E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet e OSSH me qytetarët, ministri Prifti show mashtrues mediatik

Ministria e Ekonomisë premton të ngrejë një grup pune për verifikimin e ankesave të qytetarëve

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës zoti Dritan Prifti vazhdon të tregojë ditë pas dite, se me ardhjen e tij në krye të dikasterit më të rëndësishëm të qeverisë shqiptare nuk mendon për të zgjidhur problemet jetike të ekonomisë dhe të konsumatorit shqiptar, por për të zgjidhur hallet e tij personale. Megjithëse gazeta SOT ka disa kohë që ngre problemet

e qytetarëve me kompaninë e shpërndarjes së energjisë OSSH, si dhe ka zbardhur vjedhjet sistematike që kjo kompani po kryen në kurriz të konsumatorëve, ministri Prifti jo vetëm që nuk reagon pozitivisht, por dhe kur reagon duket që është në mbrojtje të kompanisë që po vjedh shqiptarët. Megjithëse ministria që zoti Prifti përfaqëson është bashkëpronare me kompaninë e shpërndarjes dhe zotëron të drejtën e plotë për të kërkuar llogari për keqmenaxhimin e kësaj kompanie, ky i fundit interesohet më shumë për interesat e tij personale se për interesat e publikut taksapagues. Janë pikërisht një sërë problemesh të evidentuara nga gazeta SOT, në të cilat vihet re më së miri se kompania në fjalë ka probleme serioze me klientët e saj, ministri Prifti në deklaratën e tij nuk kap thelbin e problemit duke treguar se në atë ministri ai është një hije mosfunksionuese sesa një personazh ekzekutiv që ka tagrin ligjor për të ndërhyrë mbi abuzivizmin ndaj qytetarëve shqiptarë. Në deklaratën e tij zoti Prifti thotë se, do të inspektojë problemet e krijuara nga kompania në fjalë, ndërkohë që faturat dhe vjedhjet janë tashmë të evidentuara nga institucioni që merret me mbikëqyrjen e tregut energjetik, ERE. Deklarata e djeshme e ministrit Prifti tregon qartazi se ky personazh nuk ka ndërmend të ushtrojë funksionin e tij në rastin e këtij diskriminimi të qytetarëve shqiptarë nga një kompani monopol në treg.

Reagimi i Ministrit Prifti
Pas një heshtje tre mujoje ku mediat dhe konkretisht gazeta SOT ka ngritur pothuajse çdo ditë shqetësimin se OSSH po vjedh qytetarët duke jua faturuar faturën e konsumimit të energjisë jo me shifra reale ka ardhur edhe reagim i zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës e cila ka premtuar se do të ngrejë një grup pune për të hetuar të gjitha ankesat që janë bërë në adresë të OSSH nga qytetarët. Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës thuhet se kjo ministri ka ndjekur me shqetësim ankesat publike të disa konsumatorëve të energjisë elektrike për mbifaturim në faturat e muajit Dhjetor 2009 dhe ka vendosur të ngrejë një grup inspektimi për të verifikuar këto ankesa. Në të njëjtën kohë, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti i ka dërguar një letër OSSH-së për të kërkuar mbledhjen urgjente të Bordit Drejtues të OSSH-së për të diskutuar në cilësinë e aksionerit të pakicës situatën e krijuar pas këtyre akuzave, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë. Gjithashtu Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës garanton qytetarët e shqetësuar se nëse inspektimi do të nxjerrë shpërdorime në faturimin e energjisë elektrike, ekzistojnë të gjitha mjetet ligjore për të detyruar OSSH të dëmshpërblejë qytetarët për mbifaturimin. Ligji i Energjisë Elektrike dhe Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve garantojnë që qeveria ka instrumentet e duhur për të korrigjuar çdo gabim që bëhet në kurriz të konsumatorëve.

Fenomeni
Problemet e faturave të energjisë elektrike janë nga më të ndryshmet e më të shumtat. Një nga ankesat më kryesore të qytetarëve ka të bëjë me shënimin e kilovatëve tepër, i cili u bë më i ndjeshëm pas rritjes së çmimit të energjisë. Qytetarët shprehen se mungojnë kontrollet e sahateve nga punonjësit e OSSH-së. Për këtë arsye, kërkesat e tyre kanë qenë nga më të ndryshmet. Problemi kryesor është të vendosen kontaktorët dhe faturistët të jenë transparentë në lexim dhe faturim, si për familjarët ashtu edhe për biznesin. Qytetarët e kontaktuar nga gazeta kërkojnë rimbursim në përgjithësi për rritjen e çmimit të konsumit të energjisë elektrike. Pasi të realizohen këto askush nuk mund ta kundërshtojë çmimin real të energjisë elektrike të konsumuar. Por përveç këtyre problemeve ka dhe të asaj natyre që faturistët të kërkojnë ryshfet në këmbim të faturimit afrofe.

