E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastisën pastiçerinë, në pranga hajduti, arratiset bashkëpunëtori



Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë bërë kapjen e 20-vjeçarit Julian Xhanari, lindur dhe banues në Përmet, pasi në bashkëpunim me një person tjetër ka vjedhur me thyerje në qytetin e Përmetit pastiçerinë e shtetasit A. A., ku kanë vjedhur 2 aparate celular dhe një shumë prej rreth 50 000 mijë lekësh të rinj. Sipas forcave policore, kapja dhe ndalimi i këtij personi u bë pasi u arrit të dokumentohej me prova ligjore se autorët e kësaj vjedhjeje janë shtetasit e lartpërmendur. Kapja e tij u bë në një lokal në qytetin e Përmetit në bashkëpunim me forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Përmet, ndërsa bashkëpunëtori E. Jaupi, pas kryerjes së veprës penale, është larguar në shtetin grek dhe është shpallur në kërkim nga policia. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një nga celularët e vjedhur në pastiçeri, të cilin e kishin shitur autorët e vjedhjes në një pikë servisi celularësh në Përmet. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

“Masakrojnë” shoferin që i parakaloi, në pranga tre kushërinjtë

Policia e Krujës ka arrestuar tre persona, pasi akuzohen të kenë qëlluar me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime që i rrezikonin jetën 37-vjeçarit Pëllumb Kani. Sipas burimeve policore, tre personat e arrestuar janë Ardit Kani, Islam Kani dhe Lumturie Kani, që të tre lindur dhe banues në fshatin Cudhi të Krujës. Arrestimi i tyre u bë për arsye se pas një konflikti të çastit, Ardit dhe Islam Kani kanë qëlluar me mjete të forta duke i shkaktuar dëmtime që i rrezikonin jetën, 37-vjeçarin Pëllumb Kani. Gjatë konfliktit në fjalë, Lumturie Kani (bashkëshortja e Pëllumbit) ka marrë një armë automatik nga shtëpia e saj dhe ka shkuar të ndihmojë Pëllumbin, por ajo është çarmatosur nga Islam Kani. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një automatik model 56, i kalibrit 7.62 m/m me nr.4221436. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Krujës për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje” parashikuar nga Neni 88 i Kodit Penal për Islam dhe Ardit Kanin, e “armëmbajtje pa leje” parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal për Lumturie Kanin.

17-vjeçarja tenton helmimin me fostoksinë

Është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak 17-vjeçarja Klodiana B., lindur në Mat dhe banuese në fshatin Rrushkull të Sukthit. Nga veprimet e para hetimore, deklarimet e marra nga mjekët e spitalit dhe babait të saj, rezulton se Klodiana B., në gjendje të rënduar psikologjike, ka konsumuar medikamentin vdekjeprurës fostoksinë në banesën e saj. Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet do t’i kalohen Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “vetëvrasjes”, parashikuar nga Neni 99 i Kodit Penal.

Pranga të moshuarit, dispononte kartëmonedha false

Policia e Pogradecit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të Hysen Xhaferit, 61 vjeç, pasi posedonte një sasi kartëmonedhash 2 mijë lekëshe. Bëhet e ditur se ky person është kapur në flagrance nga forcat e Policisë së Pogradecit në një njësi tregtare në pronësi të Julian Tonas me kartëmonedha me një shumë prej 2000 lekësh, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara dhe që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga ana e policisë u kryen veprimet procedurale për veprën penale të “falsifikimit të monedhave”, parashikuar nga Neni 183 i Kodit Penal dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Pogradecit për hetime të mëtejshme.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›