E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e 12-ta në botë për të tërhequr investitorët

29/06/2010 Studimi i A.T. Kearney, për herë të parë përfshin vendin tonë. Kush janë favoret

Zhvillimi i tregjeve shqiptare renditet ndër 30 vendet e para në botë për sa i përket zhvillimit të shpejtë dhe interesit të investitorëve të huaj. Vlerësimi është dhënë nga një ndër kompanitë më të njohura të konsulencës ekonomike në botë, A.T. Kearney, e cila ka kryer një studim vjetor mbi mundësitë e investimeve dhe tregjet në fushën e biznesit Retail dhe llogarit indeksin global të zhvillimit të këtyre tregjeve (GRDI), duke përdorur 25 tregues makroekonomikë dhe ekonomikë. Në këtë studim, të cilit i ka bërë jehonë edhe CNBC pak ditë më parë Shqipëria hyn për herë të parë me performancën e saj ekonomike dhe menjëherë renditet mes 30 vendeve të para, duke zënë pozicionin e 12-të me GRDI 51.1. Shqipëria kalon vende si Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnja në një klasifikim ku vendet e para mbahen nga tregje gjigantë si Kina, India, Brazili etj. Ajo renditet në këtë vend për nga rezultatet e arritura për sa i përket lehtësisë së hyrjes në tregjet e saj dhe të bërit biznes, tërheqja si treg i ri dhe i garantuar dhe risku i ulët i të bërit biznes. Sipas këtij studimi, ndërsa Rusia ka zbritur nga vendi i dytë në atë të dhjetë, duke hapur rrugë për vendet e Evropës Lindore, vendet e Ballkanit me të parën Shqipërinë, pasuar nga Bosnjë-Hercegovina, e renditur vetëm në vendin e 29-të me GRDI 39.1, Bullgaria e 19-ta me GRDI 46.5 dhe Maqedonia e 20-ta me GRDI me 45.6 janë ngjitur shumë në klasifikim. Kjo për faktin që dhe pse vende të vogla, kanë pasur një zhvillim ekonomik të përshpejtuar në sajë të reformave ekonomike. Një pjesë e mirë e dyqaneve të biznesit me shumicë dhe pakicë janë shtrirë në këto vende dhe nga intervistat e drejtorëve ekzekutivë të kompanive të mëdha, ato rezultojnë të mos jenë thjesht një mundësi dhe një vend i pëlqyeshëm për investimet e tyre, por tashmë kanë hyrë në hartat e investimeve të tyre si një domosdoshmëri. Në këtë studim, kur analizohet Shqipëria, mes të tjerave thuhet që Shqipëria është një treg i vogël me një këndvështrim shumë pozitiv lidhur për biznesin dhe një treg i ri akoma i pashfrytëzuar. Parashikohet që rritja e GDP-së në Shqipëri të vazhdojë me ritme të shpejta dhe në 2014, thuhet në raport, GDP reale pritet të rritet me 30 për qind, gjë që e bën këtë vend të konsiderohet shumë pozitivisht dhe në perspektivë. Ky studim tërësor global konfirmohet edhe një herë nga një studim i kryer nga Dhoma gjermane e Tregtisë me vendet e huaja, në lidhje me qëndrimin e investitorëve gjermanë, të cilët kanë investuar jashtë Gjermanisë, rezulton që të pyetur nëse do të investonin përsëri në vendet ku ata janë prezentë, përgjigja për Shqipërinë është 86 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›