E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti Kruja, Bashkisë: Po ushtrojmë detyrën

Keltis Kruja ka reaguar pas përgjigjes së kthyer nga Bashkia e Tiranës, ndaj kërkesës së prefekturës për auditim


Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, ka reaguar pas përgjigjes së kthyer nga Bashkia e Tiranës, ndaj kërkesës së për auditim kërkuar nga Prefektura, duke deklaruar se kjo nuk është në kompetencat e saj dhe përbën kërcënim, por ushtrimin e kompetencave ligjore.


Sipas prefektit Kruja, auditimi i kërkuar prej institucionit që ai drejton është i ligjshëm. "Auditimi i Bashkisë Tiranë është në kompetencë të Prefektit të Qarkut Tiranë, ashtu siç kontrollohet dhe auditohet çdo organ i Qeverisjes Vendore të Qarkut Tiranë dhe jo vetëm për fondin e vçantë.


Në këtë kuadër, këtu nuk ka synim për ndërhyrje apo cenim të kërkesave tuaja ligjore", thuhet në letrën që Kruja i ka drejtuar Bashkisë së Tiranës. Në këtë dokument shpjegohet se kërkesa për auditim në Bashki i referohet vetëm kontrollit financiar për fondet e ardhura nga buxheti i shtetit.


Aty theksohet se është pikërisht institucioni i prefektit të qarkut që po kërkon kontrollin financiar në Bashkinë Tiranë për fondet e ardhura nga buxheti i shtetit, ndërsa sqarohet se këto janë përpjekje të Bashkisë për të mos zbatuar ligjet në fuqi. "Në kërkesën tonë ne ju jemi referuar vetëm akteve ligjore në fuqi, të cilat parashikojnë më së miri kompetencën ligjore të kontrollit financiar.


Gjithashtu, më duhet t'ju ritheksoj se ushtrimi i auditimit dhe kontrollit financiar nuk përbën kërcënim, por ushtrim kompetencash ligjore, të cilave ju në mënyrë të përsëritur mundoheni t'i shmangeni", tha Kruja.


Sipas tij, përpjekja e Bashkisë për të justifikuar mospërmbushjen e detyrimeve të saj ligjore, si sulme politike, nuk është gjë tjetër vçse një dëshmi e qartë që tregon se Bashkia Tiranë qeveriset në mospërputhje të thellë të ligjeve dhe si rrjedhojë edhe në shkelje të plotë të tyre. Konflikti mes Bashkisë dhe prefekturës nisi rreth një javë më parë kur Prefekti Keltis Kruja akuzoi Bashkinë e Tiranës për pengimin e fondit të kërkuar nga prefektura që ai dërgon. Mes dy institucioneve ka pasur një korrespondencë të vazhdueshme, por që nuk ka çuar në zgjidhjen e konfliktit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›