E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzime seksuale nën petkun e vullnetarëve bamirës

Raporti britanik shpjegon pedofilinë, trafikun seksual të fëmijëve dhe pornografinë në vendet në zhvillim

Abuzimet seksuale të shtetasve Britanikë me fëmijët në vendet në zhvillim, ku është listuar edhe Shqipëria, janë kryer prej vitesh. Madje ato janë maskuar nën petkun e shoqatave humanitare e vullnetariatit por qëllimi përfundimtar ka qenë pedofilia dhe trafiku i fëmijëve. Kjo është bërë publike në raportin e publikuar së fundmi nga shtypi britanik ku Shqipëria cilësohet si një nga vendet ku fëmijët trafikohen për prostitucion, pornografi, etj.

Sipas raportit, abuzimet seksuale të shtetasve britanikë kanë vite që ndodhin dhe ndëshkimi është shumë i pakët. Raporti është i shoqëruar me një listë të gjatë rastesh kur shtetasit britanikë janë arrestuar në vende të ndryshme dhe mes tyre është edhe Shqipëria. Gjatë kësaj kohe Britania ka marrë një sërë masash ndaj tyre por sërish problemi qëndron tek vendet ku ata shkojnë. Në total janë rreth 120 shtetas britanikë që janë arrestuar për pedofili në vende të ndryshme të botës, tre prej tyre në vendin tonë. Raporti shpjegon se në pjesën më të madhe të rasteve, shtetasit britanikë udhëtojnë në vendet në zhvillim si përfaqësues të shoqatave humanitare. Ata krijojnë apostafat shoqata të tilla ku parimi kryesor është vullnetariati dhe shënjestrojnë fëmijët. Nën petkun e bamirësisë ndaj fëmijëve të braktisur krijohen qendra të ndryshme ku këta fëmijë strehohen. Më pas nis dhe pedofilia. Shpesh herë ftohen “miq” nga vende të ndryshme të botës, të cilët prezantohen si vullnetarë. Por më pas këta rezultojnë se janë njerëz që kanë kryer marrëdhënie seksuale me fëmijët e mitur ose thjesht i kanë bërë atyre foto që më pas janë shpërndarë në internet në faqet e pedofilëve.

Rasti i tillë ishte edhe Shqipëria ku David Braun dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Dino Kristodulu e Robin Arnold kishin ngritur një qendër “bamirësie”. Braun ishte njeriu që hapi qendrën ndërsa Kristodulu dhe Arnold ishin njerëzit që herë pas here “vizitonin” fëmijët e mitur. Dëshmitë e dhëna nga ish- personat që kanë punuar në këtë qendër kanë treguar se ata vinin si vullnetarë në qendrën bamirëse “Fëmijët e Mi”. “Aty kam gjetur 15 fëmijë, në qendrën që drejtohej nga David Braun. Kam vërejtur se aty merrnin fëmijë nga rruga që lypnin dhe i krijonin kushte në atë shtëpi. Në dhomën e tij kishte një krevat dysh dhe një tek. Në krevatin dyshe flinte Davidi me një fëmijë të moshës 6- vjeçare ndërsa në dhomë kishte edhe një fëmijë tjetër, që flinte në krevatin tjetër dhe që ishte i moshës 7 vjeç”,-mësohet të ketë thënë një nga ish- punonjëset e qendrës.

Nisur nga këto raste Britania ka vendosur që të publikojë një listë të personave të dyshuar si pedofilë apo ngacmues seksualë dhe ta shpërndajë në të gjithë botën. Kjo do të kryhet në mënyrë që vendet e tjera të dijnë që në aeroport se kush është udhëtari “bamirës”. Por kjo nuk është konsideruar si një zgjidhje e suksesshme pasi nuk dihet identiteti i të gjithë të dyshuarve për abuzime seksuale. “Momentalisht shkollat dhe organizatat jo qeveritare jashtë Britanisë nuk kanë mekanizma për të kontrolluar ata që paraqiten si vullnetarë. Në disa raste ata mund të jenë hetuar apo dënuar për abuzime seksuale dhe sërish lihen të punojnë me fëmijët. Kjo është një hapësirë e madhe që duhet mbushur. Edhe në rastet kur të dyshuarit nuk janë dënuar, duhet pasur kujdes me ta”,- thuhet në raport. RASTI

Dënohet pedofili me 240 mijë fotografi

Rasti më i fundit i pedofilisë në Britani është shënuar ditën e djeshme. Një 27- vjeçar është dënuar dje me 45 muaj burg pasi është gjetur fajtor për shpërndarjen e fotografive pornografike të fëmijëve në internet. Philip Thompson, ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe të gjitha materialet e akuzës. Ai kishte udhëtuar në 33 vende të ndryshme të botës nën petkun e një “librashitësi” por gjatë kësaj kohe kishte bërë qindra fotografi. Në kompjuterin e tij personal janë gjetur më shumë se 240 mijë fotografi të ndryshme fëmijësh, të cilat janë cilësuar të gjitha si pedofili. Të gjitha këto foto janë bërë nga vetë Thompson, i cili vetëm në një rast kishte kryer marrëdhënie seksuale me të mitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›