E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat në Bruksel, pa rezultat



Aristir Lumezi

Asnjë rezultat nuk është arritur në negociatat e fundit në Bruksel, mes PD-PS dhe ekspertëve europianë.
Përfaqësuesit e KE-së i kanë lënë dy partive të gjithë muajin qershor si hapësirë kohore, për të zgjidhur kontradiktat e tyre në lidhje me transparencën e zgjedhjeve. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri dhe shefi i kabinetit të Kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi u kthyen nga Brukseli pa arritur asnjë rezultat konkret nga negociatat që zhvilluan aty në prani dhe të ekspertëve të Komisionit Europian. Ata ishin dje në krye të detyrës, Gjiknuri si deputet në Kuvend dhe Bylykbashi në krah të Kryeministrit në pritjet protokollare. Mësohet se pika e nxehtë e negociatave të fshehta, që po mbahen në Bruksel dhe Tiranë, mes dy partive mbeten fletët e votimit. Socialistët konsiderojnë hetimin e materialeve zgjedhore, si një lëshim që i bëjnë PD për të bërë transparencën, ndërsa angazhimin për të lënë grevën e urisë dhe rikthimin në Parlament të deputetëve të saj, si një detyrim për të kthyer normalitetin e jetës parlamentare. Por PD nga ana e saj vazhdon të qëndrojë fort në zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor. Edhe negociata dy ditore në Bruksel mes dy ekspertëve, nën monitorimin e evropianëve, nuk sollën asgjë të re në këtë pikë.
Liberalizimi
Zgjidhja e krizës është vendosur nga europianët si kusht që do të nxisë miratimin e vendimit për heqjen e vizave të Shqipërisë me zonën Shengen. Për këtë arsye, ata kërkojnë një zgjidhje të shpejtë brenda javëve në vazhdim, por gjithnjë brenda muajit qershor. Nëse vendimi për liberalizimin e vizave nuk merret brenda muajit qershor, Parlamenti Europian do të rinisë punën në vjeshtë, duke e shtyrë për një kohë të gjatë liberalizimin. Duke bërë këtë presion me çështjen e vizave, europianët presin që partitë politike shqiptare të gjejnë zgjidhjen e kërkuar. Nuk jepen detaje rreth negociatave në Bruksel mes dy ekspertëve të PD-PS, por mësohet se asnjëra nga selitë e partive nuk shprehet entuziaste për pikën ku ndodhen negociatat. Ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës mes tyre, për të propozuar më pas në fund draftin final, që do të shënonte dhe gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në vend.
Brukseli
Dy juristët e njohur, Gjiknuri dhe Bylykbashi, bashkëhartues të Kodit Zgjedhor, janë zgjedhur nga Brukseli si profesionistët që mund të ofrojnë një formulë të pranueshme për të dy palët. Të dështuar në negociatat në Tiranë, edhe me ndërmjetësimin e Presidentit të Republikës, PD e PS po detyrohet të shkojë në një zgjidhje pas monitorimit të rreptë të Brukselit. Dy ekspertët diskutuan në Bruksel në atë pikë që negociatat mbetën në Tiranë, mbrëmjen e 27 majit, kur dy ekspertë të PS, Gjiknuri dhe Vasilika Hysi dhe nga PS, Bylykbashi dhe Ivi Kaso, biseduan deri në orët e para të mëngjesit pa dhënë një përgjigje konkrete për zgjidhjen. Negociatat në selinë e KE-së në Tiranë, në praninë e ambasadorit Lohan, u zhvilluan pas mbledhjes së opinioneve të ekspertëve të Brukselit nga kreu i maxhorancës, Berisha dhe ai i opozitës, Rama. Por si të ishin dy çështje të ndryshme, edhe pse negociatorët e dy partive vazhdojnë të merren me termat e një marrëveshjeje PD-PS, politika e Tiranës vazhdon të deklarojë ngërçin prezent, duke mos dhënë asnjë shenjë zgjidhje të krizës. Deklaratat e ditëve të fundit tregojnë pozicionimin e palëve në llogoret e vjetra, duke dhënë idenë se ato nuk bëjnë asnjë lëshim nga qëndrimet e tyre. Socialistët vazhdojnë të kërkojnë transparencë të zgjedhjeve, mbështetur në Kushtetutë, duke iu referuar të drejtës kushtetuese për informim, ndërsa demokratët këmbëngulin në zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton asgjësimin e fletëve të votimit dhe dërgimin e materialeve zgjedhore në arkivën e shtetit. Për shkak të hermetizmit në të cilin zhvillohen negociatat, nuk dihet ende se kur do të jetë takimi i ardhshëm mes tyre.

