E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, shqiptarët, më pak të paragjykuar. Në vend të parë, rumunët

Shqiptarët janë kthyer nga “të rrezikshëm” në “punëtorë”, ndërkohë që cilësimin e parë e kanë “përvetësuar” rumunët në sytë e italianëve. Ky është studimi më i fundit i trajtuar nga mediat në vendin fqinj, çka vërteton se bashkëkombësit tanë që jetojnë në Itali, janë shndërruar në një komunitet të nderuar, sikurse e kishte vlerësuar një tjetër studim i Universitetit të Barit. E ndërkohë që thuajse për një dhjetëvjeçar shqiptarët konsideroheshin si “të rrezikshëm”, tashmë niveli i kriminalitetit ndër ta është ulur dhe është i krahasueshëm me atë italian, në ndryshim nga rumunët që mbajnë vendin e parë.

Rumunët më të papëlqyerit; shqiptarët, punëtorë

Studimi i botuar në gazetën prestigjioze italiane “Corriere della Sera” (Korriere dela Sera - Korrieri i mbrëmjes) tregon se shqiptarët nuk janë më në listën e zezë të paragjykimeve nga shoqëria italiane, vend të cilin e mbanin thuajse gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar. Madje, ata janë kthyer në një komunitet, që vështirë se dallohet nga italianët, për sa i përket nivelit të jetesës dhe konceptit mbi familjen dhe shoqërinë.

Sipas të dhënave të studimit nga 400 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali, 216 mijë janë të punësuar, 15 mijë merren me biznese te vogla, 101 mijë janë minorenë, ndërkohë që 88 mijë janë në Itali për motive të ndryshme, përfshi këtu edhe studentët shqiptarë që janë në vendin fqinj. Ksenofobia italiane tashmë ka kthyer sytë ndaj një tjetër “rreziku”, atij rumun. Sipas studimit, shumica e italianëve i cilësojnë rumunët si “të rrezikshëm”, ndërkohë që shqiptarët si “punëtorë”.

“Komuniteti i nderuar”

Pak javë më parë, gazeta italiane “Gazeta del Mezzogiorno” (Gazeta del Mexoxhorno - Gazeta e mesditës) kishte botuar një studim, ku shqiptarët cilësoheshin komunitet i nderuar. E përditshmja italiane cilëson se së fundmi ky komunitet është tejet i nderuar në shtetin fqinj.

Vërtetim i këtij fakti është studimi i bërë në Itali nga Departamenti Ekonomik në Universitetin e Barit dhe nga Cnel.

Njëzet vjet pas ardhjeve të para të emigrantëve nga Adriatiku, komuniteti i formuar nga emigrantët shqiptarë në Itali në fakt është parë nga shumë këndvështrime, duke verifikuar deri në detajet më të imta si sjelljen e tyre, ashtu edhe problemet që kanë hasur ata gjatë qëndrimit të tyre në Itali. Gjithashtu, është marrë në konsideratë respekti që ata kanë fituar në vendet e punës dhe në lagjet ku jetojnë.

“Panorama e përgjithshme e studimit cilëson praninë e emigrantëve shqiptarë në Itali mjaft pozitive”, - është shprehur studiuesi Franko Pitau. Ky studim hap një tjetër faqe të historisë së emigrantëve shqiptarë, duke u dhënë mundësinë për t’i parë ata pa paragjykime.

Komuniteti shqiptar, falë këtij studimi, mund të shikohet edhe pa syze optike. Tashmë ata kanë dalë nga lista e të padëshiruarve në shtetin fqinj. Sipas studiuesit Pitau, mënyra e të sjellit të tyre në fillimin e emigrimit të shqiptarëve është fryrë paksa nga paragjykimet e shtetasve italianë dhe vetëm tani që kanë emigruar edhe kombësi të tjera, shqiptarët po shikohen për atë çfarë janë në të vërtetë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›