E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli, ushqimet e paketuara shiten nën peshë

TIRANË- Ushqime të paketuara mirë, etiketa pothuajse origjinale, por, nga ana tjetër, edhe cilësi e dobët e, për më tepër, tregtim nën peshë. Pikërisht shitja e mallrave nën peshë është kthyer në një fenomen shqetësues, kur ata që ankohen më shumë janë vetë konsumatorët. Një verifikim i "Shekulli"-t dhe shoqatave për mbrojtjen e konsumatorëve, ka treguar se mallrat për të cilat është paguar, duke iu referuar etiketës, nuk peshojnë aq sa është shkruar në të. Të dhënat tregojnë se produktet e konsumit të përditshëm, siç janë ushqimet, pijet e lëndët ngrohëse, shpeshherë shiten 5 deri në 15 për qind më pak se pesha për të cilën konsumatori paguan. Sipas kreut të Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, Islam Cani, ka shumë raste kur blerësit "vidhen" në sasi të konsiderueshme për çdo njësi.
"Për kategorinë e mallrave të parapaketuara si, sheqer, makarona, oriz, miell, zakonisht konsumatori merr nga 50 deri në 150 gramë më pak, ndërkohë që në rastin konkret etiketa shënon 1 kg ose 500 gram dhe ky i fundit ka paguar për këtë sasi", - thotë Cani. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2008, vetëm Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar i janë drejtuar 148 ankesa në lidhje me produktet me probleme me peshën. Gjithashtu, kreu i SHKSH-së numëron dhjetëra ankesa qytetarësh, të cilat kanë si subjekt mospërputhjen e peshës reale dhe asaj çka shkruhet në etiketë.
Duke e konsideruar shitjen nën peshë si një fenomen tepër problematik, Cani fton konsumatorët që të tregohen të kujdesshëm, duke kontrolluar sasinë dhe higjienën e mallrave që blejnë. Sipas specialistëve të fushës, kujdesi i treguar nga konsumatorit konsiderohet si tepër i rëndësishme për tregjet në të cilat hasen probleme të tilla. Të njëjtën këshillë e jep edhe inspektori për produktet e parapaketuara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, Zef Filipi. Sipas tij, pavarësisht kontrolleve të vazhdueshme të kryera nga inspektorët, është vetë konsumatori ai i cili duhet të tregojë kujdes të madh gjatë blerjes. "Ne përpiqemi që këto mallra me probleme në peshë t'i bllokojmë që në magazina ose në fabrika, kur bëhet fjalë për prodhime të vendit, pasi në qoftë se produkti arrin tek njësia e shitjes, ka mbaruar çdo gjë", - thotë inspektori. Ai shpjegon se abuzimi me peshën bëhet nga prodhuesi ose nga vetë tregtari, për produktet që nuk vihen re, edhe në qoftë se hapen, merret një sasi dhe mbyllen përsëri për t'iu shitur konsumatorëve. Inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë kanë për detyrë të kontrollojnë çdo njësi tregtare për mallrat të cilat ajo tregton. Por kjo drejtori justifikohet me numrin e vogël të punonjësve, që e bën tepër të vështirë mbikëqyrjen e të gjitha njësive. Sipas procedurës së ndjekur nga këta të fundit, në fillim vërehet produkti me probleme në magazina ose fabrika prodhimi, e cila i raportohet prodhuesit ose importuesit. Në rast se i njëjti mall haset përsëri me probleme, nga inspektorët merret masa e sekuestrimit të tij, duke mos e lejuar të hidhet në treg. Pavarësisht se nuk i mohon problemet, Filipi thotë se ka edhe raste kur, qytetarët, duke mos i njohur ligjet ankohen edhe pa të drejtë. Sipas tij, për mallrat e parapaketuara ligji parashikon edhe toleranca të vogla, të cilat nuk ndikojnë tek konsumatori. Për sa u përket mallrave me probleme të hasura në njësitë e shitjes, inspektorët i kërkojnë shitësit heqjen e këtij produkti nga rafti dhe kthimin e tij atje ku është marrë. Masa e gjobës ndaj shitësve me pakicë merret vetëm nëse i njëjti mall haset për të dytën herë me probleme. Pikërisht këtu qëndron edhe ngërçi, pasi gjobën e vënë nga inspektorët mund ta vlejë vetëm pushteti vendor dhe jo këto të fundit, duke e kthyer aktivitetin e tyre vetëm në konstatues të shkeljeve.