OSSH fryn faturat
Fryrjen e faturave të energjisë nuk e venë në dukje vetëm pensionistët, të cilët janë klasa më e varfër e shoqërisë. Abonentët familjarë në çdo kohë janë preh e këtyre gabimeve të faturistëve të OSSH, të cilët duket se nuk do ti japin asnjëherë fund abuzimeve në kurriz të qytetarëve. Sipas dëshmive të disa qytetarëve, faturistët e energjisë elektrike paraqiten në banesat e qytetarëve dhe kryesisht bëjnë kontrollin e matësve në momentet kur këta të fundit nuk ndodhen aty. Sahatet matës, të grupuar në hyrje të pallatit kontrollohen nga faturisti i energjisë, i cili shënon shifrën e kilovatorëve që janë harxhuar deri në datën e faturimit të kaluar si dhe shumën reale që ndodhet atë moment në sahat. Diferenca e tyre përbën edhe numrin e kilovatorëve që janë harxhuar nga konsumatori familjar. Qytetarë të shumtë vazhdojnë të ankohen për një ndryshim të pajustifikueshëm të faturës së energjisë dhe shpesh herë për faturim të gabuar. Kryesisht faturimi i gabuar dhe rritja e pajustifikueshme e faturës ndodh një herë në tre muaj, që përkon me periudhën kur faturistët bëjnë rakordimet e tyre me qendrën. "Çdo muaj kemi të njëjtin ritëm të konsumit të energjisë por fatura lëviz. Kemi konstatuar me faturistin dhe na ka thënë që do të na kompensohet muajin pasardhës. Realisht na kompensohet, fatura e ardhshme vjen më e ulët, pohojnë qytetarët. Burimet pranë OSSH-së shpjeguan se në rastet kur një konsumatori i faturohet gabimisht energji që ai nuk e ka harxhuar, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bën shqyrtimin e çështjes dhe në nëse vërtetohet se qytetari nuk e ka konsumuar atë, aplikohet praktika e kompensimit në muajin pasardhës, si dhe merret masë ndaj faturistëve.


Shqetësimi, qytetarët ankohen për çmimet e larta
Faturat e energjisë elektrike kanë shqetësuar gjithnjë e më shumë qytetarët. Përveç çmimit të rritur, shtimit të kilovatëve, qytetarët paguajnë nga dy herë të njëjtën faturë. Në zyrat e OSSH janë të shumtë ata qytetarë që ankohen për probleme të ndryshme. Për një kohë të gjatë problemet e tyre kanë qenë faturat që u vinin afrofe, së fundmi për fryrje të faturave. Por një fenomen tjetër edhe më i rëndë po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në zyrat e OSSH-së ku paguhen faturat e energjisë. Qytetarët u kërkojnë llogari sportelisteve për këto anomali, por edhe ato vetë nuk dinë të kthejnë një përgjigje duke ua hedhur fajin faturistëve. Nga një vëzhgim i kryer nga gazeta rezulton se ky problem kohët e fundit është në masë. Problemi i konstatuar nga gazeta është konfirmuar edhe nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike. Sipas tyre ky është një problem i trashëguar, pasi ka mungesë të laboratorëve private të licencuar, të cilët nëpërmjet kërkesës së ERE-s në rast ankese të qytetarëve mund të vihen në lëvizje. Në këtë rast qytetarët edhe nëse kanë ankesa sërish do të jenë në dorë të OSSH, e cila vetë shkakton problemin dhe vetë kryen verifikimi, që vetëm nga procedura që ndiqet lë të kuptohet se asnjëherë nuk mund të mbajë përgjegjësi, siç ndodh. Për sa u përket ankesave të qytetarëve, burimet zyrtare nga ERE janë shprehur se për muajin e fundit ka pasur mbi 30 ankesa për faturimin e energjisë me rritje çmimi si dhe 40 ankesa për probleme të tjera që qytetarët kanë me OSSH duke filluar që nga faturimi afrofe e deri tek problemet me matësit. Për të 70 rastet Enti Rregullator i Energjisë ka nisur verifikimet në terren dhe për çdo rast do të kryhen veprimet përkatëse. Të njëjtat burime janë shprehur se porsa i përket problemit për kolaudimin e matëseve apo probleme të tjera, ankesat e qytetarëve kanë qenë më të pakta për mos të thënë tepër sporadike.

Last Updated on E Enjte, 04 Mars 2010 09:25

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›