Ilir Kumbaro, azilant i rremë në Londër
Tiranë - Ilir Kumbaro, ish zyrtari i SHIK-ut i akuzuar për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, kishte fituar plot 10 vjet më parë azilin politik në Britani, duke u paraqitur me dokumente false si shtetas cek, i përndjekur në vendin e tij. Zbulimi është bërë nga policia angleze, e cila gjatë kontrollit në banesën e Kumbaros ka gjetur një sërë dokumentesh të falsifikuara identiteti, të perdorura nga ish-zyrtari i shërbimeve sekrete për të mbuluar arratine e tij 12 vjeçare. Sipas policisë londineze kur hyri ne territorin e Mbretërisë së Bashkuar, Kumbaro bindi autoritetet lokale se ishte një shtetas cek i persekutuar dhe krerët e Home Office i besuan duke i dhënë azil politik. Në momentin e arrestimit, Kumbaro u ka thënë policëve se kanë gabuar person, por agjentët e Scotland Yard nuk e kanë besuar tashmë. Për të gjykata e Londrës do të vendosë së shpejti dhe deri në zhvillimin e seances, Kumbaro do të mbahet i izoluar në një qeli të burgut në jug të kryeqytetit britanik.
Apeli jep 86 vjet burg për “Bandën e Niklës”
TIRANË - Shtatë të pandehurit e “Bandës së Niklës”, të akuzuar për disa vepra të rënda penale si vjedhje me armë apo rrëmbim personi, u dënuan dje me 86 vjet burg gjithsej, nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Tiranë, e cila la kështu në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë ndaj anëtarëve të kësaj bande. Sipas vendimit, i pandehuri Falamur Haka u dënua me 16 vjet heqje lirie, ndërsa Petrit Lleshi dhe Kreshik Berisha me nga 17 vjet heqje lirie. Ndërkohë me nga 11 vjet burg u dënuan të pandehurit Agron Tafa dhe Mustafa Xheka, me 10 vjet Edmond Sina dhe 5 vjet burg i pandehuri Ervin Belba. Shtatë ish-anëtarët e “Bandët së Niklës” u arrestuan disa vite më parë nga policia e shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila hetoi çështjen në fjalë. Sipas organit të akuzës, të pandehurit, pjesa më e madhe e të cilëve banues në fshatin Nikël në Krujë, akuzohen për disa episode kriminale si vjedhje me armë, të ndodhura pas vitit 1998 në Tiranë.
Krimeve e rënda nisin hetimet për pengmarrjen në Lezhë
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në shqyrtim materialet hetimore në ngarkim të shtetasit Gëzim Marku, i dyshuar si autor i pengmarrjes së një fëmije, pak ditë më parë në Lezhë. Lajmi u bë i ditur dje nga burime pranë kësaj prokurorie, që pohuan fillimin e hetimeve për dokumentimin ligjor të pengmarrjes së 6-vjeçarit, M. Prenga nga lagjja Kodër Marlecaj në Lezhë. Forcat e policisë së Lezhës që, bënë të mundur zgjidhjen e kësaj situate, arrestuan si autor të dyshuar të ngjarjes 25- vjeçarin Gëzim Marku nga Lezha. Ndërkohë, Gjykata e rrethit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” duke e kaluar më pas çështjen për kompetencë hetimore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë deklarimeve përpara grupit hetimor, i pandehuri mësohet se ka pranuar krimin ndërsa ka shprehur pendesën e për ngjarjen në fjalë. Sipas të dhënave hetimore të siguruara nga hetuesit, mendohet se, pengmarrja ishte kryer prej 25 vjeçarit në shenjë hakmarrje ndaj babait të fëmijës, Antin Prenga, për të cilin kishte dyshime se i kishte marrë të dashurën për qëllime trafikimi.
23 Tetor 2008