E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guvernatori i standardeve evropiane

Fatos Çoçoli

Me keqardhje lexova në gazetën “Panorama”, në datën 1 qershor, një opinion që e cilëson bankën tonë qendrore, Bankën e Shqipërisë, si investuese hotelesh, ndërsa drejtuesin, Guvernatorin e saj të sotëm si “Hiltonin” e Shqipërisë Mendoj se askush nuk ka të drejtë të fyejë mbi 200 punonjës të bankës sonë qendrore, që zhvillojnë një punë të vyer në mbrojtje të interesave monetare të të gjithë ne, 3 milionë shqiptarëve që jetojmë në Shqipëri. Për blerjen e hotel “Dajtit” (një strukturë që vetëm emri i ka ngelur hotel, pse është kthyer në një gërmadhë, në një bashkësi tullash. Të zë fryma po të hysh brenda dhe të merr të qarët, kur sheh se deri ku mund të përçudnohet prona shtetërore), ka pasur hamendje nga më krijueset. është thënë se “Dajti” mund të shndërrohej me një kalim kapitali, pra transferim thjesht nga libri i aseteve të Ministrisë së Ekonomisë, në librin e aseteve të Bankës së Shqipërisë, se nuk kishte nevojë të shitej. Kjo do të kishte qenë e vërtetë, nëse “Dajti” do të ishte marrë nga Ministria jonë e Jashtme (madje ajo e kërkoi për një periudhë kohe, për të zgjeruar ambientet e saj). Brenda Qeverisë, nga një ministri në tjetrën, njëlloj sikurse kalojnë në kapital automjetet, mund të ishte transferuar edhe “Dajti”. Mirëpo kjo strukturë u ble nga një tjetër institucion publik (por jo qeveritar), nga Banka e Shqipërisë. Këtu qëndron ndryshimi. Prandaj dhe ka shitje. Hamendësimi i dytë është se shitja u krye pa ankand, për të marrë një vlerë shumë të madhe, që “Dajti” nuk e meriton, një lloj serumi për financat e etura të Qeverisë, për Arkën e Shtetit, ku bie miu dhe thyen kokën. Për këtë sillet shifra e ofrimit të hotel “Dajti” në ankand për privatizim rreth dhjetë vjet më parë, në vlerën 7.5 milionë euro. Dhjetë vjet më parë janë dhjetë vjet më parë. Një truall dhjetë metër katror në qendër të Tiranës, sot mund të vlejë pesë herë më shumë se dhjetë vite më parë dhe “Dajti” në ankand për shitje privateve mund të ofrohet edhe 37.5 milionë euro. Ndërsa për shitjen pa ankand, qytetarët duhet ta dinë se në shitjen e pronave shtetërore ekziston një e drejtë që quhet “e drejta e parablerjes”. Atë zakonisht e gëzojnë ish-pronarët. “Dajti” nuk ka ish-pronarë privatë. Nëse një strukturë publike(në këtë rast Banka e Shqipërisë), ia kërkon me ngulm një aset, kapital(në këtë rast hotel “Dajtin”) një strukture tjetër publike(qeverisë shqiptare) që shet prona shtetërore, zbatohet e drejta e parablerjes dhe aseti shitet pa ankand. Kjo është formula sa e thjeshtë, aq edhe e vërtetë e shitjes së hotel “Dajtit”. Pak kush e përmend në media, por blerja e hotel “Dajtit” është rezultat i konsultimeve të gjata me një grup pune të specialistëve të Bankës së Shqipërisë me specialistë nga Kryeministria. Madje, projekti i Bankës së Shqipërisë për hotel “Dajtin” (edhe ky projekt nuk u bë sa hap e mbyll sytë, me kërkesën urgjente të Qeverisë për para, por kërkoi javë të tëra) është shumë origjinal dhe do t’i përmbahet arkitekturës me të cilën hoteli ka njohur ditët e tij të shkëlqimit, duke mos prekur vlerat muzeale të tij. Banka jonë qendrore duhet të bëhet e njohur për të gjithë shqiptarët se ndodhet në një fazë tranzicioni të ambienteve të saj. Ka nisur fazën e rikonstruksionit të godinës qendrore, ndërsa personeli është zhvendosur në ambiente të tjera të marra me qira ose të blera. Por sërish, me planet dhe personelin që ka banka, ambientet janë të pamjaftueshme. Në këto kushte, duke qenë se blerja e një godine të re ishte e pashmangshme, dhe nisur nga modeli i bankave qendrore në vende të tjera, Banka e Shqipërisë nisi diskutimet me Qeverinë për të blerë hotel “Dajtin”, pasi u diskutuan edhe variantet e tjera. Hotel “Dajti” si pozicion dhe shumatore metrash katrore është shumë i përshtatshëm për bankën tonë qendrore, pse ndodhet në qendër të Tiranës. Diskutimet kishin nisur me kohë(muaj më parë), ndërsa ishte krijuar grupi i punës, deri në finalizimin e marrëveshjes. Për Bankën e Shqipërisë ishte e vështirë gjetja e një terreni të lirë, nisur dhe nga problemet e pronësisë që janë në Shqipëri, në mënyrë që të ndërtonte një godinë krejt të re. Për rrjedhojë, ekzistenca e hotel “Dajtit”, tërësisht i disponueshëm dhe me pozicion të përshtatshëm, i dha mundësi asaj që ta blinte. Kjo është e gjithë e vërteta. Me “Dajtin”, Banka e Shqipërisë siguron ambientet e duhura për të kryer funksionet normale si një bankë qendrore e standardit europian. Guvernatori Fullani, që e vuri firmën mbi shitjen, kërkon pikërisht këto standarde. Mjafton të shikohet standardi i metrave katrorë për një punonjës banke qendrore në vendet e Bashkimit Europian, ku duam të vemi. Punonjësit e bankës sonë qendrore në godinën ekzistuese e kanë tre herë më të ulët. Prandaj, duke qenë se integrimi i vendit dhe i sistemit bankar kërkon infrastrukturë dhe logjistikë të zhvilluar, blerja e ‘Dajtit’ për Bankën e Shqipërisë ishte një veprim që ia mundëson të plotësojë të gjitha parametrat e një banke qendrore europiane, dhe jo një dorë parash të dhëna arkës së shtetit tonë në ditë të hallit, sikurse duan ta paraqesin disa gjuetarë të kolapsit tonë ekonomik. Nëse Banka e Shqipërisë do të blinte po një të pestën e metrave katrore, që siguroi me “Dajtin” nga një qendër private biznesi, sërish në zemër të Tiranës dhe jo me 30, por me 40 milionë euro, askush nuk do të thoshte një gjysmë fjale. Fjalnaja vjen nga orekset politike me të cilat keqtrajtohet një shitje publike, duke fyer 200 punonjës profesionistë të këtij shteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›