Festa e 8 dhjetorit, i gjithë shteti në shesh
Administrata ndërpret punën. Kryeministri Berisha e shpall festë kombëtare 8 Dhjetorin.
"Punonjës të administratës nga të gjitha qarqet e vendit kanë ndërprerë dje punën që në orën 11.00 të paradites"
TIRANË - Autobusë nga të gjitha rrethet e vendit kanë mbushur dje rrugët e Tiranës, me militantë të Partisë Demokratike, e mbi të gjitha me punonjës të administratës shtetërore.
Kjo ishte panorama e ditës së djeshme, që më shumë i ngjante një fushate elektorale zgjedhore, sesa përkujtimit të 8 dhjetorit të vitit 1990, vit në të cilin ra sistemi komunist dhe lindi pluralizmi politik në vend. Ne sheshin "Skënderbej", dje, kishte zbritur i gjithë shteti.
Sipas korrespondentëve të gazetës "Shekulli" në rrethe, punonjës të administratës nga të gjitha qarqet e vendit kanë ndërprerë dje punën që në orën 11.00 të paradites, ndërsa e njëjta situatë ka qenë edhe për procesin mësimor.
Në disa shkolla, si në qarkun e Durrësit, Beratit apo Vlorës, orët e mësimit janë zhvilluar të shkurtuara me qëllim që nxënësit dhe mësuesit të liheshin të lirë për t'ju bashkuar asaj që qeveria e ka quajtur festën e të gjithë shqiptarëve.
Madje, si asnjëherë tjetër, thuajse në të gjitha qarqet e vendit, autobusët dhe fugonët jo vetëm, që janë mbuluar me flamuj të PD-së, por edhe janë ndarë në grupe, sipas institucionit që ata përfaqësonin.
Kjo masë kompakte njerëzish që shkaktoi jo pak kaos në Tiranë mbushi thuajse gjithë pjesën e sheshit "Skënderbej", në një miting festiv, që nisi në orën 16:00 të pasdites, orar në të cilin administrata duhej të kishte përfunduar aktivitetin e saj.
Në organizimin e këtij manifestimi festiv, ishte marrë çdo masë sigurie, aq sa edhe celularët për thuajse dy orë rresht nuk kanë punuar, duke e shndërruar manifestimin e 8 dhjetorit në një ditë të sigurisë së lartë.
Ndryshe nga sa ishte menduar më parë, në këtë miting festiv nuk morën pjesë figurat kryesore të Lëvizjes së Dhjetorit të vitit 1990-të. Përveç dy fjalimeve të shkurtra të deputetes Mesila Doda dhe ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, ai që dominoi gjithë pjesën tjetër ishte fjalimi i Kryeministrit Sali Berisha.
Berisha, sulm opozitës
Megjithëse situata politike vazhdon të jetë e tensionuar midis mazhorancës dhe opozitës për çështjen e hapjes së kutive, ndryshe nga vitet e mëparshme, Kryeministri Sali Berisha është treguar më i përmbajtur në fjalimin e tij. Megjithatë, ai nuk ka mundur që t'i lërë mënjanë, për këtë ditë, akuzat ndaj opozitës. Duke iu adresuar opozitës, ai deklaroi se Shqipëria së shpejti do të lëvizë pa viza drejt Evropës dhe, sipas Berishës, ata që do ta pengojnë këtë, do të ndëshkohen nga ligji.
Ai shtoi se mafia dhe plehrat e bllokut do të përfundojnë në koshin e historisë. "Ne që së bashku shembem mure, blloqe dhe diktatura, ne së shpejti do të fshijmë kufijtë dhe do të lëvizim të lirë në mbarë Evropën.
Ndaj, dhe sot unë ftoj shqiptarët të bashkohen me ne për një Shqipëri pa viza, për një Shqipëri në Evropë, sikundër në emër tuaj më lejoni që me plehrat e bllokut të djeshëm, me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë, se garancia jonë e plotë dhe totale është se mafies do t'i tregojmë ligjin me të gjithë rreptësinë e tij, kurse plehrave të bllokut në koshin e historisë që meritojnë", - tha dje Berisha.
Kryeministri vuri në dukje gjithë kontributin e studentëve të dhjetorit për shembjen e totalitarizmit, veçanërisht atë të tribunit të lirisë, Azem Hajdarit. Duke sjellë në vëmendje, Lëvizjen e Dhjetorit të vitit '90-të, shembjen e regjimit totalitar nga Lëvizja Studentore, Berisha shpalli 8 dhjetorin si festë kombëtare.
