Abuzimet, në hetim kreu i zjarrfikëses
BERAT - Prokuroria e Beratit ka vënë në hetim drejtorin e repartit zjarrfikës në prefekturë dhe dy persona të tjerë për shpërdorim detyre dhe konflikt interesash. Skënder Vraka dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke falsifikuar firmën e disa projekteve në emër të inxhinierëve të licencuar. Nga hetimet e kryera deri më tani rezultoi se Vraka iu jepte projekte disa personave që paraqiteshin sipas ligjit për të nxjerrë lejen e ndërtimit pranë repartit zjarrfikës. Kreu i Prokurorisë së Beratit, Xhemal Saliasi, u shpreh se Skënder Vraka është në hetim së bashku me dy persona të tjerë, emrat e të cilëve për efekt hetimi nuk u bënë të ditur. Hetimet e akuzës nisën pasi nga një kontroll i kryer nga oficerët gjyqësorë, u zbuluan abuzime. "Skënder Vraka, me detyrën e drejtorit të repartit zjarrfikës ka abuzuar me detyrën duke falsifikuar firmën e disa inxhinierëve për ndërtime objektesh dhe më pas ia paraqiste ato Drejtorisë së Zjarrfikëses. Por gjatë hetimeve rezulton se Vraka i bënte vetë projektet dhe i firmoste po vetë", u shpreh Saliasi. Prokuroria dyshon se veprimet në kundërshtim me ligjin janë kryer për efekt përfitimi financiar. Pritet që gjatë ditëve në vijim të paraqitet në prokurori vetë Vraka dhe të japë dëshminë e tij në lidhje me falsifikimet e konstatuara. Gjithashtu, në pyetje do të merren edhe dy personat e tjerë, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me kreun e Zjarrfikëses në prefekturën e Beratit. Nga praktika ligjore, çdo shtetas duhet të marrë leje për të ndërtuar një subjekt si lokal, pikë tregtimi ushqimore, pika gazit të lëngshëm, karburant etj., në repartin zjarrfikës kundrejt një shume të përcaktuar. d.xh