E Diel, 1 Nëntor 2026

Shaban Memia: Vazhdon procesi i legalizimit

04/02/2009  Kreu i ALUIZNI-t reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Agjencia e Legalizimeve do të vijojë punën për legalizimin e dosjeve që janë shqyrtuar dhe miratuar nga Qeveria. Krerët e këtij institucioni janë njohur dje me vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë një pjesë të kërkesave të bëra nga Partia Socialiste në lidhje me marrjen e kompetencave të pushtetit vendor. Kreu i ALUIZNI-t Shaban Memia në një prononcim për gazetën “Metropol” theksoi se vendimi po shqyrtohet nga ekspertët, por e rëndësishme është se ky proces nuk është ndërprerë në asnjë moment. Madje do të vijojë hipotekimi i atyre banesave, për të cilat qytetarët kanë paguar faturat financiare.

Reagimi

Sipas zotit Memia, ky është vetëm një vendim politik, pasi në thelb procesi ka vijuar normalisht. “Ne jemi duke shqyrtuar vendimin e marrë. Kërkesa e bërë në Gjykatën Kushtetuese ka pasur dy aspekte, të cilat nuk kanë pasur lidhje me tërësinë e procesit të legalizimit, por me disa kompetenca të pushtetit vendor. Kështu mund të them se është bërë e gjithë puna që pushteti vendor e ka pasur me ligj për ta bërë që prej dy vjetësh. Ne kemi përpunuar tashmë 2/3 e të gjitha dosjeve për territorin e Republikës dhe aq më tepër ky është një proces që ka një afat në ligj, të cilin pushteti vendor nuk e ka respektuar”, - theksoi zoti Memia. Sipas kreut të ALUIZNI-t, ky vendim nuk do të ketë ndikim në procesin e legalizimit të ndërtesave për të cilat janë dhënë vendimet dhe dosjet e të cilëve janë përpunuar nga ekspertët e Agjencisë, por as regjistrimin e këtyre pasurive.

Kompensimi

Madje përpunimi dhe verifikimi i dosjeve deri më tani ka bërë që Agjencia të krijojë një fond prej 600 milionë lekësh, që janë detyrime të shlyera nga qytetarët e përfshirë në proces. Këto fonde, sipas zotit Memia, do të vendosen në dispozicion të pushtetit vendor. Sipas ligjit, 80 për qind e të ardhurave që krijon Agjencia e Legalizimeve do të kalojnë për kompensimin financiar të ish-pronarëve në tokat e të cilëve është ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe 20 për qind e fondit do të kalojë për studimet urbanistike të zonave të pushtetit vendor. Sipas zotit Memia, çështja e hedhur për gjykim në Gjykatën Kushtetuese nuk do të pengojë aspak procesin e kalimit të dosjeve në hipotekë për regjistrim. Ai theksoi se deri më tani është bërë regjistrimi fillestar sipas procedurave të ligjit për rreth 150 mijë pasuri. Për këto është përpunuar tashmë dokumentacioni nga ekspertët e Agjencisë së Legalizimeve dhe po vijon puna për dërgimin e tyre në zyrat e hipotekës. E gjithë kjo punë e bërë sipas zotit Memia nuk do të mund të ndalet, as nga hedhja poshtë e një dispozite në ligj, që ka të bëjë me një çështje teknike. Mësohet se një pikë e kontestuar në vendimin e juristëve të Gjykatës Kushtetuese është ajo për hartat 1:500 dhe 1:5000. Zoti Memia shpjegoi për gazetën “Metropol” se kjo është një lëvizje tepër teknike, ndikimi i të cilës do të analizohet nga ekspertët e ALUIZNI-t.

Legalizimi

Procesi ka nisur në Tiranë me afro 30 mijë objekte që janë matur në terren dhe të dhënat e tyre po përpunohen në kompjuter. Zyrat e ALUIZNI-t njohin statusin juridik të zonave të Laprakës, Paskuqanit, Aliasit, Bathores, Kodrës së Priftit, që janë të ndara në zona kadastrale.

Taksa

Pagesa nga qytetarët bëhet në postë. Kjo është një lehtësi tjetër duke qenë një pagesë minimale prej 4 mijë lekësh të reja. Praktikisht sot janë rreth 150 mijë pasuri në të cilat ka përfunduar e gjithë procedura dhe mbetet vetëm hapi i lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë dhe kompensimit.

Përfituesit

Do të ketë një numër të madh përfituesish nga ky proces. Krerët e ALUIZNI-t kanë pasur synimin për t’i dhënë fund një herë e mirë pasaktësive që ka procesi i pronësisë dhe kjo me faktin e materialeve hartografike, të cilat i kemi me fotografim ajror. Kjo do t’i bëjë investimet e qytetarëve pjesë të tregut.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›