ISKSH gjobit 35 farmaci e depo ilaçesh, në sitë 120 subjekte në mbarë vendin
Kontrollet 6-mujore të ISKSH-së në dhjetëra farmaci apo depo farmaceutike në mbarë vendin kanë gjobitur rreth, 40 subjekte farmaceutike në mbarë vendin me gjoba tejet të majme. Sipas një njoftimi ditën e djeshme nga zëdhënësja e këtij institucioni,
Etiola Kola, në bazë të një kontrolli të ushtruar muajt e fundit e pikërisht përgjatë gjithë 6 mujorshit të këtij viti, janë ndërmarrë masa që nga zhdëmtimi, gjoba e deri në ndërprerje kontrate për 3 farmaci. Në këtë kontekst janë mbyllur tre farmaci duke mos patur më mundësinë për të ushtruar më funksionin e këtij biznesi deri në mundësimin e dokumentacionit të saktë e të gjitha kritereve të vendosura për farmacitë, sipas ISKSH-së. Kontrollet kanë qenë evidente edhe në depot farmaceutike. Gjithashtu ISKSH, e ka ushtruar këtë nismë të re kontrolli në subjektet farmaceutike në lidhje me barnat me rimbursim. Në vazhdën e kontrolleve që kryhen nga ISKSH në shërbimin farmaceutik, tek subjektet që kanë kontratë me sigurimet shëndetësore në të gjithë vendin, në 6 mujorin e parë të këtij viti, janë ushtruar kontrolle në 120 subjekte farmaceutike në rajonet Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat, Elbasani dhe Shkodër. Në vazhdim, është bërë dhe një verifikim observacioni në rrethin e Elbasanit, e Cërrikut si dhe një kontroll tematik në rajonin e Tiranës, Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës. Sipas zëdhënëses ndër shkeljet e konstatuara duhet të përmendim se në disa raste tregtohen barna me rimbursim pa dokumentacionin ligjor duke u rimbursuar padrejtësisht për barna pa i patur gjendje në farmaci në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në. Gjithashtu janë vërejtur mangësi në plotësimin e dokumentacionit sipas detyrimeve kontraktuale, tregtim të barnave pa pullën e kontrollit nga disa farmaci, por edhe praninë e librezave të shëndetit të pacientëve në ambientet e farmacisë. Sipas zëdhënëses së ISKSH-së Kola është konstatuar gjithashtu një përfitim i padrejtë i vlerave të rimbursimit për të cilat janë vendosur ndaj 25 farmacive masa zhdëmtimi në shumën totale 1 113 320.3 lekë, për diferenca në plus të pajustifikuara me fatura si dhe për shkelje administrative në lidhje me dokumentacionet dhe pikat e kontratës janë vendosur ndaj 28 subjekteve farmaceutike gjoba në vlerë totale 336 000 lekë. Nga kontrollet e ushtruara janë ndërprerë kontrata me 3 subjekte farmaceutike.
Kontrrollet
Aktiviteti i Drejtorisë së Kontrollit të subjekteve të Kontraktuara me ISKSH, mbi monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të kontratës me depot distributore dhe importuese. Gjatë këtij viti, përsa i takon depove farmaceutike, kontrolli ka qenë tematik, në lidhje me vërtetësinë e disa faturave të furnizimit të subjekteve farmaceutike dhe të pajisjes së barnave me pullën e kontrollit, të skadencës së barnave të tregtuara. Janë kontrolluar 12 depo importuese dhe distributore dhe ndër problemet që vlen të theksohet është mosdeklarimi i saktë nga ana e depove nëpër faturat e shitjes së serisë dhe datës së skadencës së barit. Mbi këtë problem është ushtruar kontroll për vërtetësinë e këtyre elementëve. Në bazë të kontratës me depot Importuese dhe Distributore janë vënë penalitete ku janë marrë masa te rekomanduara gjobë ndaj 7 depove, në vlerën 590 000 lekë. Në vendin tonë vitet e fundit biznesi i farmacive, si të ligjshme apo jo, është shtuar në masë duke sjellë kështu edhe probleme të mëdha tek medikamentet që shesin këto farmaci të cilat në shumicën e rasteve i mbajnë e i tregtojnë ilaçet pa pulla duke i shitur ato me lirë se zakonisht. Gjithashtu në shumicën e rasteve është vënë re shpesh se tregtimi i ilaçeve në shumë farmaci, është kthyer në biznes të majmë nga subjektet farmaceutike, për tregtimin e ilaçeve që vijnë Serbia apo vende të tjera ku janë evidentuar një sërë problemesh me sigurinë e tyre e me efektet anësore që sjellin zakonisht këto medikamente që kryesisht janë të skaduara e që detyrimisht japin efekte anësore tek pacientët. Zakonisht, edhe pse nga ISKSH, ka patur kontrolle të vazhdueshme biznesi i farmacive është kthyer në afera që sjell fitime tejet të majme për këdo. Në shumë raste, si pronar farmacie të gjithë në kemi vërejtur që mund të jetë edhe një person çfarëdo i cili nuk ka lidhje aspak me shëndetësinë apo me konkretisht me farmacinë.
Arta AGOLLI