Abuzimi, dërgohet në prokurori polici tatimor
Një polic tatimor dhe dy "bashkëpunëtorë" të tij janë dërguar për ndjekje penale në prokurori, pasi dyshohen se kanë shmangur detyrimet tatimore në biznesin e tyre. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se specialistët e antikrimit ekonomik dërguan në prokurori materialet procedurale në ngarkim të Maksim Lulos, 39 vjeç, Erion Canos, 30 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale të "organizimit të lotarive të palejuara" dhe "vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara". Gjithashtu, në prokurori u dërgua edhe Skerdilajd Caco, 35 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i Policisë Tatimore, i cili akuzohet për të njëjtat vepra penale, si dhe për shpërdorim detyre. Grupi hetimor sqaroi se të lartpërmendurit akuzohen se kryenin aktivitet të palicencuar për lojëra fati elektronike dhe bilardo në rrugën "Myslym Shyri". "Skerdilajd Caco ishte menaxheri i këtij aktiviteti, ndërsa Maksim Lulo kishte dhënë ambientin me qira dhe Erion Caco ka qenë i punësuar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 makina elektronike "Dion Games", bileta loto-sport të printuara me bastet sportive "Probast", kompjuter, printer dhe njësi qendrore", deklaroi grupi hetimor.