Abuzoi me lejet e ndërtimit, Bollano sërish i pandehur
Bashkë me kryebashkiakun e Himarës akuzohen edhe katër vartës të tij për dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të kundraligjishme
Kreu i OMONIA-s injoron ftesën e autoriteteve të prokurorisë për të dhënë shpjegime në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij
TIRANË- Prokuroria e Vlorës dërgon për gjykim për së dyti një dosje penale ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës, njëkohësisht drejtuesit të shoqatës "Omonia" shtetasit Vasillaq Bollano.
Ky lajm konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, që pohuan se Bollano duhet të përgjigjet para Gjykatës së Vlorës për akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikimit të formularëve" nga personi që ka për detyrë të hartojë formularët në bashkëpunim në pesë raste.
Bëhet fjalë për dhënien e lejeve të ndërtimit, në prona që nuk ishin në pronësi të ndërtuesit, si dhe shtimin e kateve të një objekti, duke favorizuar ndërtuesin ndryshe nga sa ishte përcaktuar në lejen përkatëse. Bollano është hetuar dhe do të gjykohet në gjendje të lirë, ka refuzuar të paraqitet në prokurori edhe pse është thirrur disa herë për të dhënë shpjegime në lidhje me akuzat.
"Edhe pse është thirrur disa herë nga prokuroria e Vlorës, i pandehuri Vasillaq Bollano ka refuzuar të paraqitet, duke injoruar kështu institucionin shqiptar të akuzës. Më parë Bollano, është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 6 muaj burg 500 mijë lekë të reja e tri vite mos ushtrimit të funksioneve publike.
Duke qenë se është drejtues i një organizate me emrin "Omonia" injoron ligjet shqiptare duke i shkelur haptazi ato dhe me vetëdije, pasi e cilëson veten si person të paprekshëm dhe të mbrojtur nga ligji",-tha një zyrtar i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme që dëshiroi të mbetet anonim.
Ndërkohë, sipas kërkesës për gjykim që "Shekulli" ka siguruar një kopje, mësohet se i pandehuri Bollano është denoncuar nga katër bashkëvendës të tij, të cilët e akuzojnë për "vjedhjen e pronës së tyre".
"Nga hetimet, ka rezultuar se Vasillaq Bollano, në bashkëpunim me Polimer Ruçi, Eugen Gjyzari, Lonard Hysi e Tatjana Dhima, kanë abuzuar me dhënien e lejeve të ndërtimit në territorin e Himarës dhe Jalës duke shpërdoruar detyrën e falsifikuar dokumente zyrtare"-thuhet në kërkesën përkatëse për gjykim që mban nr.79. Sipas kësaj dosjeje, ndaj Bollanos kanë kallëzuar, Pirri Cali, Anastas Cali, Theodhori Veizi dhe Anastas Llaguri, banues në Himarë dhe Jalë.
Kallëzimi i tyre ka detyruar prokurorinë të nisë hetimet, pasi mbi pronat e tyre Kryetari i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë (KRRT-së), njëkohësisht kryetar i kësaj bashkie, në bashkëpunim me vartësit e tij në KRRT, kanë dhënë leje ndërtimi personave të ndryshëm mbi pronat e huaja.
Jo vetëm kaq, por në dosje cilësohet se përveç se kanë dhënë leje ndërtimi, vetë kreu i kësaj KRRT-je Bollano, pas zbardhjes së procesverbaleve të mbledhjeve të KRRT-së në Himarë ndërhynte në formularët e lejeve duke shtuar katet e miratuara për ndërtim.
Gjithashtu, leje ndërtimi të tilla janë lëshuar edhe në Jalës, ku bashkia e Himarës, nuk është kompetente për këtë territor, pasi është jashtë vijës së gjelbër të Bashkisë, e madjo ky territor është në varësi të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH-së). Gjithashtu, sipas dosjes, janë dhënë leje legalizimi për objekte të ndërtuara pas vitit 1998, vit kur ka hyrë në fuqi ligji i urbanistikës që ndalonte ndërtimin pas këtij viti.
Mësohet gjithashtu se organi i akuzës ka hasur në vështirësi në kohën e hetimit të dosjes, pasi me urdhër të kryetarit Bollano, punonjësit e Bashkisë nuk i kanë lejuar të hyjnë disa herë prokurorët për të sekuestruar dokumentacionet përkatëse. Hetimet për këtë çështje janë drejtuar nga vetë kreu i prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj.
Pjesë nga dosja
Bollano, leje ndërtimi në zonat turistike
TIRANË- "Nga hetimi është konstatuar se këta të pandehur kanë miratuar leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi në favor të personave jo pronarë të truallit, duke cenuar të drejtën e pronësisë së pronarëve të tyre.
Janë miratuar leje për ndërtim në zonat turistike, kur në ligjin për urbanistikën është sanksionuar se miratimi i lejeve të ndërtimit në zonat turistike është kompetencë vetëm e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.
Janë miratuar leje për ndërtim për dy ose tre kate banimi me vendim të KRRT-së së Bashkisë Himarë, ndërsa zbardhja e tyre nga shtetasi Vasillaq Bollano në cilësinë e kryetarit të KRRT-së, është bërë për tre ose katër kate banimi, duke falsifikuar të dhënat e formularëve të lejeve, si dhe falsifikuar nëpërmjet ndërhyrjeve mekanike procesverbalet e mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë Himarë.
