Asnjë master për diplomat ruse

Pra, ata që kanë një diplomë universitare 4-vjeçare. Në krye të listës mbeten studentët e sistemit të Bolonjës (3+2), që janë në pritje të shpalljes së fituesve për pjesën e dytë të studimeve, pas përfundimit të 3 viteve të para.
Nga ana e tyre, disa prej përfaqësuesve të fakulteteve të ndryshme të Universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, pohojnë se i kanë dërguar në Ministrinë e Arsimit kurrikulat për të zhvilluar edhe masterat e nivelit të dytë, por ende nuk ka një përgjigje për këtë.
Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, pohon se aktualisht janë duke menaxhuar procesin për masterat e nivelit të parë, për studentët që kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve, sipas sistemit të Bolonjës.
“Lidhur me kurrikulën e masterave të nivelit të dytë, ne i kemi dërguar në MASH dhe presim edhe për to miratimin, si dhe përcaktimin e kuotave të kritereve përzgjedhëse dhe të tarifave të studimit”, u shpreh dekani Rrokaj.
Por, nga ana tjetër, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit pohojnë se jo në të gjitha rastet, kur kurrikulat janë dorëzuar në këtë institucion, ato i përmbushin kërkesat dhe standardet për t’u miratuar e për të lejuar më pas edhe aplikimin e masterave të nivelit të dytë.
Ky program studimi nuk është realizuar as një vit më parë, pas vendimit të marrë nga MASH-i për rinovimin total të këtyre studimeve.
Tashmë, Universiteti i Tiranës është në pritje të fillimit të programeve të studimit të ciklit të dytë (DND), pra për të gjithë studentët që kanë përfunduar tre vitet e para të studimit në auditorët e UT-së.
Këshilli i Ministrave ka miratuar kuotat dhe tarifat për këto studime, ndërsa Ministria e Arsimit zbardhi udhëzimin e posaçëm për ekzekutimin e vendimit për të gjitha institucionet e arsimit të lartë.
Universitetet publike në vendin tonë deri tani do të mund të ofrojnë studime të avancuara të programit të ciklit të dytë, vetëm në Tiranë, si dhe programe studimi, master të nivelit të parë (MNP) edhe në universitetet e rretheve.