Tragjedia e Butrintit çon në pranga edhe dy persona, dy të tjerë në kërkim
TIRANË – Skema e organizimit të rrjetit të trafikut klandestin drejt Greqisë po zbardhet thuajse tërësisht, ndërkohë që janë arrestuar katër nga gjashtë personat e shpallur në kërkim për tragjedinë ku gjetën vdekjen disa vets në liqenin e Butrintit. Dashamir Mane dhe Hyqmet Sollaku, dy të akuzuar për organizimin e trafikut të klandestinëve, kanë rënë në prangat e policisë. Arrestimi i Sollakut, nga fshati Vidhishtë i Fierit dhe i Manes është bërë mëngjesin e djeshëm falë operacioneve të uniformave blu të Fierit dhe Tiranës. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave kanë qenë forcat e antitrafikut që kanë vënë në pranga organizatorët e kalimit të paligjshëm të kufirit në drejtim të Greqisë.
Arrestimi
Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se arrestimet janë kryer pas informacioneve të sakta që janë marrë nga uniformat blu. Në kërkim tani nga policia janë dhe dy persona të tjerë që janë të akuzuar si organizatorë të trafikut të njerëzve, nga Fieri në Sarandë, me drejtim Greqinë. Deri tani janë prangosur nga policia katër prej të akuzuarve.
Përkatësisht Dashamir Mane është personi që ka transportuar me varkë në datën 19 tetor 2008 personat që do të kalonin kufirin. Ndërkohë që Hyqmet Sollaku ka organizuar ndihmën për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm vazhduan kërkimet në liqenin e Butrintit nga njësia e zhytësve të repartit RENEA për gjetjen e Ndriçim Myftarit, personi i fundit për të cilin nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij. “Vazhdojnë kontaktet me të gjithë qarqet e vendit për informacione mbi persona që mund të jenë nisur për Greqi ditët e fundit dhe kanë humbur kontaktet me familjet, tha zëdhënësi i Policisë së Shtetit”, - Klodian Branko.
Rrjeti
Dy ditë më parë u zbardhën të gjithë autorët që organizuan trafikun klandestin drejt Greqisë përmes liqenit të Butrintit, ku mbetën të vdekur 4 persona, ndërsa një tjetër konsiderohet i zhdukur. Në lidhje me këtë ngjarje është krijuar grupi i hetimit, i kryesuar nga prokurori i rrethit Sarandës, Alfred Agolli, në përbërje të të cilit janë drejtues të Policisë të qarkut Vlorë, drejtues të sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Shtetit, oficerë të Policisë Gjyqësore, ekspertë kriminalistë, mjeko ligjor etj”. Për zbardhjen e këtij rrjeti të trafikut ilegal të emigrantëve janë shoqëruar dhe pyetur në polici 27 persona. Dy pronarët e varkave, të cilët janë me banim në Sarandë, janë arrestuar menjëherë pas ngjarjes. Tashmë po punohet për kapjen e shtetasve Brahim Madhi dhe Albert Gega. Të dielën në mbrëmje tentuan të kalojnë drejt Greqisë me dy varka 23 shtetas, por njëra prej tyre është fundosur, duke shkaktuar vdekjen e katër personave, ndërsa një tjetër konsiderohet i zhdukur.