"Jemi sot këtu për t'u zotuar se lirinë do të kemi më të çmuarën; se ne së bashku me lirinë dhe vlerat e saj, do të ndërtojmë Shqipërinë e idealeve të dhjetorit, Shqipërinë e vlerave të mëdha, Shqipërinë e burrave dhe grave, të rinjve dinjitozë, Shqipërinë e familjes shqiptare, Shqipërinë evropiane.
Ndaj, dhe së bashku le ta shpallim nga ky shesh, 8 dhjetorin festën tonë kombëtare", - nënvizoi ai. Lideri i mazhorancës, theksoi, gjithashtu, se 8 dhjetori është dita kur Shqipëria shkon drejt liberalizimit të vizave dhe hyrjes në Bashkimin Evropian.
Kryetari i opozitës, Edi Rama, do të jetë anëtar i Presidencës së PES-së. Vendimi u përshëndet nga Schultz dhe Presidenti i PES-së
PS zgjidhet anëtare me të drejtë vote në PES
TIRANË - Partia Socialiste është zgjedhur dje në Pragë anëtare me të drejtë vote e Partisë së Socialistëve Evropianë, ndërsa kryetari i opozitës, Edi Rama, do të jetë anëtar i Presidencës së PES-së.
Kryetari i grupit socialist në Parlamentin Evropian, Martin Schultz, deklaroi dje pas votimit se Kongresi asocoi Partinë Socialiste në familjen evropiane socialiste. "Ky është një sukses i madh për të gjithë ne. Është mbi të gjitha një sukses për ju dhe për Shqipërinë, pasi është një hap më tej i juaji drejt Evropës.
Ne, socialistët evropianë, besojmë se Partia Socialiste e Shqipërisë është një anëtar i ri i fortë dhe i rëndësishëm për familjen tonë. Ka shumë gjëra që duhen bërë në vitet që do të vijnë.
Na duhet të përmirësojmë më tej jetën e qytetarëve tanë në të gjithë Evropën, e sidomos në vendin tuaj. Ajo për të cilën ne kemi nevojë është demokracia, drejtësia dhe respekti për shtetin ligjor, parime këto të rëndësishme, sidomos për Shqipërinë në këto momente", - tha dje Schultz.
Edhe Presidenti i PES-së, Poul Nayrup Rasmussen, deklaroi se dje ishte një ditë historike, duke uruar mirëseardhjen e PS-së në familjen evropiane të socialistëve. Kryetari i opozitës, Edi Rama, e ka konsideruar këtë vendim si moment historik për PS-në.
"Ne sot jemi anëtarë me të drejtë vote të Partisë Socialiste Evropiane. Pra, PSSH është integruar në BE, duke u bërë pjesë e PSE-së, me të drejtë vote, me përfaqësi në Kongresin dhe Presidencën e saj.
Unë jam sot shumë krenar që ne kemi pas kësaj, jo vetëm të drejtën, por edhe të gjitha mundësitë që të ngremë zërin dhe të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet në këtë strukturë të socialistëve dhe progresistëve evropianë, që ka zëdhënësit e vet në Parlamentin Evropian dhe mishëron idealet e këtij shekulli, duke përfaqësuar të gjitha Partitë Socialiste dhe progresiste të BE-së, dhe duke pasur në përbërjen e saj të gjithë liderët socialistë dhe progresistë që kanë drejtuar, drejtojnë dhe do të drejtojnë vendet e BE-së, dhe që sjellin në këtë parti eksperiencën e jashtëzakonshme dhe fuqinë e jashtëzakonshme të së majtës evropiane", - tha ai.
Rama shtoi, gjithashtu, se PES-ja është shprehur qartë në mbështetje të kërkesave të PS-së për të bërë transparencën e plotë të procesit elektoral të 28 Qershorit, në mbështetje të një hetimi të thellë dhe të plotë parlamentar, duke filluar nga transparenca e kutive të votimit.
"Po ashtu, unë jam shumë krenar, sepse sot ne kemi marrë edhe një mbështetje të plotë edhe nga PSE-ja, për qëndrimin tonë lidhur me domosdoshmërinë që procesi i liberalizimit të vizave të përshpejtohet në nivelin e BE-së dhe që Shqipëria e shqiptarët të mos paguajnë asnjë kosto për një proces politik të mbërthyer nga një ngërç i madh, që është marrë peng nga pushteti i Sali Berishës, por, përkundrazi, të lëvizin lirisht një orë e më parë si gjithë të tjerët në Ballkan, kur për fat të keq ne kemi mbetur të fundit", - tha ai.