Kapshticë, kapet kamioni me 6 klandestinë afganë
KAPSHTICË- Policia e Korçës ka zbuluar një linjë të re trafiku që nis nga Afganistani dhe pasi kalon përmes Europës, hyn në Shqipëri nga Greqia. Mbrëmjen e djeshme, policia lokale ka bllokuar në Kapshticë një kamion, brenda të cilit ndodheshin gjashtë shtetas afganë. Nga hetimet e para rezulton se kamioni ishte nisur nga Afganistani dhe pasi kishte kaluar përmes Turqisë dhe Greqisë, po hynte në vendin tonë. Madje ai kishte kaluar pa asnjë problem doganën greke. Të dhënat e para tregojnë se kamioni ku u kapën klandestinët
ishte porosi e një firme nga Përmeti. Por oficerët e doganës shqiptare kanë preferuar që ta kontrollojnë me imtësi. Në këtë moment është bërë i mundur zbulimi i klandestinëve afganë. “Kamioni me targa bullgare “C3 955 EK”, ishte me porosi të një firme nga Përmeti. Shoferi i maunes, shtetasi bullgar Julian Todorof, është shprehur se nuk ishte në dijeni të klandestinëve afganë të ndodhur në kamion. Ai është arrestuar dhe do të pyetet gjatë ditëve në vazhdim”,- thanë dje hetuesit nga Korça. Sipas tyre, në pyetje do të merren edhe shtetasit afganë. Kjo pasi dje, policia e Korçës nuk kishte një përkthyes dhe shtetasit afganë nuk dinin të flisnin anglisht. Nga të dhënat e para mendohet se ata kanë paguar deri në 500 euro për të udhëtuar nga vendi i tyre në drejtim të Shqipërisë. Më pas ata do të kalonin me anije për në Itali e vendet e tjera të Europës. E veçanta e këtij rasti është se dogana greke e Selanikut as që e ka kontrolluar kamionin me klandestinë. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, nga kjo doganë grejke kanë hyrë më shuam se 30 shtetas afganë, të cilët janë kapur nga policia shqiptare.