Ksamil, mbyllet aksioni i Ndërtimores
KSAMIL - Me shembjet e ditës së djeshme arriti në 200 numri i objekteve të shkatërruara nga fadromat e ndërtimorëve në Ksamil. Prej dy javësh ato ndodhen në qytezën turistike, për të bërë pastrimin e zonës nga ndërtimet e paligjshme. Veprimet operacionale për shembjen e ndërtimeve të identifikuara pa leje, kanë vazhduar me të njëjtin intensitet në qytezën e Ksamilit edhe gjatë së mërkurës. Zona ku është përqendruar goditja e ndërtimorëve dje ishte ajo e Marinës. Shembjet e bëra në këtë zonë kanë qenë ndërtime njëkatëshe, të cilat ishin në proces ndërtimi si dhe të tjera në hapësirën e plazheve publike. Dita e sotme pritet të jetë e fundit e operacionit të koduar "Pastrimi i Rivierës 2010", për të vazhduar në drejtim të Berdeneshit. Ndërkohë do të mbesin në këmbë disa ndërtime që janë të banuara, për të cilat do të vendoset muajt e ardhshëm. sh.d