E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me pensionet, 17 punonjës të Institutit të Sigurimeve në gjykatë



KUKËS - Drejtoria rajonale e ISSH-së në Kukës ka dërguar në institucionet e Drejtësisë 120 dosje të minatorëve nga rreth 260 të hequr momentalisht nga skema e pensioneve. Lajmi është konfirmuar nga burimet zyrtare të Drejtorisë Rajonale e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore në qytetin verilindor. Burimet thanë se kjo drejtori ka vërejtur shkelje në këto dosje dhe për këtë arsye ka ngritur padi ndaj 17 punonjësve të Sigurimeve Shoqërore. Kancelari i Gjykatës se Faktit në Kukës, Shikim Korbi, pohon se 13 prej punonjësve të Sigurimeve Shoqërore e kanë kaluar tashmë procesin gjyqësor.
Minatorët që kanë humbur pensionet kanë protestuar shpesh dhe pjesa më e madhe pretendojnë se pensionet u janë hequr pa të drejtë. Që prej disa kohësh prokuroria dhe vetë instituti i Sigurimeve kanë nisur hetimet për abuzimet e bëra me pensionet, kryesisht për sektorin e industrisë minerare. Nga verifikimet e bëra të dosjeve të pensioneve janë konstatuar shkelje në rrethet e Durrësit, Dibrës, Mirditës, Elbasanit dhe së fundi edhe në Kukës.

Dhunohet sipërmarrësi italian pas konfliktit me ortakun e tij në biznes

BERAT - Mosmarrëveshjet mes dy bashkëpronarëve të një firme të prodhimit të veshjeve italo-shqiptare kanë shkuar deri në përdorimin e dhunës mes partnerëve, ku ka mbetur i plagosur njëri nga aksionarët me shtetësi italiane. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Beratit bëjnë të ditur se Salvadore Miscello, me shtetësi italiane, lindur në Leçe, mësohet se ka ngelur i dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht pasditen e së mërkurës, ndërkohë që policia ka nisur hetimet rreth ngjarjes së rëndë. Sipas tyre, 68-vjeçari mësohet të ketë ngelur i dhunuar në mjediset e firmës së përbashkët me një investitor nga qyteti i Beratit, ndaj të cilit ende nuk kanë nisur hetimet. Investitori që kishte nisur aktivitetin e konfeksioneve në Berat, mësohet se rreth orës 16:30 të pasdites së djeshme ka pasur një konflikt me bashkëpunëtorin e tij beratas, Afrim Merko. Në debat e sipër Merko mësohet se ka ushtruar dhunë ndaj investitorit të moshuar italian, i cili pasi u ka shpëtuar grushteve dhe shkelmave, është përpjekur të largohet me një nga automjetet të firmës së tij. I tronditur, 68-vjeçari mësohet se nuk ka mundur të vazhdojë udhëtimin dhe ka zbritur nga mjeti i tij, ku është gjetur pa ndjenja. Ai ka mbërritur më pas në Urgjencën e Beratit në gjendje shoku, ku ka marrë ndihmën e parë shëndetësore në ruajtjen e uniformave blu. Sipas bluzave të bardha, ndaj shtetasit italian ka rezultuar të jetë ushtruar dhunë fizike, ku si pasojë ka pësuar dy fraktura në trup dhe hematoma në kokë. Pas denoncimit të bërë në media, ku investitori italian ka rrëfyer gjithçka rreth ngjarjes, është ndaluar bashkëpronari shqiptar, Afrim Merko. Policia bëri të ditur se e ka shoqëruar në komisariat këtë të fundit, por më pas e ka lënë të lirë dhe hetimet ndaj tij kanë nisur në gjendje të lirë. Ende nuk ka të dhëna zyrtare nëse sipërmarrësi italian ka bërë një kallëzim për ortakun e tij shqiptar. Miscella dhe Merko punojnë bashkërisht në industrinë e prodhimit të veshjeve për eksport në rrethin e Beratit dhe kanë të punësuar me dhjetëra persona. Ngjarja e mësipërme është trajtuar me kujdes të veçantë nga autoritetet policore. Ndërkohë që i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në mjediset e Spitalit Rajonal të Beratit.

Hetim për dy të rinjtë, dhunuan një 23-vjeçar

KORÇË - Dy të rinj janë vënë në hetim pasi kanë rrahur drejtuesin 23-vjeçar teksa po udhëtonte me një mjet udhëtarësh. Burime zyrtare nga Policia e Korçës thanë se dy ditë më parë, rreth orës 12:00, është marrë njoftimi se Ervis Hoxha, 23 vjeç, nga Elbasani, është konfliktuar me një shofer furgoni, Olger Hoxha, 31 vjeç, dhe me Eledi Hoxhën, 24 vjeç, të dy lindur e banues në Cangonj të Korçës. Sherri mes tre të rinjve ka ndodhur për shkaqe banale. Pas kësaj janë kryer veprimet procedurale për veprat penale të “dëmtimeve të tjera me dashje në bashkëpunim” si dhe “prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Pas kësaj, materialet për hetime të tjera i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës.

23 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›