Matura 2012 ndryshon totalisht, nxënësit me diploma të tjera
edhe provimet me zgjedhje do të bëjnë pjesë në atë të detyrueshme dhe në fund maturanti nuk do te jetë i pajisur me dëftesë pjekurie, por me një diplomë mature. Këto detaje i jep për drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Tidita Abdurrahmani. Sipas saj deri tani provimet e lëndëve me zgjedhje ishin jashtë marrjes së dëftesës së pjekurisë. Studenti i nënshtrohej atyre thjesht për efekt hyrjeje në universitet dhe përftim koeficientesh dhe pikësh për universitetet. Tashmë do të jenë pjesë e detyrimeve që ai duhet të kryhej përpara se të marrë diplomën e maturës. Për herë të parë maturantët do të vlerësohen edhe me kredite, ku gjatë gjithë viteve të shkollës, duhet të grumbullojnë rreth 90 kredite, për të kaluar gjimnazin. "Në diplomën e tij do të figurojë jo me vetëm notat, po do të jenë pikët dhe kreditet. Studenti duhet të fitojë minimalisht 90 kredite për marrjen e maturës, diplomës së maturës. Projektet kurrikulare, shërbimi komunitar dhe modulet profesionale kanë kreditet e tyre por nuk vlerësohen me notë", vijon Abdurrahmani. Përsa i përket më pas plotësimit të formularit A2 për lëndët me zgjedhje, deri tani nuk ka asnjë propozim për ndryshim, kompetence kjo që i takon Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve.
Sezoni turistik, radhë të gjata në aplikimet për pasaporta biometrike
Aplikimet për dokumentet biometrike të identifikimit janë shtuar, me çeljen e sezonit veror, dhe me rikthimin e emigrantëve. Muajt qershor, korrik dhe gusht, konsiderohen me ngarkesën më të madhe të aplikimeve, në qendrat e aplikimit për kartë identitetit dhe pasaportën biometrike. Shërbimi në qendrat e aplikimit ende kryhet vetëm gjatë 5 ditëve të javës, nga ora 8:00 deri në orën 16:30, ndërsa mëngjesi dhe përfundimi i orarit zyrtar, përbëjnë dhe shqetësimin e radhëve të gjata. Pas aplikimit për kartën e identitetit, interesi më i madh i qytetarëve aktualisht është për pasaportën biometrike. Aleat, me të gjitha qendrat e saj të aplikimit në vend, po punon me kapacitet të plotë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që sikurse edhe në sezonet e kaluara të rritjes së fluksit, të ketë shtyrje të orarit të shërbimit dhe funksionimi i tyre edhe në fundjavë. Shtimi i aplikimit për pasaportën, vjen në kushtet kur ky dokument, do të jetë i vetmi mjet identifikimit i vlefshëm, pas liberalizimit të vizave, për të lëvizur në zonën Shengen.