PS: Kartat, të largohet Poni dhe Teliti
Opozita kërkon largimin e zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, nga procesi i hartimit të Regjistrit Kombëtar dhe kartave të identitetit. Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, tha se duhen shmangur personat e akuzuar, të cilët kanë përgatitur dhe termat e referencës. "Duke filluar nga ky proces reagimi, nga zv.ministri i Ministrisë së Brendshme, Ferdinand Poni, dhe duke ofruar qeveria shqiptare transparencën më të madhe për opozitën shqiptare", theksoi Klosi. Qeveria, sipas tij, duhet të ofrojë ekspertë të pavarur për vlerësimin e dokumenteve të tenderit. "Në kushtet që ofrohet ky tender për qeverinë shqiptare, për opozitën shqiptare lindin dyshime shumë të mëdha për korrupsion", u shpreh Klosi. Opozita shqiptare i kërkon edhe njëherë qeverisë që të marrë në konsideratë gjithë këto shqetësime për të realizuar një proces sa më transparent dhe më të denjë për realizimin e kartave të identitetit dhe Regjistrit Kombëtar të qytetarëve. Socialistët shikojnë me shumë shqetësim mungesën e plotë të vizionit dhe transparencës në hartimin e Regjistrit Kombëtar të shtetasve. "Po ndërtohet një sistem për qytetin e Tiranës dhe për 100 njësi, në kushtet e plota të mungesës së parametrave teknikë dhe evropianë", sqaroi Klosi. PS-ja kërkon të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm nga partnerët ndërkombëtarë, por dhe nga qeveria shqiptare për këtë proces, për mënyrën sesi do të realizohet Regjistri Kombëtar i votuesve. "Duke kërkuar edhe njëherë me forcë, që ky proces mos t‘i lihet në dorë personave të akuzuar, qoftë nga opozita shqiptare në këto 17 vjet për manipulime, këtu bëhet fjalë për zv.ministrin e Brendshëm, Poni, dhe po ashtu për ish- zv.ministrin e Transporteve, përfaqësues politik të PD-së, si drejtori i Zyrës së Gjendjes Civile, Armand Teliti", insistoi Klosi. Sakaq kërkohet një zgjidhje përfundimtare e procesit të kartave të identitetit, pasi janë ofruar në tenderin e fundit vetëm kompani, që sjellin dhe shesin një mall.