Meta: Drejtësia të veprojë mbi këdo
I pyetur për arrestimin e Eduard Belegut, i cili ishte dhe anëtar i LSI-së, kreu i kësaj partie, Ilir Meta, u shpreh dje se para ligjit të gjithë janë të barabartë. “Çdo njeri që shkel ligjin, çdo njeri i cili ka probleme me zbatimin e detyrës së tij apo detyrimin ndaj ligjit, duhet të përgjigjet. E theksoj edhe një herë tjetër, prokuroria dhe organet e zbatimit të ligjit, do të kenë gjithnjë mbështetjen time më të plotë dhe të LSI-së për të goditur korrupsionin jo me fjalë, jo me retorikë, por me veprime konkrete pa asnjë dallim politik dhe origjinë se nga vjen ky zyrtar i lartë apo se kush e ka emëruar”, pohoi zv.kryeministri Meta. “Cilitdo që abuzon me detyrën, që shkel ligjet, unë e ftoj drejtësinë, prokurorinë, të veprojë pa asnjë keqardhje, sepse ne duhet t’i japim fund kulturës së papërgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës apo të injorimit të ligjit nga cilindo. Dhe unë jam i bindur se ky është edhe vullneti i PD-së dhe dëshiroj që ky të jetë edhe vullneti i opozitës dhe madje shumë shpejt, edhe me konsensusin e opozitës, ne të heqim përfundimisht edhe imunitetet”.