Rrahu policin për parkimin e gabuar të mjetit, arrestohet
GJIROKASTËR - Arrestohet një shtetas nga Lazarati pasi ka fyer dhe goditur punonjësin e Policisë Rrugore për shkak të detyrës. Burime zyrtare të Policisë së qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se ditën e djeshme, rreth orës 10:05, në shëtitoren e lagjes “18 Shtatori” të qytetit, punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, gjatë kryerjes së detyrës së tij ka konstatuar një mjet të parkuar paralel. Ai ka komunikuar me drejtuesin e automjetit tip xhip, me targa GJ 92 80 A dhe i ka kërkuar që të lëvizë automjetin e tij, pasi ishte në kundërvajtje. Drejtuesi i mjetit nuk ka kundërshtuar, por ka zbatuar urdhrin e policit. Ndërkohë, shtetasi Florian Nexhip Shurdhi, lindur dhe banues në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër, i cili ishte pasagjer në këtë mjet, ulur në ndenjësen e parë, pa pasur lidhje fare me kundërvajtjen e mjetit, ka fyer dhe më pas ka goditur me grushte në fytyrë duke i shkaktuar plagë të lehta policit të qarkullimit, i cili ishte duke kryer detyrën. Me ndërhyrjen e grupit të gatshëm të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, ky shtetas është shoqëruar forcërisht për në mjediset e Komisariatit të Policisë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi për veprën penale “fyerje dhe goditje për shkak të detyrës së punonjësit të policisë“ dhe “kundërshtim me dhunë ndaj forcave të policisë”, thonë burimet policore. Materialet i kaluan për hetime prokurorisë.
Përfundon në spital i mituri, piu një substancë pesticidesh
DURRËS – Një djalë në moshën vetëm 13 vjeç është gjetur i helmuar pranë banesës së tij në Durrës dhe me urgjencë është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se i mituri A. K., 13-vjeçar, banues në fshatin Manzë Durrës, është paraqitur dje në spital me shenja helmimi. Rreth orës 22:00 të ditës së martë, në banesën e tij, ka pirë një sasi lëngu pesticid që ndodhej në një shishe plastike. Pas trajtimit mjekësor në Spitalin Ushtarak i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se dyshon që vetëhelmimi të ketë ardhur nga pakujdesia, por materialet e dosjes i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Durrës.
Verifikimi i titujve të pronësisë, paraqiten 185 ankesa
FIER - Komisioni vendor për vlefshmërinë e dhënies së titujve të pronësisë pranë institucionit të prefektit të Fierit, i ngritur pak ditë më parë me vendim të qeverisë shqiptare, ka nisur nga puna për verifikimin e ankesave të paraqitura nga fermerët. "Aktualisht në shkallë qarku janë depozituar rreth 185 ankesa dhe konflikte pronësie, ku numri më i madh i ankesave të arkivuara u përkasin fermerëve të rrethit të Fierit, ndërkohë që nga rrethi i Lushnjës janë depozituar vetëm 3 raste", - tha drejtori i këtij komisioni, Arben Zaimi. "Jemi duke shqyrtuar natyrën e konflikteve të depozituara, për t'u njohur me specifikën e tyre, pasi jo çdo lloj konflikti pronësie është në kompetencë të komisionit tonë", - theksoi Zaimi. Ai shtoi se kryesisht natyra e ankesave të shqyrtuara ka të bëjë me zënien e tokave bujqësore forcërisht, me mbivendosje të sipërfaqeve në hartë, mosrekordim i sipërfaqes në aktin e pronësisë me atë faktike, me mungesën e vulave në akt-marrjet e tokës në pronësi etj.
23 Tetor 2008