E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me peshën e bukës, nis hetimi në gjithë vendin

Autoriteti i Konkurrencës gjen shkelje në tregun e Korçës, gati penalizmi për bizneset

Abuzimet me çmimin e peshën e bukës në qytetin e Korçës, janë bërë shkas për nisjen e një hetimi në rang kombëtar në këtë treg. Inspektimet do të kryhen nga një grup pune i ngritur nga Autoriteti i Konkurrencës, për të njësuar çmimin

me peshën me standardet e paracaktuara. Në shumë raste qytetarët ankohen pasi nuk respektohen standardet e përcaktuara në lidhje me raportin çmim-peshë. Autoriteti i Konkurrencës, u tërheq vëmendjen organizatave e biznesit, në disa drejtime në mënyrë që të zbatojnë ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Gjatë shkëmbimit të informacionit ose studimeve të tregut, organizatat e biznesit duhet që të mos lejojnë identifikimin e të dhënave konfidenciale që lidhet me ndërmarrjet individuale si çmimi, pjesët e tregut, burimet e furnizimit etj. në mënyrë që të shmangen marrëveshjet dhe praktikat e bashkërenduara. Sipas Autoriteti të Konkurrencës në rast se anëtarët e organizatave të biznesit arrijnë një marrëveshje e cila shkel konkurrencën gjatë një mbledhjeje të organizatës si p.sh. fiksim çmimi, fiksim i kuotave të prodhimit fiksimi i kushteve të tregtimit ndarja e tregut, bojkotet në grup, fiksim i çmimit të rishitjes, qoftë edhe në mënyrë spontane organizata, drejtuesit e saj dhe anëtarët mund të gjobiten. Në këtë mënyrë, organizatat e biznesit duhet të shmangin çdo lloj deklarate të tillë si dhe të distancohen kur bëhen deklarata të tilla.


Inspektimi
Autoriteti i Konkurrencës, bazuar në informacionin e marr nga media mbi rritjen e çmimit të bukës të njoftuar në emër të shoqatës së prodhuesve të bukës të Qarkut të Korçës, vendosi për hapjen e hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në Qarkun e Korçës, për të vërtetuar ekzistencën ose jo të një marrëveshje të ndaluar në kuptim të Ligjit Për mbrojtjen e Konkurrencës. Burime zyrtare nga Autoriteti i Konkurrencës bëjnë të ditur se në vazhdim të procedurave inspektorët e autoritetit realizuan inspektime të menjëhershme në terren. Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës organizoi një seancë me prodhuesit kryesorë të bukës në këtë Qark. Organizimi i seancës u bë me qëllim identifikimin e faktorëve që ndikojnë në nivelin e konkurrencës në tregun përkatës objekt hetimi. Nga inspektimet dhe sipas deklarimeve të prodhuesve të bukës masive, që morën pjesë në seancë, u konstatua se nuk ekziston një shoqatë vetëm për bukëpjekësit, por  ka një shoqate për Bizneset e Vogla. Gjithashtu, çmimi i këtij produkti në raport me peshën është më i ulet i krahasuar me rrethet e tjera te Shqipërisë.


Deklarimet
Pjesëmarrësit deklaruan se pas inspektimeve dhe njohjes me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës u angazhuan që të veprojnë në mënyrë të pavarur në treg. Ndërmarrjet janë treguar shumë bashkëpunuese me Autoritetin e Konkurrencës në realizimin e procedues hetimore. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës,  në mbështetje të nenit 24, shkronja d) dhe 45 paragrafi 2, të Ligjit Nr .9121, datë 28.7.2003 Për mbrojtjen e konkurrencës, vendosi mbylljen  e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në Qarkun e Korçës si dhe pranimin e angazhimeve të palëve për rivendosjen e konkurrencës në treg. Për të siguruar respektimin e angazhimeve të palëve Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë në vazhdim, tregun e bukës në Qarkun e Korçës. Komisioni i Konkurrencës përfiton nga rasti për të falënderuar Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Korçë, për bashkëpunimin.  Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të Politikës dhe Ligjit Për mbrojtjen e konkurrencës kërkon të ndërgjegjësojë të gjitha shoqatat e biznesit që në veprimtarinë e tyre të mbrojnë interesat e anëtarëve sipas ligjit dhe të mos ndikojnë në vendosjen e praktikave të bashkërenduara/të koordinuara për rritje të menjëhershme të çmimeve, fiksim çmimesh apo ndarje tregu.


Marrëveshjet e ndaluara
Sipas ligjit Për mbrojtjen e konkurrencës marrëveshjet e ndaluara janë shkelja më e rëndë dhe sjellja më antikonkurruese dhe mund të ndëshkohet nga Komisioni i Konkurrencës me gjobë deri në 10 për qind të xhiros vjetore. Autoriteti i Konkurrencës fton edhe një herë shoqatat e biznesit për rritjen e bashkëpunimit në realizimin e misionit të tij për vendosjen dhe ruajtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Për çdo ankesë, kërkesë për informacion apo kërkesë për bashkëpunim në zbulimin e ndonjë shkelje të ligjit të konkurrencës, autoriteti i bën thirrje qytetarëve të depozitojnë ankesat pranë këtij institucioni.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›