Burgaj, inspektim me helikopter mbi Lazarat
GJIROKASTER - Lazarati vëzhgohet nga ajri përgjatë gjithë mesditës së të mërkurës nga helikopteri i Policisë së Shtetit. Ka qenë vetë kreu i kësaj drejtorie Hysni Burgaj, i cili ka insistuar të shikojë nga afër gjendjen në Lazarat për t'u siguruar që si rrallëherë në fshatin rebel, nuk kultivohet më hashash. Vrojtimi nga ajri ka nisur në orën 13:00 të ditës së mërkurë dhe më pas vetë Burgaj ka shkelur në Lazarat. Dy krerët më të lartë të Policisë Shqiptare Hysni Burgaj dhe Hamdi Fjora kanë inspektuar komunën Lazarat për rreth gjysmë ore me helikopterin e policisë, duke vëzhguar nga afër situatën reale në këtë komunë. Rreth orës 15:00, Burgaj i shoqëruar nga krerët e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Gjirokastër dhe patrulla e Përgjithshme, kanë inspektuar me këmbë disa lagje të Lazaratit dhe më pas, morën kontakt me kreun dhe këshilltarët e kësaj komune. Për herë të parë kreu i Policisë së Shtetit, ka falënderuar të zgjedhurit vendorë dhe komunitetin e fshatit Lazarat, për bashkëpunim me strukturat policore dhe kjo erdhi fill pas inspektimit pëllëmbë për pëllëmbë në territorin e fshatit për gati 1 orë, ku nuk vërejti asnjë gjurmë të mbjelljes së hashashit apo kultivimit të kësaj bime. "Dëshiroj që ky vit, të jetë viti i heqjes së Lazaratit nga harta e kultivimit të bimëve narkotike", është shprehur Burgaj. Ndërkohë që kërkoi nga uniformat blu të Qarkut të Gjirokastrës, rinisjen e kontrolleve të specifikuara që ditën e sotme duke vijuar intensivisht deri në fund të muajit qershor. Të parët të cilëve Burgaj ka kërkuar t'u bëhet kontroll do të jenë punonjësit e policisë nga ky fshat, e më pas të zgjedhurit vendorë, të punësuarit në administratën lokale dhe rajonale dhe më pas të gjithë banorët. "Detyra parësore e Policisë Shqiptare është parandalimi, por në rast se persona të caktuar nuk do t'i binden kësaj forme, atëherë ne jemi të vendosur për të ndërhyrë në çdo cep të territorit përfshirë edhe Lazaratin, për të dërguar para ligjit këdo që do të kultivojë bimë narkotike", deklaroi kryepolici. p.n