Deklaratat

Rama: Berisha po sakrifikon vizat për të mos hapur kutitë
Kreu socialist i kërkoi dje Kryeministrit Berisha të zgjidhë krizën, ndërsa dështimet e qeverisjes së tij të mos ia faturojë opozitës. Rama ka përsëritur apelin për konsensus politik dhe për këtë ai ftoi Kryeministrin Sali Berisha të lexojë siç duhet edhe mesazhet e forta që po vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni. “Ky njeri nuk po sillet si Kryeministër i vendit, po si përfaqësuesi i një bote interesash, përfitimesh e veprimesh, të cilat bien ndesh me të mirën e përbashkët të vendit e të njerëzve të këtij vendi. Sepse në fakt, ky njeri nuk i ka fituar votat e popullit për të qenë Kryeministri i Shqipërisë, po i ka grabitur ato pikërisht për të ricikluar pushtetin e interesave, përfitimeve e sjelljeve që s’kanë të bëjnë me prioritetet e Shqipërisë e as me interesat e shqiptarëve”, u shpreh Rama. Sipas kreut të Partisë Socialiste, Kryeministri nuk mund t’i faturojë opozitës asnjë nga dështimet e tij të mëdha, që nga zvarritja në liberalizimin e vizave te rrënimi ekonomik i vendit. Por për Ramën, Kryeministri po shkon më tej me ndryshimin e rregullores dhe votimin e hapur të dekreteve të Presidentit, një lëvizje kjo që është një sfidë e çmendur përballë qëndrimit të deklaruar nga Shtetet e Bashkuara për kapjen e sistemit gjyqësor. “Mesa duket e vërteta e kutive të 28 qershorit është edhe më e rëndë se sa ç’e parashohim ne, dhe frika e Berishës nga e vërteta e tmerrshme që ai fsheh në kuti është aq e madhe, sa e shtyn Kryeministrin tonë përditë e më thellë drejt qorrsokakut, ku po e merr me vete vendin”, theksoi Rama. Lideri i opozitës i bëri thirrje Kryeministrit t’i hapë rrugë transparencës së zgjedhjeve, siç tha ai, sa s’është ende vonë. “Për të mbajtur kutitë të mbyllura, Sali Berishës i duhet të kapet si mace në xham, pas vendimesh gjykatash që nuk ekzistojnë dhe argumentesh ligjorë që nuk rrinë një sekondë në këmbë. Dhe mbi kutitë e mbyllura të një krimi elektoral, që në fakt po del dita-ditës në pah, pikërisht, sepse Sali Berisha është gati të sakrifikojë edhe liberalizimin e vizave vetëm që kutitë të mos hapen. Kryeministri i pavotuar i Shqipërisë po shkel përditë Kushtetutën e po hedh përditë hapa në drejtim të kundërt me integrimin e vendit, duke thelluar krizën e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë”, theksoi Rama.

Berisha: Do tregoj një ditë si u mbyll darka e Strasburgut
Kryeministri Sali Berisha i bëri sërish thirrje opozitës të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të hartojë të gjitha amendamentet për Kodin e ri Zgjedhor, në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike. Duke folur në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Kryeministri iu rikthye edhe njëherë vendimit të fundit të Komisionit Europian, që sipas Berishës erdhi pas zhvillimit të zgjedhjeve me standarde në 28 qershor. “Zgjedhjet janë dëshmia më e shkëlqyer e funksionimit të shtetit ligjor në këtë vend. Këto zgjedhje nuk ishin të përsosura, por kanë disa standarde unike në botë. Standard unik është procesi i numërimit, është konstatimi se nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultateve, as edhe numërim të parregullt, është seti elektronik i procesit të numërimit, e drejta e vetos, e çdo të pranishmi në këtë proces”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Sipas tij, në takimin e Strasburgut nuk pati asnjë ultimatum nga pala e Bashkimit Europian, ndërkohë që bëri sërish kujdes për të mos nxjerrë detaje të tjera. Megjithatë, Berisha tha se në të ardhmen do të tregojë se si u mbyll ky takim. “Dyert e dialogut me opozitën mbeten të hapura. Por një gjë do t’i kërkoj sot kryetarit të opozitës. Në interesin e tij më të mirë, të heqë syzet e së shkuarës, me të cilat lexon mesazhet e miqve dhe institucioneve ndërkombëtare. E bëri ketë me Këshillin e Europës dhe ju jeni dëshmitarë, se nga zulmitar i madh, që lartësoi zulmin e rezolutës së Këshillit të Europës, më pas, me qëndrimet që mbajti, e shpalli një letër pa vlerë”, tha Berisha. Sipas tij “ndaj zoti Rama, më mirë lexoi me realizëm, se kjo do të bëjë të mundur të përfitosh maksimalisht ato që ti mendon se të takojnë, por jo gjithçka. Kurse me daljet e tua, që nga Strasburgu, se u dha një ultimatum, po t’u them shqiptarëve se si u mbyll Strasburgu, çka një ditë do ta them se është në interesin e tyre, por po t’u faktoj se si u mbyll Strasburgu, duhet të rishqyrtojë pak veten”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›