Abuzimet në tregun e bonove, 5 rekomandimet për Fullanin, Boden dhe AMF
Autoriteti i Konkurrencës ka hartuar një plan me pesë rekomandime për rregullimin e konkurrencës në tregun primar të bonove të thesarit pas konstatimit të shkeljeve në këtë treg. Komisioni i Konkurrencës i sugjeron Bankës së Shqipërisë të rikthejë depozitimin
cash në sportelet e saj në Tiranë dhe në 5 rrethet kryesore ku ajo ka degë për pjesëmarrjen në ankandet e tregut. Një tjetër rekomandim është ai për Ministrinë e Financave. Sipas komisionit ministria duhet të risë marketingun e produktit të bonove të thesarit për të rritur gamën e pjesëmarrësve në ankandet e tregut primar të biznesit, institucionet financiare dhe individëve nëpërmjet njoftimet publike të ankandeve të radhës. Sipas Autoritetit të Konkurrencës Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duhet të rritjesh mbikëqyrjen në tregun me pakicë dhe transparencën e tij, në përmbushje të detyrimeve ligjore për mbikëqyrjen e tregut sekondar me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë.
Rekomandimet
Autoriteti i Konkurrencës vendosi ti propozojë Bankës së Shqipërisë të rikthejë depozitimin cash në sportelet e saj në Tiranë dhe në 5 rrethet kryesore ku ajo ka degë për pjesëmarrjen në ankandet e tregut primar të bonove të thesarit si një mënyrë efikase për eliminimin e kostos së transaksionit të shumave të investuara për bono thesari nga bankat e nivelit të dytë drejt Bankës së Shqipërisë. Një tjetër rekomandim ishte ai për Ministrinë e Financave e cila duhet tí propozojë të risë marketingun e produktit të bonove të thesarit për të rritur gamën e pjesëmarrësve në ankandet e tregut primar të biznesit, institucionet financiare dhe individëve kryesisht nëpërmjet njoftimet publike të ankandeve të radhës (jo vetëm te TVSH dhe ATSH) por te të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike. Përgatitja e fletëpalosjeve dhe broshurave të tjera informative për bizneset, klientët e bankave, shoqatat e konsumatorëve. Sipas Autoritetit të Konkurrencës marketing duhet të jetë interaktiv nëpërmjet internetit dhe instrumentave të tjerë të komunikimit me publikun ndërkohë që duhet aplikuar edhe marketing ndërkombëtar për bonot e thesarit për rritjen e pjesëmarrjes në tregun primar të bonove të thesarit.Ndërkohë AK vendosi ti rekomandojë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare rritjen e mbikëqyrjes në tregun me pakicë dhe transparencën e tij në përmbushje të detyrimeve ligjore për mbikëqyrjen e tregut sekondar me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë, AMF të mbikëqyrë në mënyrë periodike tregun e bonove të thesarit duke përgatitur raportet e mbikëqyrjes së këtij tregu (ashtu siç vepron me tregun e sigurimeve dhe me tregun e sigurimeve të pensioneve vullnetare) dhe të informojë Autoritetin, mbi problematikën e hasur në funksionimin e këtij tregu si pasojë e ndonjë kufizimi të mundshëm të konkurrencës. AMF duhet të zhvillojë instrumentet e duhur për mbrojtjen konsumatore edhe për letrat me vlerë të qeverisë ashtu siç po vepron me mbrojtjen konsumatore për tregun e sigurimeve duke ngritur një njësi për trajtimin e ankesave të individëve që marrin pjesë në tregun e letrave me vlerë dhe mundësimin e dëmshpërblimit të dëmit konsumator të shkaktuar nga bankat e nivelit të dytë.
Shkeljet
Në tregun primar të bonove të thesarit shkelen kushtet e konkurrencës, mungon informacioni për publikun dhe legjislacioni ka mangësi të theksuara. Nga vëzhgimet Autoritetit të Konkurrencës është konstatuar se në banka të ndryshme që ofrojnë tregtimin e bonove të thesarit në tregun sekondar, vihet re një mungesë e transparencës në informimin e klientëve përsa i përket bonove të thesarit. Sipas një raporti të Autoritetit të Konkurrencës mësohet se në vëzhgim është konstatuar mungesa e broshurave informuese në lidhje me bonot e thesarit, gjë që i mundëson klientëve njohjen më të mirë me këtë shërbim që ofrojnë bankat. Sipas raportit mësohet se në këtë treg hasen pengesat ligjore dhe ekonomike për të hyrë në tregun e bonove te thesarit.
Kushtet për tu bërë pjesë e tregut të bonove
Në tregun primar të bonove të thesarit mund të marrë pjesë çdo person juridik ose fizik, vendas ose i huaj. Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje, që mund të konsiderohet si barrierë për hyrjen në treg, është 300 000 (treqind mijë) lekë. Ndërsa për të qenë pjesë e tregut sekondar me pakicë bankat ose subjektet e tjera duhet të marrin një licencë nga AMF, e cila jo vetëm jep licenca për tregun sekondar me pakicë por edhe e mbikëqyr atë. Në raport mësohet se për të marrë licencën për tregun sekondar me pakicë bankat duhet të trajnojnë stafet që do të ofrojnë këtë produkt dhe duhet të mbajnë llogari ditore që raportohen në AMF, duke përbërë në këtë mënyrë kosto shtesë. Ndërsa përsa i përket individëve, ata mund të marrin pjesë në tregun sekondar me pakicë duke blerë ose shitur bono thesari mjafton që të kenë 10.000 lekë. Duhet që banka që shet bono në tregun sekondar me pakicë të pajisë blerësin me një vërtetim shpallje fitues për veprimet e tregut primar dhe me një vërtetim blerjeje për veprimet e shitjes nga portofoli i vetë. Në përfundim të monitorimit të kryer në tregun primar të bonove të thesarit nga Sektori i Studimit dhe Analizës, Sekretari i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës bazuar në nenin 42, pika 1 të Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 Për mbrojtjen e konkurrencës, me anë të Vendimit Nr. 8, datë 15.07.2008 vendosi Hapjen e hetimit paraprak në tregun primar të bonove të thesarit. Me Vendim Nr. 98, datë 18.12.2008 Komisioni i Konkurrencës vendosi Hapjen e hetimit të thelluar për abuzimin ose jo me pozitën në tregun primar dhe sekondar të bonove të thesarit. Para vendimmarrjes, Komisioni i Konkurrencës zhvilloi një seancë konsultative me përfaqësuesit e institucioneve si Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes të cilët paraqiten komentet e tyre me shkrim dhe në formë verbale .
Ornela Manjani