E Shtunë, 31 Tetor 2026

Acarohet politika mes Shkupit e Athinës

• Pas kërcënimit për veto nga Greqia dhe refuzimit të propozimit të fundit për

emrin e Maqedonisë nga ndërmjetësi i OKB, Nimiç, marrëdhëniet mes dy fqinjëve janë acaruar ndjeshëm pasi në disa zona në qendër të Shkupit janë vendosur foto me flamuj të deformuar grekë. Flamujt grekë i përkisnin një ekspozite që do të hapet në Shkup për një muaj duke nisur nga 3 prilli dhe e paraqesin kryqin në kënd të flamurit grek si një krye të thyer nazist. Menjëherë ka reaguar ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis, e cila i ka kërkuar menjëherë Shkupit të heqë këto afishe nga sheshi. Bakojanis i ka dërguar një notë proteste autoriteteve të Shkupit,ku u kërkon zyrtarisht heqjen e menjëhershme të afisheve fyese. Sipas një deklarate për shtyp të zëdhënësit të qeverisë greke, Jorgos Kamucakos, këto afishe paraqesin fyerje për simbolin kombëtar të Serbisë dhe luftën e popullit grek kundër fashizmit dhe nazizmit. Klima politike mes Shkupit dhe Athinës po acarohet në prag të Samitit të Bukureshtit mbi zgjerimin e NATO-s, në të cilin Greqia ka deklaruar se nëse nuk zgjidhet çështja e emrit me Maqedoninë, ajo do të verë veto mbi kërkesën e Shkupit duke mos lejuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Shkupi ka deklaruar se nuk i pranon kërkesat e Athinës për emrin dhe se nëse Greqia vendos veton në këtë samit, atëherë kurrë më nuk do të ketë negociata mes tyre për çështjen e emrit të Republikës.         

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›