Mallëra që kanë probleme me peshën dhe me etiketat përkatëse
Shënon Është
Jufka 500 g 450 g
Makarona 500 g 465 g
Miell 1 kg 950 g
Oriz 1 kg 980 g
Trahana 500 g 380 g
Fërgese Nuk shënohet pesha dhe adresa e prodhuesit
Çokokrem Nuk cilësohet përmbajtja

Të dhënat janë marrë nga Shoqata e Konsumatorit Shqiptar


Pesha e mallrave në dorë të tregtarëve
Mallrat e parapaketuara janë produktet, të cilat zakonisht shiten për njësi dhe jo me peshë, duke krijuar mundësi për abuzime. Janë vetëm 17 inspektorë, ata të cilët duhet të kontrollojnë produktet e të gjitha njësive tregtare të vendit. Të ndodhur përballë këtij fakti, inspektorët kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve, pasi fizikisht nuk mund të bëjnë kontrollin e çdo njësie tregtare në të gjithë vendin. Duke vërtetuar në një farë mënyrë edhe pamundësinë e kontrollit të të gjitha shitoreve prej inspektorëve, Ervini, pronar i një marketi në kryeqytet, tregon se ka disa vite që e ushtron aktivitetin e tij dhe nuk ka hasur ndonjëherë inspektorë të metrologjisë. "Kam pesë vite që e kam hapur këtë aktivitet dhe, përveç tatimorëve, nuk me ka ardhur njëri tjetër për kontroll",- thotë ai. Mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe roli vetëm i konstatuesit të shkeljeve për inspektorët e metrologjisë, e bën më të vështirë shmangien e abuzimeve në tregun e mallrave të parapaketuara, ku zakonisht, në mungesë të vëmendjes së tyre, konsumatorët mbeten peng i ndërgjegjes së tregtarëve.


Malli më i konsumuar në tavolinat shqiptare shitet në mënyrë abuzive, edhe pse çmimi i grurit është ulur ndjeshëm

Cani: Abuzime me çmimin e bukës

TIRANË- Buka vazhdon t'u shitet qytetarëve me çmime të larta, pavarësisht luhatjeve që ka pësuar në tregjet ndërkombëtare çmimi i grurit. Rrallëherë mund të rastisë që bukën masive ta blesh me më pak se 70 ose 80 lekë, edhe këto në shumicën e rasteve, më pak se 1 kg, peshë për të cilën shitet. Kjo ecuri çmimesh vazhdon të ndiqet që në kohën kur çmimi i grurit në bursat ndërkombëtare shënonte 500 dollarë për ton. Pavarësisht se në bursa gruri nuk shitet më shumë se 300 dollarë për ton dhe se çmimi i naftës ka shënuar rënie rekord, përsëri qytetarët e blejnë bukën me çmimet e fundvitit 2007 dhe fillim vitit 2008. Referuar të dhënave të një shoqërie të tregtimit të miellit me shumicë në Tiranë, në fillim të vitit 2008, kur ishte edhe kulmi i çmimeve, mielli u shitej furrave mesatarisht 6000 lek kuintali, ndërsa në ditët e sotme ky çmim nuk i kalon 4500 lekë. Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve, Kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Islam Cani, shprehet se, në tregun e grurit ekziston një monopol, i cili nuk lejon reflektimin e plotë në tregun vendas të uljeve që ka pësuar çmimi i grurit në bursat e vendeve nga ku importohet. "Prej gjashtë muajsh, çmimi i grurit ka pësuar një ulje të konsiderueshme, ndërsa në vendin tonë nuk është reflektuar plotësisht, duke shtuar dyshimet për ekzistencën e monopolit edhe në këtë treg", - u shpreh Cani. Sipas tij, duhen marrë masat, me qëllim shtimin e kompanive importuese të grurit. Sipas Canit, abuzimet më peshë hasen në bukët masive, pasi ka furra, buka e të cilave është 250 gramë më pak se pesha për të cilën shitet. Nisur nga situate në fjalë, Autoriteti i Konkurrencës ka disa muaj që ka nisur një hetim të gjerë, duke marrë në shqyrtim tregun nga importi i grurit deri tek shitja e bukës me pakicë. Në rast të shkeljeve të mundshme pritet aplikimi i masave ndëshkuese. Një problem tjetër, të cilit sipas specialistëve i duhet kushtuar rëndësi, është edhe ambalazhi me të cilën paketohet buka. Zakonisht përdoret qesja plastike, e cila nuk konsiderohet shumë higjienike, ndërkohë që këshillohet përdorimi i ambalazheve të letrës, e cila nuk bëhet shkak për krijimin e avujve të ujit.

6000 lekë Kv i miellit në fillim 2008
4500 lekë Kv i miellit në fillim 2009
70 deri 80 lekë çmimi i bukës për të dyja periudhat
500 dollarë për ton çmimi i grurit në fillim 2008
300 dollarë për ton çmimi i grurit në fillim 2009


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›