Shkollat, për herë të parë tri palë pushime
Ministria e Arsimit publikon planin mësimor për vitin 2010-2011-të, për shkollat e mesme dhe 9-vjçare
Maturantët dhe nxënësit e klasave të nënta përfundojnë më herët mësimin. Provimet e maturës lihen për në qershor
Një ditë para provimit të fundit të maturës që do të mbyllë zyrtarisht vitin shkollor për shumë maturantë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka bërë publik planin mësimor për vitin 2010-2011.
Për herë të parë MASH ka akorduar tre palë pushime, duke i argumentuar me faktin se kjo kohë do të përdoret për të kualifikuar më shumë mësuesit, si dhe për t'u dhënë më tepër hapësirë nxënësve.
Zyrtarisht, sipas deklaratës së Ministrisë, viti shkollor për shkollat 9-vjçare do të nisë më 6 shtator dhe do të përfundojë më 10 qershor 2011-të.
Po për këto shkolla të sistemit arsimor parauniversitar, semestri i parë do të nisë më 6 shtator 2010-të dhe do të përfundojë më 28 janar 2011-të, ndërsa semestri i dytë do të fillojë më 31 janar të vitit 2011-të dhe do të mbarojë më 10 qershor. Ministria e Arsimit bën me dije se vitit shkollor 2010-2011-të për herë të parë do të jetë i ndarë në disa periudha pushimesh, si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit.
Periudha e parë e pushimeve do të zgjasë vetëm katër ditë dhe do të jetë në periudhën 27 tetor 2010-të deri më 31 tetor 2010-të. Në një farë mënyre, kjo fazë e parë e pushimeve duket sikur ka zëvendësuar pushimet 4-5 ditore të muajit nëntor, të cilat merreshin për shkak të festave të Pavarësisë dhe të Çlirimit që shpesh rastisin pranë fundjavës.
Edhe këtë vit pushimet e fundvitit do të nisin më datë 24 dhjetor 2010-të dhe do të mbarojnë më datë 5 janar 2011-të. Sipas Ministrisë, gjatë vitit shkollor do të ketë edhe një periudhë të tretë pushimesh që do të nisë më 28 mars 2011-të dhe do të mbarojë më 3 prill.
Ndërsa viti shkollor për të gjithë sistemin e arsimit bazë parauniversitar në Shqipëri do të përfundojë më datë 10 qershor të vitit 2011-të. Kjo datë nuk vlen për klasat e nënta, të cilat për shkak të provimeve të lirimit, që do të zhvillohen në periudhën 15-30 qershor 2011-të do të përfundojnë shkollën pak më herët.
Shkollat e mesme
Edhe për shkollat e mesme viti shkollor 2010-2011-të do të nisë më 6 shtator dhe do të mbarojë më 17 qershor. Ndërsa vetëm për klasat e 12-ta, ndryshe nga maturantët, mësimi do të përfundojë më 24 maj të vitit 2011-të.
Kalendari i pushimeve edhe për shkollat e mesme do të jetë i njëjtë me atë të shkollave 9-vjçare, do të jenë dy semestra mësimorë, i pari do të nisë më 6 shator 2010-të dhe do të përfundojë më 28 janar 2011-të, ndërsa semestri i dytë do të nisë më 31 janar 2011-të dhe do të përfundojë në 17 qershor 2011-të.
Pushimet gjatë të tri periudhave do të jenë në të njëjta më ato të shkollave të mesme. Sipas MASH, matura Shtetërore 2011-të do të japë provimet gjatë periudhës 26 maj deri më 30 qershor 2011-të.
Shkollat 9-vjçare
Semestri i parë 6 shtator 2010 - 28 janar 2011
Periudha e parë e pushimeve 27 tetor 2010 - 31 tetor 2010
Pushimet e fundvitit 24 dhjetor 2010 - 5 janar 2011
Semestri i dytë 31 janar 2011 -10 qershor 2011
Periudha e tretë e pushimeve 28 mars 2011 - 3 prill 2010
Shkollat e mesme
Semestri i parë 6 shtator 2010 - 28 janar 2011
Periudha e parë e pushimeve 27 tetor 2010 - 31 tetor 2010
Pushimet e fundvitit 24 dhjetor 2010 - 5 janar 2011
Semestri i dytë 31 janar 2011 -17 qershor 2011
Periudha e tretë e pushimeve 28 mars 2011 - 3 prill 2010