Abuzimet, pezullohet projekti i dhëndrit të Berishës
Banka Botërore
Shqetësuese është marrëdhënia mes qeverisë për të kontrolluar ndërtimet e paligjshme përgjatë bregdetit dhe aktiviteteve që lidhen me planifikimin e përdorimit të tokës, të mbështetura nga projekti
TIRANË- Projekti për bregdetin e jugut shqiptar, i cili menaxhohet nga dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, është pezulluar nga Banka Botërore, për shkak të shkeljeve të shumta të gjetura në të.
I përfolur si një projekt i paplotë dhe me shumë abuzime, ai ka marrë një goditje të drejtpërdrejtë nga vetë financuesi, i cili është edhe një nga institucionet monetare më të fuqishme në botë.
Vetë kryeministri Berisha ka dalë hapur dje në mbrojtje të këtij projekti dhe kjo ka detyruar Bankën Botërore të dalë me një komunikatë për shtyp në orët e pasdites. Në sqarimin e Bankës Botërore, vihet theksi tek lidhjet e Jamarbër Malltezit me tokat në bregdetin e jugut. Vetëm pak kohë më pas, "Shekulli" ka bërë publik skandalin ku bashkëshorti i Argita Berishës ka krijuar një firmë për të përfituar vetë nga projekti që drejtohet nga ai.
Sipas deklaratës së Bankës Botërore, projekti në fjalë është shqyrtuar nga një grup inspektimi, i cili ka bërë edhe një raport konkret. Tashmë ky raport është në duart e Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të bankës Botërore, të cilët do të marrin edhe masat përkatëse.
"Banka Botërore nuk mund të komentojë më tej, deri sa Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të mblidhet dhe të diskutojë raportin, si dhe përgjigjen e grupit të menaxherëve. Megjithatë, për momentin mund të themi se janë bërë gabime në projekt dhe se po merren aktivisht në konsideratë mënyrat e trajtimit të dënimit të mundshëm të atyre që janë prekur",- thuhet në njoftimin për shtyp të Bankës Botërore.
Takimi i bordit është parashikuar që të zhvillohet në mes të muajit shkurt dhe raporti përkatës do të bëhet publik menjëherë pas kësaj. Por, në deklaratë vihet theksi edhe tek gabimet e shumta të gjetura në projektin që menaxhohet nga bashkëshorti i vajzës së kryeministrit, Jamarbër Malltezi.
"Banka Botërore shqetësohet për gabimet e bëra në kuadër të këtij projekti nga grupi i menaxherëve dhe stafi. Në përputhje me procedurat e brendshme, banka është duke shqyrtuar veprimet e stafit të saj dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të marrë masat e duhura",- thuhet në deklaratën zyrtare.
Ndërkohë, Banka Botërore ka njoftuar se, që prej datës nëntë janar të këtij viti, ka pezulluar përkohësisht disbursimin e kredisë së IDA-s për projektin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare dhe Pastrimit të saj.
Sipas zyrtarëve të bankës, shkaku i pezullimit janë disa çështje specifike shumë të rëndësishme të politikave që lidhen me zbatimin e projektit. "Në veçanti është marrëdhënia mes qeverisë për të kontrolluar ndërtimet e paligjshme përgjatë bregdetit të jugut dhe aktiviteteve që lidhen me planifikimin e përdorimit të tokës, të mbështetura nga projekti",- thuhet në deklaratën zyrtare të Bankës Botërore.
Dhëndri i kryeministrit, në konflikt me detyrën, ka krijuar një firmë, që ka si synim tokat e bregdetit të jugut
Malltezi krijoi firmë që të fitonte nga projekti
Ditët e fundit të vitit të kaluar, "Shekulli" zbuloi një prej skandaleve të familjes kryeministrore, i cili kishte të bënte pikërisht me projektin e jugut. Dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, është bërë kohët e fundit aksioneri i një kompanie që ka si objekt të punës së saj investimet në bregdetin e jugut të Shqipërisë. Por kjo kompani është në konflikt të hapur me faktin që Jamarbër Malltezi është koordinator i projektit kombëtar të financuar nga Banka Botërore për Zhvillimin e Integruar të Bregdetit të Jugut.
Ai është njeriu që duhet të vendosë për projektet, ndërsa firma ku ai është aksioner është kompania që duhet të ndihmojë fituesit e projekteve. Dhe në këtë fushë, kryeministri Berisha ka vendosur të investojë jo pak, por 325 milionë euro. Sipas dokumenteve që disponon "Shekulli", më datën 7 tetor të këtij viti, Malltezi, së bashku me dy ortakë të tjerë (Ardian Shehu, biznesmen dhe Lirim Selfo, ekspert i licencuar mjedisor) kanë themeluar kompaninë "Mjedisi dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm" (ose: Environment and Sustainable Development, ESD). Malltezi zotëron rreth 33 për qind të aksioneve të shoqërisë.
Objektivat dhe statuti i kësaj kompanie private përputhen plotësisht me objektivat e projektit të financuar nga Banka Botërore për bregdetin e jugut, projekt i cili, në Shqipëri, prej tre vjetësh menaxhohet nga zoti Malltezi.
"Shoqëria ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime konsulence në fushën e mbrojtjes së mjedisit, infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe aktivitetet për të cilat kërkohet pajisja me leje, shoqëria merr përsipër zhvillimin e tyre pas sigurimit të lejes",- thuhet në statut. Kështu është më se e qartë që objektivat e kompanisë private të zotit Malltezi përputhen plotësisht me objektivat e projektit të Bankës Botërore, i cili përcakton se "do të sjellë një zhvillim turistik dhe kulturor të integruar, në kujdesjen dhe mbrojtjen e mjedisit dhe të vlerave kulturore. Plani do të synojë planifikimin e investimeve në zonat e piketuara, duke respektuar rigorozisht standardet mjedisore dhe ato ndërtimore".