FMN është gati të japë hua për Shqipërinë
Nga Ann-Margret Westin*
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) është të ndihmojë në sigurimin e qëndrueshmërisë në sistemin ndërkombëtar financiar. Ne e bëjmë këtë nëpërmjet mbikëqyrjes ose Konsultimeve të Artikullit IV, ku ne monitorojmë politikat ekonomike dhe financiare të 186 vendeve tona anëtare dhe japim këshilla kurdoherë, që shikojmë rreziqe për rritjen dhe qëndrueshmërinë; dhe nëpërmjet programeve të huadhënies, ku ne japim financime për rezervat valutore të Bankës Qendrore, ndërsa biem dakord me autoritetet e vendit për politikat e përshtatshme ekonomike që duhen ndjekur gjatë 2-3 viteve në vazhdim.
Ne japim gjithashtu asistencë në fushat tona bazë dhe ofrojmë një sërë mundësish trajnimi për zyrtarët publikë. (Duke filluar nga viti që vjen, vendet që nuk kanë program do të duhet të japin një bashkë-pagesë për asistencën e kërkuar teknike, me detyrimet që do të varen nga niveli i të ardhurave të vendit.) Që kur është bërë anëtare e FMN-së në vitin 1991, Shqipëria ka përfituar nga të gjithë këto elemente.
Një arritje kyçe për Shqipërinë, që kur filloi tranzicionin nga një ekonomi e planifikuar e centralizuar në një ekonomi tregu, është shkalla e qëndrueshmërisë makroekonomike, që ka karakterizuar vendin përgjatë viteve të fundit, me rritje të lartë të vazhdueshme dhe inflacion të ulët e të qëndrueshëm. Kjo është një arritje e autoriteteve shqiptare, qeverisë aktuale dhe atyre të mëparshme dhe Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me ne.
Përgjatë gjashtë viteve të kaluar, rritja ekonomike e ka kaluar 6%, ndërsa inflacioni mesatar ka qenë nën 3%. Të ardhurat për frymë janë më shumë se dyfishuar gjatë dekadës së fundit, ndërsa borxhi publik ka rënë në mënyrë të qëndrueshme.
Programi i fundit
Programi i fundit tre vjeçar, —një kombinim i programit të Rritjes dhe Reduktimit të Varfërisë dhe Programit të Huasë (Extended Fund Facility )— që përfundoi në janar të këtij viti ishte marrëveshja e gjashtë e huasë me FMN-në. Që nga viti 1992, Shqipëria ka pasur pothuajse një formulë të pandërprerë me programet e FMN-së, me vetëm pak ndërprerje. Një vëmendje e veçantë në këtë program të fundit, përveç qëndrueshmërisë makroekonomike, kishin reformat strukturore në menaxhimin e borxhit dhe administrimin e taksave. Një sërë çështjesh të vështira kanë qenë në vëmendje gjatë tre viteve të fundit, duke filluar nga koha e duhur dhe qëllimi i ndryshimeve në politikën e taksave deri në ecurinë e sektorit të energjisë. Megjithatë, të gjitha rishikimet u konkluduan në mënyrë të suksesshme, një dëshmi e vullnetit të fortë nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje funksionale.
Duke parë përpara
Duke parë përpara, FMN do të vazhdojë të asistojë qeverinë shqiptare në cilëndo mënyrë që do të mendohet si më e përshtatshme. Ne do të ndërmarrim Konsultën vjetore të Artikullit IV, ashtu siç veprojmë me të gjitha shtetet tona anëtare. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim asistencë teknike në zonat tona bazë, në veçanti administrimi i taksave, mbikëqyrja bankare dhe rregullimi, politika monetare dhe statistikat; dhe të ftojmë zyrtarët publikë shqiptarë në kurset tona të trajnimit. Së fundi, ne jemi gati të diskutojmë mundësitë për një marrëveshje huaje.
Shqipëria po ia del më mirë me krizën globale financiare dhe ekonomike sesa pjesa më e madhe e vendeve në rajon. Në Raportin e fundit të ‘Situatës Ekonomike Botërore’ të publikuar në prill, Shqipëria ishte një nga vendet e pakëta europiane që pritej të kishte rritje pozitive këtë vit, prej rreth 0.4%; duke reflektuar treguesit më të fundit, rritja mund të jetë edhe më e lartë këtë vit, ka të ngjarë që të arrijë në 1%. Megjithatë, kjo rritje është pa dyshim shumë poshtë asaj të viteve të mëparshme, duke reflektuar rënien e lartë të eksporteve këtë pranverë krahasuar me vitin e kaluar, rënien e të ardhurave të emigrantëve dhe ngadalësimin e rritjes së kredisë.
*Ish-përfaqësuese e misionit të FMN-së në Shqipëri
6 Gusht 2009