ORGANIZATORËT
Dashamir Mane, i arrestuar
Hyqmet Sollaku, i arrestuar
Bashkim Sena, i arrestuar
Ahmet Bushi, i arrestuar
Brahim Madhi, në kërkim
Albert Gega, në kërkim
Box 1
Përcillen për në banesën e fundit edhe dy viktimat e tjera të Butrintit
FIER - Trupat e dy personave që u gjetën të mbytur në liqenin e Butrintit u kthyen pranë familjeve të tyre në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku dhe u zhvilluan ceremonitë mortore. Trupi i Festim Hoxhës, djalit 27-vjeçar, u dërgua në familjen e tij në fshatin Vidhishtë të komunës Kuman, ndërkohë që trupi i pajetë i 20-vjeçarit Amarildo Kuka është dërguar te familjarët e tij në fshatin Kurjan. Amarildo ishte fëmija i parë i familjes Kuka dhe kishte gjithë peshën e familjes, pasi prindërit e tij ishin divorcuar. Të afërmit kanë pohuar se janë shumë të tronditur nga humbja e jetës së 20-vjeçarit dhe kërkojnë nga shteti që të zbardhë këtë ngjarje. Tragjedia e Butrintit ka prekur edhe Roskovecin. Vetëm rreth dy kilometra nga rruga e asfaltuar ndodhet fshati Vidhishtë, ku një 27-vjeçar nga kjo zonë u mbyt në ujërat e Butrintit. Festimi, djali i vetëm i familjes Hoxha, i cili u nis nga shtëpia ditën e shtunë në drejtim të Greqisë, pa ditur fatin që do e priste. Të afërmit me të cilët ai kishte kontaktuar përpara nisjes, kishin këmbëngulur që ai mos të nisej. Festimi nuk e kishte për herë të parë që ishte nisur drejt Greqisë por rruga nuk i kishte ecur ashtu si ai mendonte. Ai kishte probleme në të ecur çka e kishte bërë që të kontaktonte me një nga katër motrat e tij në Greqi për t'u kuruar atje. Problemet e tij ekonomike në familje e kishin shtyrë të merrte këtë iniciativë me dëshirën e tij madje pa u treguar asgjë prindërve për nisjen drejt tokës helene. Ka qenë e motra e tij në Greqi që kish bërë denoncimin për humbjen e të vëllait pas marrjes vesh të tragjedisë së Butrintit. Ai dëshironte të shkonte në Greqi për të punuar e grumbulluar të ardhura për të ndihmuar familjen. Ceremonia e tij mortore u krye në orën 13.00 në varrezat e fshatit Vidhishtë të komunës Kuman. Deri më tani bilanci i kësaj tragjedie ka arritur në katër të vdekur, ndërsa një 17-vjeçar nga Lushnja nuk është gjetur ende. Edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar operacionet për të kërkuar Ndriçim Myftarin, por sërish nuk është bërë e mundur që të identifikohet.
REAGIMET
Braçe: “Berisha injoroi tragjedinë e Butrintit”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Erion Braçe, akuzoi kryeministrin Berisha për injorim të tragjedisë së Butrintit. Braçe tha se kryeministri Berisha, jo vetëm që po i shtyn shqiptarët drejt vdekjes me korrupsionin dhe varfërinë ekstreme që po u dhuron, por nga ana tjetër ai ka shfaqur papërgjegjshmëri dhe mungesën e ndjeshmërisë njerëzore, kur ndodhin tragjedi të tilla. “Prej katër ditësh po konsumohet në skajin më jugor të vendit, në mënyrën më publike të mundshme - për shkak të detyrës që ju po kryeni, një tragjedi e madhe kombëtare. Viktimat po shtohen, ndërsa tre të tjerë vazhdojnë të kërkohen nga familjarët e tyre. Nëse çdo minutë po konsumohet tragjedia njerëzore, ajo që po del në pah në po kaq kohë është papërgjegjshmëria e kryeministrit dhe pandjeshmëria humane e Sali Berishës. Ky njeri, gjeti dje kohë të degustojë verën, po e përsëris, ky njeri gjeti dje kohë të degustojë verën, por nuk pati asnjë lloj ndjeshmërie njerëzore apo skrupulli moral prej babai dhe prej gjyshi për të shkuar dhe ngushëlluar familjen e Demir Bakiut, në Perondi të Beratit, babait të Elvirës 22 – vjeçare dhe gjyshit të Klarës 3 muajshe. Konsumimi i tragjedisë vijon duke nxjerrë në pah varfërinë masive, për shkak të saj po nxjerr në pah ekzistencën e një tregu njerëzish, në lulëzim, i vetmi që rilind, fiton dhe pasuron segmente të qeverisë edhe në kohë krize ekonomike botërore”, - tha Braçe.
Kodheli: “Nuk do të rreshtim së denoncuari Berishën për tragjeditë”
Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkonte nga opozita që të mos abuzonte me tragjeditë njerëzore që ndodhin. Kodheli tha se Partia Socialiste jo vetëm do të reagojë për këto ngjarje të rënda, por edhe do të denoncojë kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij, të cilët janë shkaktarë të mungesës së sigurisë në vend. “Sipas Berishës opozita nuk duhet të flasë për vdekjet në punë, në rrugë, në festë, në det, nuk duhet të flasë për korrupsion që vret njerëz, si në Gërdec apo mbyt njerëz si në Butrint. Por ne jo vetëm do të flasim për këto tragjedi, por dhe do të tregojmë me gisht Sali Berishën dhe qeverinë e tij si përgjegjës për mungesën e sigurisë dhe korrupsionin që merr jetë njerëzish. Të ketë turp Sali Berisha që gënjen për të marrë frymë”, - tha Kodheli.
23 Tetor 2008