E Diel, 1 Nëntor 2026

Papandreu, Rama dhe Berisha



Fitorja elektorale e Papandreut në Greqi natën e 4 tetorit ka bërë që kreu i opozitës në Tiranë të ngrejë telefonin dhe të jetë ndër të parët që përshëndeti fitoren kundër-rrymë të socialistëve grekë kundër së djathtës në pushtet. Në një Europë të dominuar nga erëra të djathta, ksenofobe dhe populiste, triumfi i pinjollit të dinastisë Papandreu, aq i pritur dhe i parashikueshëm, ka ngjallur, megjithatë, një reagim surprizë për nga dimensionet e mandateve të fituara dhe thyerjes që përfaqëson në një kontekst më të gjerë kontinental.
PASOK-u do të ketë 160 vende në Parlamentin e ardhshëm grek, çka i lejon ta formojë i vetëm qeverinë e re. Ky spostim spektakolar pas dy fitoresh të së djathtës shënon një faqe të re në politikën greke, e cila tani kërkon përgjigje për krizën e thellë ku ndodhet vendi.
Një element interesant dhe për t’u verifikuar i fitores elektorale të së majtës greke është efekti eventual që ai do të ketë në jetën tonë politike. Këtu edhe përqendrohet me të drejtë vëmendja e opinionit publik shqiptar orët e fundit, pasi Greqia fqinje, me afërsinë territoriale, prezencën e një komponenti etnik-politik mjaft aktiv, praninë e një kleri ortodoks që sheh në një mënyrë a një tjetër drejt Jugut gjeografik, si dhe për shkak të mbi një milion shqiptarëve që banojnë në Greqi prej vitesh – për të gjitha këto arsye dhe për të tjera ende, si është pesha gjeopolitike e Greqisë në rajon dhe sidomos në institucionet europiane, bëjnë që këto zgjedhje të kenë një impakt të pritshëm, qoftë edhe indirekt, mbi politikën tonë.
Të nesërmen e zgjedhjeve të vitit 2005, Berisha tentoi të instalojë me qeverinë “Karamanlis” një urë preferenciale komunikimi dhe bashkëpunimi. Gjatë një udhëtimi të tij drejt vendeve të Lindjes së Mesme, kryeministri i sapozgjedhur Berisha arriti të marrë një takim të shkurtër me Karamanlisin në aeroportin e Athinës, aq sa i mjaftoi për ta siguruar homologun grek se një erë e re marrëdhëniesh duhet të fillonte mes Tiranës dhe Athinës zyrtare. Diçka e vështirë kur paraardhësi i tij quhej Fatos Nano dhe kur marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pasur tradicionalisht një dimension më shumë sesa ideologjik dhe politik.
Bindja e Berishës në atë moment (dhe tani e gjithë ditën), është se Greqia ka pasur një rol deciziv në largimin e tij nga pushteti në vitin 1997, kur sipas tij, motivoi protestat në Jug dhe punoi për daljen e njerëzve në protesta. Kjo frikë konstante, përzier me dëshirën e tij patologjike për t’i bazuar marrëdhëniet me homologët e tij edhe mbi baza rreshtimi politik (Karamanlis ishte i preferueshëm sepse ishte i djathtë), bëri që qeveria e PD-së të tentojë gjatë këtyre viteve një politikë të përulur dhe, pse jo, servile ndaj listës së gjatë të kërkesave greke, që prisnin prej vitesh në sirtarët e qeverive socialiste. U zbut dukshëm qëndrimi ndaj grekëve në Jug të Shqipërisë, iu dhanë atyre shkollat në gjuhën amtare, u qep goja për kërkesat pronësore të çamëve dhe u ra dakord në parim për një marrëveshje ujërash territoriale që nga shumë anë konsiderohet si diskriminuese për vendin tonë. Përballë grekëve Berisha i hoqi të gjitha maskat e nacionalistit, për të veshur ato të qengjit të butë.
Ndryshimi aktual politik në Athinë dhe simpatia e hapur që kryeministri i ri Papandreu ka shfaqur ndaj opozitës së majtë shqiptare (Papandreu ishte i vetmi lider politik europian që zbriti në Tiranë për të ndihmuar PS-në gjatë fushatës), mund të përbëjnë një problem jo të vogël për qeverinë “Berisha-Meta”. Elementet potenciale të një ftohjeje me sfond politik janë të gjitha aty. Është e natyrshme të mendohet se motivet dhe interesat shtetërore shtyjnë drejt një klime qoftë edhe formalisht normale edhe pas ngjitjes në pushtet të PASOK-ut, porse ka mjaft të panjohura në horizontin e marrëdhënieve shqiptaro-greke pas natës së 4 tetorit. Sidomos në rastin kur tensionimi i skajshëm politik në Tiranë do t’i shtynte faktorët politikë europianë që të merrnin një pozicion konkret. Prezenca në koalicionin opozitar të partisë së minoritetit grek, PBDNJ, mund të jetë një element më shumë në këtë ftohje të mundshme mes dy kryeministrave që duket publikisht se nuk e duan njëri-tjetrin. Megjithatë, kjo është ende një hipotezë që duhet provuar. Ajo që duket qysh tani është se ndryshimi i krahut politik në Greqi ka sjellë bashkë me shumë ngazëllime dhe shpresë majtas në Tiranë, edhe një rrudhje buzësh në katet e larta të shtetit shqiptar.

Skënder Minxhozi

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›