

Urdhri i Ekzekutimit është një procedurë ligjore që ekziston në shumicën e legjislacioneve europiane, por nga dendësia në të cilën haset ka gjasa që Shqipëria të thyejë sërish rekord. Dhe derisa rekorde të tilla gjyqësore të ekzistojnë, qytetarët shqiptar nuk duhet të mjaftohen vetëm me pritjen shpesh herë të shumë vonuar të vendimit të gjykatës, por duhet të presin edhen për nje vendim të dytë, që të vërë në jetë të parin.

Në Shqipëri shënohen raste unikale kur vendimi i gjykatës nuk respektohet së pari nga vetë shteti dhe institucionet qeveritare.

Matilda Alku/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Kompanitë e Sigurimeve- Beteja për drejtësi dhe me drejtësinë vazhdon… Tiranë- Gjykata e Tiranës shqyrton çdo ditë dhjetra padi shkaktim...
  2. Meta: Prifti u përdor nga Rama, por fitova 5:0 Tiranë- Prifti është një viktimë, është i përdorur në këtë...
  3. Hakersat mesazh qeverisë greke: Vratë drejtësinë, por shpejt do e marrim ne kontrollin Greqi- Demokracia ka lindur këtu dhe ju po e vrisni...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›