Vjedhjet e automjeteve, lirohen dy kuksianët

Tashmë i arrestuar është vetëm gjakovari i kapur në flagrancë, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë do hetohen të lirë
TIRANE- Dy nga personat e ndaluar dy netë më parë, nga policia e Komisariatit nr.3, me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim të automjeteve, u lanë të lirë nga policia, por ata do të hetohen në gjendje të lirë, me dyshimin e vjedhjes në bashkëpunim të automjeteve.
Lirimi i tyre bëhet i ditur për "Shekullin", nga burime të Policisë së kryeqytetit të cilët pohuan se dy personat me banim në qytetin e Kukësit, u lanë të lirë për shkak se provat për përfshirjen e tyre në krim ishin të pamjaftueshme.
Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit, A. Hallaçi, dhe Sh. Matmuja, me banim në qytetin e Kukësit, u ndaluan nga policia e kryeqytetit ditën e hënë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Albin Gjoçit, 28 vjeç, nga qyteti i Gjakovës në Kosovë. Ky i fundit u ndalua pasi u kap në flagrancë nga patrullat e policisë së komisariatit nr.4, duke tentuar të vidhte një automjet të markës "Mercedez- Benz", në kryeqytet.
Përkundër lirimit të të dyshuarve si bashkëpunëtorë të 28 vjeçarit nga Gjakova, ky i fundit gjatë marrjes të tij, iu ka deklaruar hetuesve se vjedhjet i kishte kryer në bashkëpunim me dy personat e tjerë.
Një fakt i tillë është zbuluar edhe nga verifikimet e kryera nga oficerët e policisë së komisariatit nr.4, të cilët në rrugë operative kanë gjetur të dhëna dhe informacione se Matmuja dhe Hallaçi, ishin përfshirë në tri vjedhje të kryera në kryeqytet, duke hapur automjete të ndryshme kryesisht "Mercedez- Benz".
Pavarësisht faktit se gjatë deklarimeve të Gjoçit, dhe gjatë veprimeve operative të policisë, informacionet e fiturara nuk janë kthyer në prova ligjore kundër dy të akzuarve, nga Kukësi.
Ndërkaq, në mbrëmjen e të hënës, dy oficerë të Policisë së kryeqytetit mbërritën në Kukës, për të marrë në pyetje një të afërm të familjes së Sh. Matmujës, pronar i një servisi në Kukës.
Tek ky i fundit dyshohet se mbërrinin mjetet e vjedhura nga Tirana, me qëllim për t'u çmontuar apo për t'u modifikuar, për t'i shitur ato më pas me dokumente të tjera apo për pjesë këmbimi.
Dyshimet e policisë ishin se mjetet e vjedhura dërgoheshin tek servisi në fjalë ku edhe më pas kryheshin modifikimet përkatëse. Pavarësisht dyshimeve të policisë, nuk janë gjetur shumë prova dhe fakte që përfshinin pronarin e servisit në rrjetin e vjedhjes së automjeteve.
Kjo ka bërë që në burg të mbesë vetëm gjakovari, Gjoçi, i cili më parë kishte qenë i arrestuar dhe i dënuar me tri vite burg në Kosovë për të njëjtën vepër penale. Në Shqipëri ai pranoi se kishte vjedhur së paku katër automjete, por dyshimet e policisë janë se ai mund të ketë vjedhur tri apo katër herë më tepër nga sa kishte pranuar.
Gjoçi u kap në flagrancë gjatë të dielës duke u gdhirë dita e hënë, në kryeqytet, në tentativë për të vjedhur një autoveturë "Mercedez- Benz". Bashkë me të, sipas policisë, kanë qenë edhe dy persona të tjerë, nga Kukësi, por që mundën t'i shmangeshin policisë gjatë ndjekjes që kjo e fundit kreu ndaj tyre.