E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzime me tre fondet me miliona, dyshime për ish-ministrin

04/02/2009  Përveç Kosta Barkës Prokuroria heton edhe kryebashkiakun Zotka

TIRANE- Prokuroria e rrethit të Beratit ka ngritur dyshime se ish-ministri i Punës Kosta Barka, kryetari i bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotka si dhe ish-drejtoresha e qendrës së fëmijëve të ngujuar Liljana Luani, kanë abuzuar me rreth 200 milionë lekë, të cilat ishin akorduar nga Banka Botërore dhe buxheti i shtetit. Mësohet se konkretisht drejtuesit e Bankës Botërore kishin akorduar 100 mijë euro, ndërsa Qeveria shqiptare kishte lëvruar dy herë fonde, një herë 3.2 milionë lekë dhe herën tjetër 2.2 milionë lekë. Burime pranë kësaj prokurorie thanë se ish-ministri Barka ka firmosur disa shkresa ku përcaktohet se shuma financiare e sipërcituar duhet të shkonte për t’i ardhur në ndihmë 25 fëmijëve të ngujuar në qendrën e Poliçanit. Mirëpo nga hetimi i ekspertëve të Prokurorisë së Beratit, rezulton se këto shkresa kanë qenë konformë rregullave, por shuma prej 200 milionë lekësh nuk dihet se ku ka shkuar, pasi rikonstruksioni i qendrës së ngujimit, dhe rritja e nivelit të jetesës në qendër, nuk është ndjerë fare. Prokurorët ngrenë dyshime se vlera financiare që ishte destinuar për fëmijët e ngujuar, është marrë nga vetë ministri i asaj kohe Kosta Barka, kryetari i Bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotka, drejtoresha Liljana Luani, si dhe nga disa persona të tjerë që janë anëtarë të një shoqate bamirësie. Sipas burimeve, ka qenë pikërisht kjo shoqatë që në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka kryer kallëzimin penal në Prokurori. Nga verifikimet dhe hetimet intensive ka rezultuar se persona të kësaj shoqate janë të implikuar në aferën korruptive. Ndërkohë që për sa i përket zërave se kryebashkiakut të Poliçanit Adriatik Zotkës i është pushuar akuza, Prokuroria e Beratit përjashtoi një veprim të tillë. Burimet thanë se shkresë të vulosur nga titullari i akuzës Berat, për pushimin e hetimeve ndaj kryebashkiakut nuk është lëshuar asnjëherë, por përkundrazi procesi hetimor ndaj këtij shtetasi është duke vazhduar me ritme të shpejta. Lidhur me skandal aktualisht Prokuroria e Beratit është në përfundim të hetimeve dhe specialistët po punojnë për përcaktimin e personave që do të çojnë në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›