Janë miratuar leje për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, në kundërshtim me nenin 77 të ligjit për Urbanistiken, në të cilin është lejuar miratimi i lejeve për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje, por vetëm për objektet e ndërtuara para vitit 1998, vit në të cilin ka hyre në fuqi ligji për urbanistiken.
Lejet në këto raste janë miratuar për objekte të ndërtuara në vitet 2004-'05 dhe 2006-'07. Janë miratuar leje për shesh ndërtimi dhe leje për ndërtim në zona jashtë vijës së verdhë të qytetit të Himarës, si dhe pa pasur një studim urbanistik të miratuar për truallin ku janë miratuar lejet e ndërtimit.
Në ligjin për urbanistiken është sanksionuar se lejet për shesh ndërtimi dhe lejet për ndërtim miratohen vetëm në zonat ku ekzistojnë studime urbanistike, qoftë ato edhe pjesore",-thuhet ndër të tjera në kërkesën për gjykim me nr.79 që tashmë është dorëzuar pranë Gjykatës së Vlorës.
Vasillaq Bollano, Kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë Himarë, kryetar i kësaj Bashkie, si dhe kryetar i shoqatës "Omonia", akuzohet për "shpërdorim të detyrës" dhe "falsifikimit të formularëve" nga personi që ka për detyrë të hartojë formularin, në pesë raste në bashkëpunim
Polimer Ruçi, Sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë Himarë, ish-drejtor i Zyrës së Urbanistikes në këtë Bashki, gjatë viteve 2005-'08, akuzohet për "shpërdorim të detyrës" dhe "falsifikim të formularëve" nga personi që ka për detyrë të hartojë formularin në katër raste në bashkëpunim
Leonard Hysi, Sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë Himarë, njëkohësisht Drejtor i Zyrës së Urbanistikës në këtë Bashki, akuzohet për "shpërdorim të detyrës" e "falsifikim të formularëve" në bashkëpunim.
Eugen Gjyzari, jurist i Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë Himarë, akuzohet për "shpërdorim të detyrës" në bashkëpunim.
Tatjana Dhima, ish-Sekretare e Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë Himarë gjatë viteve 2005-'08, akuzohet për "falsifikim të dokumenteve" nga personi që ka për detyrë të lëshojë/hartojë dokumentin në katër raste.
Prokuroria
Kryekomunari i Novoselës, i pandehur për dy leje ndërtimi
TIRANË- Prokuroria e Vlorës përfundoi fazën hetimore në ngarkim të kryetarit të Komunës Novoselë, Rait Llanaj, dhe dy personave të tjerë, Eduart Beqiri e Shuaip Troka, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Lajmi konfirmohet nga burime të akuzës, të cilët sqaruan se tre të pandehurit kanë konsumuar veprat penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikim të dokumenteve".
Sipas kërkesës për gjykim që mban numrin e procedimit 1022, mësohet se kryekomunari i Novoselës, Rait Llanaj, bashkë me dy "vartësit" e tij kanë lëshuar një leje ndërtimi mbi një tokë që nuk lejohet ndërtim i objekteve pasi është tokë bujqësore.
"Nga hetimet disa mujore është provuar se Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) të Novoselës ka miratuar dy leje ndërtimi për ngritjen e dy objekteve me datë 25 shkurt 2008 dhe 28 gusht 2007.
Të dy këto objekte janë ndërtuar mbi troje që ndodhen jashtë vijës së verdhë të kësaj komune. I pandehuri Rait Llanaj si kryetar i komunës, nuk ka kërkuar miratimin e lejes së ndërtimit dhe të studimit urbanistik të KRRT-së së Qarkut Vlorë për dy objektet",-thuhet në dosje.
Sipas kësaj, para se të jepet leja e ndërtimit, i pandehuri Shuaip Troka ka lëshuar një vërtetim që kategorizonte tokën, për të cilën do jepej leja më vonë, si tokë truall, duke e kategorizuar si të klasës së gjashtë.
Pas lëshimit të këtij vërtetimi, që rezulton se është i falsifikuar pasi toka ishte bujqësore dhe e kategorisë së katërt dhe ndalohej ndërtimi aty, kryetari i Komunës ka lëshuar lejen e ndërtimit. Por, leja e ndërtimit, sipas akuzës, nuk duhej të zbardhej pa marrë miratimin e KRRT-së së Qarkut Vlorë.
Miratim ky i cili nuk është pritur nga i pandehuri Eduart Beqiri, i cili me detyrën e shefit të urbanistikës në këtë komunë, duke zbardhur lejen dhe ndërtuesi ka filluar të ndërtojë duke ngritur objektet me ndihmën e dokumenteve të falsifikuara. Gjithashtu, kryetari i komunës Novoselë, me kërkesë të një subjekti privat ka lëshuar një leje shfrytëzimi për gërryerjen e një kodre për shfrytëzimin e inerteve.
"Kjo leje për administrimin e shpërndarjes së dheut në një karriere (kodër) është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi i vetmi autoritet i ngarkuar me ligj për dhënien e këtyre lejeve është ministri përkatës"-thuhet në kërkesën për gjykim.