E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzuan me barnat, ndëshkohen 53 farmaci

Sipas ISKSH-së, farmacitë kishin barna pa pullë sigurie, dokumentacion të rremë, abuzime me librezat shëndetësore. Ja ndëshkimet


Barna pa pullë sigurie, dokumentacion i parregullt, mosdeklarim i datës së skadencës dhe i shitjeve. Këto janë disa nga shkeljet e 53 farmacive dhe 7 depove farmaceutike, ndaj të cilave janë marrë masa ndëshkimore.


Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor deklaron se kontrollet e 6-mujorit të fundit ndaj tregut farmaceutik kanë evidentuar shkelje shumë të rënda, ndaj me disa prej tyre është bërë edhe ndërprerja e kontratës.


Kontrollet


Në vazhdën e kontrolleve që kryhen nga ISKSH në shërbimin farmaceutik, tek subjektet që kanë kontratë me sigurimet shëndetësore në të gjithë vendin, në 6-mujorin e parë të këtij viti, janë ushtruar kontrolle në 120 subjekte farmaceutike.


Sipas burimeve zyrtare të ISKSH-së, këto kontrolle janë ushtruar në rajonet Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat, Elbasan dhe Shkodër në vazhdim, po ashtu është bërë dhe një verifikim observacioni në rrethin e Elbasanit, Cërrikut, si dhe një kontroll tematik në rajonin e Tiranës, Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës.


Ndër shkeljet e konstatuara, sipas ISKSH-së, janë vërejtur në disa raste se tregtohen barna me rimbursim pa dokumentacionin ligjor, duke u rimbursuar padrejtësisht për barna pa i pasur gjendje në farmaci në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në; mangësi në plotësimin e dokumentacionit sipas detyrimeve kontraktuale; tregtim të barnave pa pullën e kontrollit nga disa farmaci; praninë e librezave të shëndetit të pacientëve në ambientet e farmacisë.


Ndëshkimet


Shkeljet e subjekteve farmaceutike janë shoqëruar me ndëshkime nga inspektorati i ISKSH-së, të cilët theksojnë se në rast përsëritje të këtyre shkeljeve do të ketë ndëshkime më të rënda.


"Është konstatuar një përfitim i padrejtë i vlerave të rimbursimit, për të cilat janë vendosur ndaj 25 farmacive masa zhdëmtimi në shumën totale 1 113 320.3 lekë", pohojnë burime të ISKSH-së, duke shtuar se për diferenca në plus të pajustifikuara me fatura, si dhe për shkelje administrative në lidhje me dokumentacionet dhe pikat e kontratës janë vendosur ndaj 28 subjekteve farmaceutike gjoba në vlerë totale 336 000 lekë. Janë ndërprerë kontrata me 3 subjekte farmaceutike.


Depot farmaceutike, nuk deklarojnë skadencën e barnave


Mosdeklarimi i saktë nga ana e depove nëpër faturat e shitjes së serisë dhe datës së skadencës së barit, mbi këtë problem është ushtruar kontroll për vërtetësinë e këtyre elementëve.


Këto janë shkeljet kryesore që janë konstatuar në 7 depo farmaceutike nga ana e Drejtorisë se Kontrollit të subjekteve të Kontraktuara me ISKSH, mbi monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të kontratës me depot distributore dhe importuese.


Sipas burimeve zyrtare gjatë këtij viti, sa i takon depove farmaceutike, kontrolli ka qenë tematik, në lidhje vërtetësinë e disa faturave të furnizimit të subjekteve farmaceutike dhe të pajisjes së barnave me pullën e kontrollit, të skadencës së barnave të tregtuara.


"Janë kontrolluar 12 depo importuese dhe distributore dhe ndër problemet që vlen të theksohet është mosdeklarimi i saktë nga ana e depove nëpër faturat e shitjes së serisë dhe datës së skadencës së barit, mbi këtë problem është ushtruar kontroll për vërtetësinë e këtyre elementëve", pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së, duke shtuar se në bazë të kontratës me depot Importuese dhe Distributore janë vënë penalitete, ku janë marrë masa të rekomanduara gjobe ndaj 7 depove, në vlerën 590 000 lekë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›