E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, sot kallëzim penal ndaj prefektit

Pas korrespondencës disaditore me Prefektin, Bashkia e Tiranës zgjedh rrugën ligjore për zgjidhjen e situatës


Kallëzimi i Bashkisë, Prefekti i Tiranës po kapërcen kompetencat që i ka vetëm pushteti qendror


Pas shumë replikash dhe shkresash zyrtare të shkëmbyera mes Bashkisë së Tiranës dhe institucionit të Prefektit, Bashkia ka vendosur që sot të depozitojë një kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës në emër të Prefektit Keltis Kruja.


Prej disa ditësh, Bashkia më e madhe në vend ka pasur një korrespondencë të ngjeshur me Prefektin, si dhe një luftë akuzash publike, të cilat nuk kanë çuar në zgjidhje të situatës. Përpara këtij fakti, Bashkia e Tiranës ka vendosur që zgjidhjen ta lërë në dorë të gjyqësorit, duke depozituar sot kallëzimin penal.


Në këtë kallëzim, zyra juridike e Bashkisë së Tiranës ka bërë një përmbledhje të plotë të korrespondencës me Prefektin, si dhe ka argumentuar arsyet se përse Bashkia nuk mund t'i çelë fondin e kërkuar.


Fillimisht në kallëzimin e Bashkisë thuhet se pranë këtij institucioni është depozituar zyrtarisht nga Prefekti programi tematik i auditimit me nr. prot. 1299, datë 05.05.2010-të, më anë të të cilit kërkohej të kryhej auditimi i brendshëm për fondin e vçantë të vitit 2009-të.


"Duke qenë se ndodheshim para një kërkese tërësisht të pambështetur në ligj me shkresën nr. prot. 3826/1, datë 11.05.2010-të, Bashkia e Tiranës nuk pranoi të plotësojë këtë kërkesë të Prefektit të Qarkut Tiranë", thuhet në deklaratën e Bashkisë.


Kjo argumentohet me faktin se auditimi për fondin e vçantë i kërkuar nga Prefekti i Qarkut Tiranë është në kapërcim të kompetencave që burojnë nga kuadri ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke ardhur në kundërshtim të plotë me dispozitat e legjislacionit për kontrollin e jashtëm të njësive vendore.


Si i tillë, sipas Bashkisë, dokumenti i miratuar nga ana e Prefektit (i cilësuar si "Program - Auditimi"), ishte i papranueshëm, sepse është tërësisht i pambështetur në ligj. Ndaj edhe Bashkia e Tiranës refuzoi të auditohet nga ana e Prefektit të Qarkut Tiranë për fondin e vçantë, duke i komunikuar zyrtarisht me shkresën e sipërpërmendur, se nuk do të njohë asnjë grup pune të ngritur për këtë qëllim.


Më tej, korrespondenca mes dy institucioneve vazhdon me një kërkesë të Prefektit, i cili dërgon në rrugë zyrtare shkresën nr. prot. 1299/2, datë 14.06.2010-të, duke ia nisur për dijeni edhe Kryeministrit, Ministrit të Financave dhe Ministrit të Brendshëm. Prefekti, thuhet në kallëzimin e Bashksië, insiston për të kryer auditim në Bashkinë e Tiranës për fondin e vçantë, duke cituar ndërkohë dispozitat ligjore mbi kontrollin, duke konkluduar në mënyrë absurde se ka të drejtë të ushtrojë këtë auditim.


Më datë 22.06.2010-të, prefekti Keltis Kruja dha një deklaratë për shtyp, sipas të cilës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës akuzohet se ka refuzuar të kryhet audit i brendshëm nga prefektura, kërkuar me urdhër të Ministrit të Financave, për përdorimin e fondit të vçantë gjatë vitit 2009-të, duke shtuar "I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë të ndahet nga praktikat private, me të cilat administron Bashkinë e Tiranës dhe ta drejtojë këtë bashki në respekt dhe përputhje të plotë me ligjin."


Në të njëjtën ditë, zyrtarisht me shkresën nr. prot. 1764, datë 22.06.2010-të, "Kërkesë për ngrirjen e fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit për Bashkinë e Tiranës", Prefekti i drejtohet Kryeministrit dhe Ministrit të Financave, duke i kërkuar pa asnjë mbështetje ligjore, ngrirjen për një kohë të pacaktuar të fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit për Bashkinë e Tiranës, deri sa ky institucion të pranojë auditimin nga Prefekti i Qarkut Tiranë.


Por, sipas Bashkisë, qëndrimi zyrtar i Prefektit, është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe në kapërcim të kompetencave të tij, rrjedhimisht edhe deklarata publike lëshuar nga z. Kruja para mediave, është krejtësisht e pavërtetë dhe veprimet e tij janë kryer plotësisht në kushtet e shpërdorimit të detyrës dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat e kuadrit ligjor në fuqi. Sipas padisë, prefekti po kapërcen kompetencat e pushtetit qendror.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›