Abuzimi me kartonin shoqerues te aboneve
Bashkia e Tiranës ka reaguar përsëri lidhur me shqetësimet që u krijojnë qytetarëve disa operatorë të transportit publik. Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës Nereida Hoxha, ka bërë dhe një herë të ditur, se Bashkia e Tiranës nuk e njeh kartonin shoqërues të aboneve. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po vlerëson heqjen e licensës së opoeratorit të linjës së Saukut.
Bashkia e Tiranës nuk e njeh kartonin shoqërues të aboneve. Është ky apeli i përsëritur i këtij institucioni ndaj disa operatorëve të transportit publik.
“Bashkia e Tiranës, përmes një shkrese u ka kërkuar të gjithë operatorëve të transportit publikë, që të tregtojnë abonetë pa kartonin shoqërues. Kjo, mbështetur në faktin që abonetë e tregtuara nga Drejtoria e Tatim-Taksave kanë të gjithë elementët e nevojshëm të sigurisë. Asnjë nga operatorët e licencuar nga Bashkia e Tiranës nuk do të tregtojë më, abone të pajisura me karton shoqërues”, deklaroi drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha.
Operatori i linjës së Saukut vijon dezinformimin, lidhur me kartonin shoqërues të aboneve ka thënë Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Geron Ibrahimi.
“I bëjmë thirrje edhe njëherë operatorit, që të mos vazhdojë të dezinformojë qytetarët, duke i shitur abonetë me karton, pasi është totalisht e papranueshme, ndërkohë që urdhëri i Bashkisë është i saktë dhe i qartë, duke u shprehur se “nuk do të shoqërohen me karton”, u shpreh ai.
Këtij operatori i janë vendosur 23 gjoba dhe aktualisht agjencia për mbrojtjen e konsumatorit po vlerëson propozimin për heqjen e licensës.