E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia "përleshet" me deputetët socialistë

Blutë janë konfrontuar me përfaqësuesit e opozitës që kishin mbërritur pranë pallatit në mbështetje të kolegut të tyre


Uniformat blu të të kryeqytetit dhe të Policisë Bashkiake, qëndruan të "ngujuar", për orë të tëra në ambientet e katit të parë të pallatit


TIRANË- Dje në mëngjes, situata para objektit 12-katesh, pronë e Ilir Matës, kunatit të deputetit socialist Dashamir Peza, është tensionuar pas përplasjes së Policisë së Rendit dhe asaj Bashkiake. Forca të shumta të policisë kanë rrethuar që në mëngjes pallatin duke krijuar një rrethim policor.


Pikërisht pas këtij momenti, pranë pallatit kanë mbërritur edhe disa deputetë të Partisë Socialiste si dhe forca të Policisë Bashkiake. Forcat e Rendit janë konfrontuar edhe me deputetët socialistë, të cilët nuk janë lejuar që të futen brenda objektit, për të cilin është marrë një vendim për t'u prishur. Deputetët kanë tentuar të hyjnë brenda rrethimit policor, ku ka ndodhur edhe incidenti mes deputetit Eduard Shalsi dhe disa policëve që tentuan ta ndalojnë.


Gjatë gjithë ditës së djeshme, zona përreth pallatit që është bërë objekt sulmi, ka qenë e mbushur me forca të shumta të Policisë së Rendit, të cilët nuk kanë lejuar asnjë person që të hyjë në ambientet e brendshme të pallatit, duke sjellë më pas edhe acarimin e situatës. Kësaj situate iu janë bashkuar edhe banorë të zonës pranë pallatit, të cilët kanë qëndruar aty për shumë orë, derisa situata është qetësuar.


Lidhur me incidentin e djeshëm ka reaguar edhe Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë, ku në një njoftim zyrtar të saj thuhet se Policia e kryeqytetit ka mbështetur veprimet e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Dega Tiranë, për prishjen e objektit që ndodhet në rrugën "Urani Pano".


"Forcat e Policisë Bashkiake të Bashkisë Tiranë, kanë tentuar dhe janë konfrontuar me punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kishin bllokuar zonën për të garantuar veprimtarinë normale të Inspektoratit Ndërtimor si dhe për të garantuar jetën e qytetarëve, si pasojë e punimeve që po kryheshin për prishjen e këtij objekti.


Për këto veprime antiligjore të kryera nga Policia Bashkiake, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka përgatitur dhe do të dërgojë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës",- thuhet në reagimin e Policisë së kryeqytetit për incidentin e djeshëm.


Policia e Rendit, si dhe ajo Bashkiake nuk janë larguar nga adresa e pallatit në pronësi të Ilir Matës, deri në orët e vona të mbrëmjes, duke qëndruar secila në pozicionet e tyre. Policia Ndërtimore, pas acarimit të situatës nuk ka kryer asnjë veprim për prishjen e mëtejshme të objektit, ndërkohë që ditën e parë të aksionit është prishur plotësisht fasada e tre kateve të para të pallatit që ndodhet në qendër të Tiranës.


Aksioni për prishjen e objektit është pezulluar, pasi pronari i pallatit, Ilir Mata, ka depozituar dje një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, për pezullimin e prishjes së objektit 12- katesh.


Prokuroria e Tiranës
Hetimi për parregullshmërinë e pallatit u pushua në vitin 2007


Prokuroria e Tiranës, e ka cilësuar si të rregullt lejen e ndërtimit të pallatit 12-katesh, duke pushuar hetimin për këtë çështje që në prill të vitit 2007.


Bazuar në vendimin e pushimit të çështjes, nga hetimi është provuar se në dhënien e lejes së ndërtimit miratuar me vendimin nr. 28 , datë 27 tetor 2001 të KRRT-së së Bashkisë Tiranë nuk janë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.


Në vendimin e Prokurorisë thuhet se në kohën e dhënies së lejes së ndërtimit, sipërfaqja prej 51 metrash katrorë ku është ndërtuar pallati nuk rezulton të ketë qenë rrugë publike.


Në vendim është përcaktuar se dhënia e lejes së ndërtimit në fjalë rezulton të jete në përputhje me destinacionin e përcaktuar, pasi me vendimin nr. 40 datë 21 prill 2001 të KRRT-së së Bashkisë Tiranë, është miratuar studimi urbanistik për zonën mbrapa hotel "Tirana Internacional" dhe sipas genplanit që shoqëron këtë studim të miratuar lejohet ndërtimi i objekteve me lartësi deri në 12- kate dhe sipërfaqe prej 51 metra katrorë, duke u përcaktuar si truall publik.


Prokuroria ka argumentuar se rregullshmëria e dhënies së lejes së ndërtimit , ka qenë objekt rishikimi nga ana e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili me vendimin nr 10, datë 15 mars 2005 ka vendosur miratimin e lejes dhe vazhdimin e punimeve për ndërtimin e objektit 12- katesh në rrugën "Urani Pano".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›